Zgjedhjet parlamentare të këtij muaji në Rusi do të jenë më së paku të lira që kur Vladimir Putini erdhi në pushtet 21 vjet më parë, paralajmëruan udhëheqësit e opozitës dhe vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve.
Sondazhet sugjerojnë se vetëm 26% e rusëve janë të gatshëm të votojnë për Partinë në pushtet Rusia e Bashkuar në zgjedhjet parlamentare të 19 shtatorit, rezultati më i ulët i saj në anketa që nga viti 2008.
Megjithatë, pak kundërshtarë të Putinit kanë dyshime për fitoren e partisë Rusia e Bashkuar, falë manipulimit të votave, heshtjes së kritikëve të Putinit, ndalimit të kandidatëve të pavarur, frikësimit të votuesve dhe shpërndarjes së parave për votuesit.
"Ryshfeti për votuesit (blerja e votës), të gjitha llojet e manipulimeve, mobilizimi i burimeve administrative dhe persekutimi i kritikëve të regjimit, janë taktikat zgjedhore të Putinit dhe partisë së tij në 2021", thotë Fyodor Krashennikov, një analist politik i opozitës.
Krashennikov kohët e fundit u largua nga Rusia, duke u bërë pjesë e një eksodi të figurave opozitare që thonë se ata janë në shënjestër të një vale të shtypjes së kundërshtarëve që çoi në mbylljen dhjetëra mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile pasi ato u caktuan si "agjentë të huaj" ose organizata ekstremiste. Kjo fushatë e autoriteteve në Kremlin u intensifikua para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
Alexei Navalny, kritiku më i njohur i Putinit, ndodhet në burg që nga janari nën akuzat e vjetra për evazion fiskal, të cilat ai dhe disa qeveri perëndimore i shohin si të motivuara politikisht. Organizata e tij politike mbarëkombëtare, e akuzuar nga Kremlini si ekstremiste, është shpërbërë. Kritikëve të tjerë të Putinit u është ndaluar të kandidojnë në zgjedhjet paralmentare, përfshirë ish-ligjvënësin Dmitry Gudkov, i cili u largua nga Rusia në qershor nga frika se do të përballej me akuza penale nëse nuk do ta braktiste vendin.
"Një autokraci e fortë"
“Që kur u largova nga Rusia në vitin 2014, është absolutisht tronditës numri i biznesmenëve, akademikëve, gazetarëve, politikanëve, avokatëve, drejtuesve të OJQ-ve që unë i njihja atje, të cilët tani kanë vdekur, janë në burg ose janë larguar nga vendi”, tha Michael McFaul, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi.
"Asnjëherë nuk e di se kujt do t’i vijë radha", thotë Maria Snegovaya, studiuese në Universitetin George Washington.
Ajo tha në një diskutim të fundit në internet të organizuar nga Këshilli Atlantik, një qendër studimore me seli në Nju Jork, se 2021 do të kujtohet si viti kur Rusia u shndërrua në "një autokraci të fortë". Ajo beson se goditja në rritje e kundërshtarëve, që nga helmimi pothuajse fatal vitin e kaluar i Alexei Navalnit dhe protestave kundër burgosjes së tij, është një reagim i Kremlinit ndaj rritjes së pakënaqësisë me qeverinë e Putinit.
"Pakënaqësia është e përhapur në të gjithë spektrin politik dhe ka shumë më pak mbështetës të regjimit", thotë ajo. Megjithatë, ajo paralajmëron se opozita anti-Putin është e fragmentuar në aspektin e përkatësisë politike dhe nuk duhet parë automatikisht si grupim në mbështetje të ideve liberale demokratike.
Lexoni edhe këtë Rusia bllokon faqen elektronike të Navalny-t përpara zgjedhjeveRusët do të votojnë në zgjedhjet që do të mbahen midis 17 dhe 19 shtatorit për dhomën e ulët të Parlamentit rus dhe për disa udhëheqës rajonalë dhe qeveri komunale.
Mediat ruse në pronësi të shtetit ose të kontrolluara nga shteti kanë hedhur poshtë pretendimet për zgjedhje të manipuluara, duke thënë se kjo është një fushatë e frymëzuar nga Perëndimi për të diskredituar zgjedhjet ruse dhe se lajmet e rreme do të shtohen me afrimin e ditës së votimit.
Një grup ekspertësh miqësorë me Kremlinin nga grupi Monitorimi i Pavarur Publik, parashikuan në një raport të mërkurën se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë një rritje të lajmeve të rreme në lidhje me punonjësit e sektorit publik të detyruar përmes veprimeve korruptive për të votuar për Rusinë e Bashkuar.
"Do të ketë spekulime të gjera në lidhje me pretendimet për rregulla të pabarabarta në zgjedhje, si dhe përndjekjen e kandidatëve të opozitës", thanë autorët e raportit për agjencinë shtetërore të lajmeve ruse, TASS.
