Si Shefi i 20-të i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali i shumëdekoruar i Ushtrisë, Mark Milley thuhet se u zgjodh nga Presidenti i atëhershëm Donald Trump për shkak të reputacionit si drejtues i fortë dhe me stil të drejtpërdrejtë komunikimi.
Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, presidenti dhe jo Shefi i Shtabit të Përgjitshëm, është komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane. Dhe që kur mori detyrën në fillim të vitit 2019, gjeneral Milley i arsimuar në Universitetit Princeton sinjalizoi fuqishëm se përgjegjësia e tij kryesore ishte të mbronte Kushtetutën dhe jo të plotësonte dëshirat e një presidenti kundërthënës.
Zyrtarët pranë gjeneralit Milley i thonë Zërit të Amerikës se qëndrimi i tij si ndaj aleatëve ashtu edhe konkurrentëve ka qenë në shërbim të "stabilitetit strategjik" dhe uljes së tensioneve.
Por përpjekjet e Shefit të Shtabit për të mbetur apolitik ndonjëherë janë interpretuar nga kritikët e tij si politizim i pozicionit të tij. Personi që ka thënë se dëshiron ta mbajë ushtrinë jashtë politikës, e ka gjetur vazhdimisht veten në qendër të debatit dhe polemikave politike.
Protestat e vitit 2020
Gjeneral Milley kërkoi falje në qershor 2020 pasi shoqëroi zotin Trump përmes sheshit Lafayette, ku demonstruesit po protestonin për vdekjen e afrikano -amerikanit George Floyd.
Policia e ndërhyrjes së shpejtë dhe anëtarët e Gardës Kombëtare larguan me forcë protestuesit nga parku publik para Shtëpisë së Bardhë para se zoti Trump të përshkonte sheshin me disa anëtarë të kabinetit të tij dhe gjeneralin Milley. Presidenti më pas qëndroi para një kishe historike, duke pozuar për fotografi me një Bibël në duar.
"Unë nuk duhet të isha atje," tha gjenerali Milley më vonë në një fjalim para studentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes.
Menjëherë pas incidentit, një zyrtar i lartë i mbrojtjes u tha gazetarëve se as gjenerali Milley as sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes Mark Esper nuk kishin ndërmend të bëheshi pjesë e një fotografimi publik dhe menduan se po dilnin thjesht për të parë trupat e pranishme në protesta.
Në ditët e fundit të presidencës së zotit Trump, gjenerali Milley gjithashtu shpërndau një mesazh për ushtrinë duke denoncuar sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara nga mbështetësit e zotit Trump që po përpiqeshin të frenonin certifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden në zgjedhje.
"Trazirat e dhunshme në Uashington më 6 janar 2021, ishin një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kongresit Amerikan, ndërtesës së Kapitolit dhe procesit tonë kushtetues," shkruante gjenerali Milley dhe shefat e tjerë të shtabit në një letër për të gjitha forcat e armatosura.
"Ne ishim dëshmitarë të veprimeve brenda ndërtesës së Kapitolit që nuk ishin në përputhje me sundimin e ligjit. Të drejtat e lirisë së fjalës dhe tubimit nuk i japin askujt të drejtën të përdorë dhunë dhe kryengritje," shtonin shefat.
Privatisht, sipas njoftimeve gjenerali Milley ka fajësuar ashpër ish-presidentin Trump për tonin e zgjedhjeve që çoi në trazirë, duke e krahasuar atë me rrethanat rreth zgjedhjeve në Gjermaninë e epokës naziste.
"Ky është një moment i ngjashëm me Raistagun," citohet ai të ketë thënë, duke iu referuar sulmit të vitit 1933 mbi Parlamentin Gjerman, sipas një libri nga gazetarët e Washington Postit, Carol D. Leonnig dhe Philip Rucker.
Libri 'Peril’ ringjall kritikat
Tani, me daljen e librit "Peril" të gazetarëve Bob Woodward dhe Robert Costa të The Washington Postit, që përshkruan ditët e fundit të administratës Trump, disa ekspertë përsëri po pohojnë se gjenerali Milley ka dëmtuar marrëdhëniet midis udhëheqjes civile dhe ushtarake.
