Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhet "Jo tiranisë" dhe "Trupi im, zgjedhja ime", aktivistët dhe drejtuesit e sindikatave po kërkojnë që qyteti i Nju Jorkut të rishikojë vendimet për vaksinimin me detyrim.
"Nuk ka pasur testime të mjaftueshme në vazhdim. Ndërkohë edhe pse vaksina e Pfizer-it thuhet se është miratuar nga FDA-ja, do të kalonin vite përpara se të merrnim vesh të vërtetën...", thotë një protestuese në një tubim kundër vaksinave.
"Kjo është shumë, shumë e rrezikshme, dhe ky është vetëm hapi i parë për të na hequr të gjitha liritë tona".
Qyteti i Nju Jorkut miratoi një rregullore në mes të muajit gusht që detyron vaksinimin kundër COVID-19. Për të vizituar vende të caktuara, mes tyre restorante e palestra, klientët duhet të paraqesin dëshmi se janë vaksinuar.
Ata që i injorojnë rregullat do të përballen me një gjobë prej 13 shtatorit, që përkon me fillimin e vitit të ri shkollor.
Ata mësues apo pjesë e stafit pedagogjik që nuk vaksinohet, do të duhet të bëjnë teste për COVID çdo javë.
"Dy mijë mësues të qytetit të Nju Jorkut janë gati të padisin qytetin lidhur me urdhrat për vaksimin me detyrim", thotë një protestues.
Të gjithë, pavarësisht nëse janë të vaksinuar ose jo duhet që gjithashtu të mbajnë maska në shkollë.
Në restorantin 1803, klientët dhe stafi duhet të tregojnë kartat e vaksinimit.
"Kur u kërkoj njerëzve dëshmi nëse janë vaksinuar, ata ose më tregojnë kartën ose një foto të saj”, thotë Kris Bramson, kamariere.
"Jemi bërë si poliklinikë që prej një viti e gjysmë. U masim njerëzve temperaturën e na u duhet të bëjmë një mori gjërash", thotë Rafi Hasid, pronar i restorantit 1803.
Në palestra, informacioni mbi kartat e vaksinimit shtohet në profilin personal të klientit.
"Ekziston një sistem i bazuar tek besimi sa herë që hyjmë, për të mbajtur ose jo një maskë, duke besuar se je i vaksinuar. Këtu e di që mund të hysh e të besosh se të gjithë rreth teje janë të vaksinuar. Kjo të bën të ndihesh mirë”, thotë Marc Santa Maria, drejtor rajonal i grupit “Crunch Fitness”
Kreu i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut e mbështet vendimin për vaksinim të detyruar për punonjësit e policisë, por sindikatat kanë kërcënuar se do të ngrenë padi nëse merret një masë e tillë.