"Sipas mendimit të tyre, provokimet dhe sulmet ndaj informacionit do të gëzojnë mbështetje të bashkërenduar nga gazetarët, politikanët dhe zyrtarët qeveritarë perëndimorë. Kur të përfundojë fushata zgjedhore, Perëndimi do të refuzojë të njohë legjitimitetin e Dumës së re Shtetërore (Dhomës së Ulët të Parlamentit rus) dhe do të bëjë përpjekje të fuqishme për të nxitur protesta brenda Rusisë", raportoi TASS.
Por një sondazh i publikuar të mërkurën nga grupi VTsIOM, i financuar nga shteti, sugjeroi se ndaj 14 përqind të punonjësve të fabrikave industriale në Rusi është ushtruar presion nga shefat e tyre për t'u regjistruar për të votuar dhe më shumë se gjysma e të anketuarve në sondazh thanë se menaxherët e tyre kishin biseduar me ata për zgjedhjet.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se vala e papritur e raporteve të medias shtetërore të Rusisë në lidhje me një komplot perëndimor është një përpjekje për t’u kundërvënë kritikave ndaj Kremlinit. "Duke shpikur komplote dhe provokime të këqija" perëndimore ", mediat dhe ekspertët pro-Kremlinit injorojnë realitetin e errët në terren: hakmarrjet kundër kritikëve dhe eliminimi i opozitës politike me metoda të ndryshme përfshirë censurën dhe kufizimin e lirisë së medias”, tha përmes një deklarate Shërbimi për Veprime të Jashtme i BE -së.
Vëzhguesit e zgjedhjeve
Mungesa e vëzhguesve të zgjedhjeve po alarmon gjithashtu politikanët e opozitës. Muajin e kaluar, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, njoftoi se nuk do të dërgojë vëzhgues në zgjedhjet ruse për herë të parë në gati tre dekada për shkak të "kufizimeve të mëdha" të vendosura nga autoritetet ruse ndaj misionit të saj.
"Na vjen shumë keq që nuk do të jetë e mundur për ne që të vëzhgojmë zgjedhjet e ardhshme në Rusi", tha zyrtari i OSBE-së Matteo Mecacci, përmes një deklarate të lëshuar në gusht. "Por aftësia për të përcaktuar në mënyrë të pavarur numrin e vëzhguesve të nevojshëm për të vëzhguar në mënyrë efektive dhe të besueshme procesin e votimit është thelbësor për të gjitha misionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve. Këmbëngulja e autoriteteve ruse për të kufizuar numrin e vëzhguesve që mund të dërgonim pa ndonjë shpjegim që qartë që lidhet me kufizimet për pandeminë, fatkeqësisht e ka bërë hapin e sotëm të pashmangshëm", shtoi ai.
Grupi kryesor mbikëqyrës mbarëkombëtar i zgjedhjeve në Rusi, Golos, u caktua gjithashtu një muaj para zgjedhjeve parlamentare si "agjent i huaj" nga Kremlini dhe megjithëse është zotuar të vazhdojë punën e tij, ka frikë se mund të mos lejohet të monitorojë zgjedhjet.
Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë frikë se mungesa e tyre do të shtojë mundësitë për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve. Ata gjithashtu theksojnë se autoritetet në gjashtë rajone të mëdha dhe në Moskë kanë inkurajuar rusët të votojnë në internet. Votimi elektronik në Rusi është rritur vitet e fundit, por në vitin 2020 në një referendum për ndryshimin e kushtetës, u shfaqën anomali serioze në votimin përmes internetit në Moskë dhe Nizhny Novgorod Oblast, ku në fund rezultoi se numri i njerëzve që kishin votuar ishte më i madh sesa numri i personave që ishin regjistruar për të votuar. Në një zonë dallimi mes këtyre dy grupeve ishte me një nivel prej 217%.
Banorët e Donetskut dhe Luhanskut, rajone të shkëputura në Ukrainën lindore, të mbështetura nga Moska, gjithashtu po inkurajohen nga autoritetet ruse që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Më shumë se 600,000 banorë të këtyre rajoneve janë të pajisur me pasaporta ruse dhe ata shihen nga Kremlini si "rezerva shtesë të votuesve besnikë", thotë analisti rus Konstantin Skorkin.
Kjo është hera e parë që ata do të lejohen të votojnë në zgjedhjet parlamentare. Vitin e kaluar, banorët me pasaporta ruse në Donetsk dhe Luhansk u lejuan të votonin në referendumin për ndryshimin e kushtetutës ruse për të lejuar Putinin të kandidojë përsëri për dy mandate të tjera presidenciale. 14,000 banorë të këtij rajoni u transportuan me autobus përtej kufirit dhe votuan në rajonin rus të Rostovit.
Këtë radhë ata do të jenë në gjendje të votojnë në internet.