Përdorimi i dronëve ushtarakë është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Firma izraelite IAI, e njohur për prodhimin e mjeteve ajrore me telekomandë, aktualisht po demonstron një automjet luftarak tokësor autonom, që mund të shoqërojë trupat në betejë, ose të kryejë misione ikontrolluar nga distanca. Kjo makineri luftarake me kontroll nga distanca do të jetë pjesë e panairit të tregtisë së armëve të hapur të martën në Londër.
Firma shtetërore izraeliteIAI po ekspozon një automjet tokësor me telekomandë, për të cilin eksperët thonë se mund të përdoret për të mbështetur trupat në situata të ndryshme luftarake.
Your browser doesn’t support HTML5
Automjeti luftarak, i quajtur REX MK II, është një automjet-robot i kontrolluar nga distanca dhe mund të mbajë një ngarkesë deri në 1,3 ton, thotë Rani Avni, zëvendës shef i divizionit të sistemeve autonome të firmës IAI.
“Për shumë vite kemi ofruar pajisje ajrore me telekomandë. Tani po i sjellim këto aftësi në fushën e betejës, duke ndërthurur inteligjencën artificiale me teknologji të tjera për të ofruar një automjet luftarak tokësor.”
I armatosur me armë zjarri, roboti ushtarak komandohet nga distanca përmes një tableti.
“Makineria ushtarake kontrollohet plotësisht nga distanca nga një komandë qendrore. Duke patur një pamje të qartë të situatës në terren,mjeti po ashtu ka një autonomi të plotë për të realizuar misionin në mënyrë të pavarur”, thotë zoti Avni.
Kompania, thotë ai, po përdor aftësitë e saj në fushën e inteligjencës artificiale për zhvillimin e këtyre sistemeve robotike.
“Kjo na ofron një gamë të gjerë aftësish për misione të ndryshme, si robotike, ashtu edhe autonome, duke shtuar vlerat në fushën e betejave të së ardhmes.”
Zoti Avni thotë se automjeti REX shërben, mes të tjerash, për të zvogëluar rrezikun e trupave ne fushën e betejës.
“Disa pjesë të fushës së betejës janë të rrezikshme. Ndaj kjo makineri robotike do t’u paraprijë trupave për të spastruar vijën e frontit, për të kontrolluar rrugët në zonat urbane, apo transportuar municione për ushtarët.”
Ai thotë se automjeti ka aftësitë për gjetjen e objektivit dhe hapur zjarr. Megjithatë, automjeti është programuar në mënyrë të tillë që vendimi përfundimtar të merret nga njeriu.
Automjeti REX MK II ka motorë elektrikë dhe aftësi të larta manovrimi në terrene të ndryshme, si dhe mund të realizojë kthesa të ngushta. Ky automjet luftarak, që ka bashkuar inteligjencën artificiale me aftësitë telekomanduese dhe armët e zjarrit, po preznatohet në panairin ndërkombëtar të armëve në Londër.