"Veprimet e gjeneralit kanë lëkundur precedentin e rëndësishëm mes udhëheqjes civile dhe asaj ushtarake dhe ky besim do të duhet të riparohet”, shkruante në një opinion për NBC News, koloneli në pension i ushtrisë Jeff McCausland, një ish anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
"Por ato gjithashtu kanë nxjerrë në pah efektet domino të një presidenti të dëshpëruar për të qëndruar në detyrë."
Debati ka në qendër dy telefonata të zotit Milley me gjeneralin kinez Li Zuocheng. Sipas librit, gjenerali Milley i kishte thënë gjeneralit Li në telefonatën e parë më 30 tetor 2020, se do ta kontaktonte paraprakisht nëse do të kishte një sulm të papritur bërthamor nga Shtetet e Bashkuara.
Gjenerali Milley komunikoi me të edhe një herë pas sulmit të 6 janarit në Kapitol duke u përpjekur të sigurojë kinezët se SHBA mbeten të qëndrueshme dhe sipas librit i tha gjeneralit Li se "demokracia ndonjëherë mund të jetë e papërkryer".
Përveç dy telefonatave me homologun e tij kinez, gjenerali Milley gjithashtu thuhet se mbajti një takim sekret të udhëheqësve të lartë ushtarakë të vendit në Pentagon pas refuzimit të presidentit Trump për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Sipas librit, gjatë takimit, ai u kujtoi oficerëve procedurën për aktivizimin e armëve bërthamore dhe donte të sigurohej që oficerët e kontrollit të aktivizimit bërthamor do ta njoftonin nëse lëshohej një urdhër i atyre përmasave.
Senatori republikan Marco Rubio dhe nënkoloneli në pension Alexander Vindman kanë bërë thirrje për dorëheqjen e gjeneralit Milley lidhur me informacionet e reja, dhe zoti Rubio ka thënë se gjenerali po përpiqej të "minonte në mënyrë aktive" zotin Trump.
Gjenerali Milley tha të premten se telefonatat që i bëri gjeneralit Li ishin "plotësisht brenda detyrave dhe përgjegjësive" të punës së tij.
Lidhur me takimin mbi procedurat e armëve bërthamore, zëdhënësi i gjeneralit Milley, koloneli i ushtrisë Dave Butler, tha se "ishte për t’u rikujtuar udhëheqësve në uniformë në Pentagon procedurat e vendosura prej kohësh në dritën e raportimit të mediave mbi këtë temë."
Presidenti Joe Biden shprehu mbështetjen për gjeneralin Milley menjëherë pasi dolën hollësitë për librin, duke thënë se ai kishte "besim të madh" tek gjenerali.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm zakonisht shërben për një mandat katërvjeçar me propozimin e presidentit dhe konfirmimin e Senatit. Ndërsa presidenti është komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, edhe Kongresi kontrollon ushtrinë me pushtetin për të shpallur luftë dhe përgjegjësinë për të ngritur dhe mbështetur forcat e armatosura.
Ky kontroll civil, i ndarë midis degëve ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes, u parashikua ndërtua në Kushtetutë për të "avancuar sigurinë e kombit, duke siguruar në të njëjtën kohë që instrumentet e forcës të mos minojnë praktikën e demokracisë amerikane", sipas një raport të Shërbimit Kërkimor të Kongresit të qershorit 2020.
Ndërsa Shefi i Shtabit i tejkalon të gjithë oficerët e tjerë ushtarakë dhe ka një pozitë shumë prestigjioze, atij ose asaj i ndalohet me ligj komanda operative e trupave luftarake. Ai është këshilltari kryesor ushtarak i presidentit dhe sekretarit të mbrojtjes për autoritetet e tyre komanduese.
Akti i Riorganizimit Goldwater-Nichols i Departamentit të Mbrojtjes i vitit 1986 përcakton zinxhirin e komandës ushtarake nga presidenti tek sekretari i mbrojtjes drejtpërdrejt tek kreu i përgjithshëm i komandës. Prandaj, aktivitetet ushtarake në Irak, për shembull, do të kryheshin nga shefi i Komandës Qendrore të SHBA, gjenerali Frank McKenzie, jo nga Shtabi i Përgjithshëm.
Shtabi i Përgjithshëm përfshin kryetarin, nënkryetarin dhe krerët e gjashtë degëve ushtarake, përfshirë Ushtrinë, Marinën, Forcën Ajrore, Marinsat, Forcën Hapësinore dhe Byronë e Gardës Kombëtare.