Në Kosovë autoritetet thanë se 24 veta kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e COVID-19. Sipas ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë konfirmuar 1 mijë e 29 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi.
Që nga 1 shtatori e deri më sot janë regjistruar 205 viktima si pasojë e COVID-19, duke i bërë këto më të rëndat që nga shpërthimi i pandemisë në mesin e muajit mars të vitit të kaluar.
Your browser doesn’t support HTML5
Kosova aktualisht ka vendosur masa kufizuese deri më datën 13 shtator për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Me vendimin e fundit të qeverisë kufizohet liria e lëvizjes për qytetarët nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit, është shtyrë fillimi i vitit të ri shkollor dhe është shkurtuar orari i punës së bareve dhe restoranteve.
“Nuk do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë deri sa kemi një situatë epidemiologjike të brishtë”, tha ministri i shëndetësisë Arben Vitia në një konferencë me gazetarë, ndërsa paralajmëroi masa kufizuese për punonjësit e administratës dhe të sherbimit civil.
“Pas datës 13 shtator punonjësit e sektorit publik dhe të administratës nuk do të mund të jenë në vendet e tyre të punës pa paraqitur një dokument si çertifikatën e vaksinimit ose testin PCR në 72 orët e fundit ose testin serologjik në 30 ditët e fundit. Kjo është masë e cila ka filluar nga administrata që të jap shembull edhe për të tjerët mirëpo do të shtrihet edhe në të gjitha sektorët tjerë me kohë”, tha ai.
Zyrtarët e shëndetësisë bënë thirrje për vaksinim në masë ndërsa theksuan se kanë marr rekomandime nga ekspertët për dhënien e dozës së tretë të vaksinës për qytetarët me probleme shëndetësore.
Deri të mërkurën në Kosovë janë vaksinuar 631 mijë qytetarë apo 50% e moshës 18 vjeç e lart, ndërsa 334 mijë veta apo 26.5% e qyteatërve të moshës madhore.kanë marrë dy doza.