Katër vjet më parë, udhëheqësit evropianë kundërshtuan planin e Presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump për ndërtimin e një muri në kufirin jugor të Amerikës me Meksikën. "Ne kemi një histori dhe traditë që kremton rrëzimin e mureve dhe ndërtimin e urave lidhëse", paralajmëroi Federica Mogherini, shefe e atëherëshme e politikës së jashtme të BE -së.
Por Evropa tani po përshpejton planet për ndërtimin e murit të saj kufitar nga frika e krizave të migrimit në të ardhmen.
Në aspektin afatshkurtër, qeveritë e Bashkimit Evropian janë të shqetësuara nga një dyndje e pritshme afganësh dhe shpresojnë të bindin fqinjët e afërt të Afganistanit që të strehojnë ata që ikin nga frika e talebanëve.
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, paralajmëron se gati 500,000 afganë mund të largohen nga vendi i tyre deri në fund të vitit. Zyrtarët e BE-së thonë se po konsiderojnë të shpenzojnë një miliard euro për të nxitur vendet fqinje me Afganistanin të veprojnë si vende të ndalimit të refugjatëve. Por Pakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani duken ngurrues dhe kanë paralajmëruar se janë të përgatitur vetëm për të shërbyer si vende tranzit për azilkërkuesit afganë.
Kancelari austriak Sebastian Kurz tha të shtunën se nuk duhet të ndodhë një valë e mundshme refugjatësh drejt Evropës. Kohët e fundit Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Evropa duhet të "parashikojë dhe mbrojë veten nga një valë emigrantësh" nga Afganistani.
Kjo këshillë po përqafohet nga udhëheqës të tjerë evropianë, të zellshëm për të ndaluar një hyrje masive të refugjatëve afganë në Evropë, duke shpresuar kështu që të shmangin përsëritjen e krizës së migrimit mes viteve 2015-16, kur më shumë se një milion azilkërkues nga Lindja e Mesme, Afrika nën-Sahariane dhe Azia Qendrore hynë në Evropë, duke tronditur politikën evropiane dhe duke nxitur fuqizimin e partive nacionaliste populiste.
Javën e kaluar në një takim urgjent në Bruksel, ministrat e brendshëm të 27 vendeve anëtare të BE-së ranë dakord "të veprojnë së bashku për të parandaluar përsëritjen e lëvizjeve masive të pakontrolluara dhe të paligjshme të migrimit të hasura në të kaluarën".
Perspektiva e më shumë refugjatëve afganë në kufijtë e tyre ka nxitur shtete të Evropës Qendrore, ato baltike dhe ballkanike që të përfundojnë barrierat e planifikuara dhe gardhe me tela në kufi. Muajin e kaluar Greqia përfundoi një mur prej 40 kilometrash përgjatë kufirit të saj tokësor me Turqinë dhe instaloi një sistem të automatizuar të vëzhgimit në përpjekje për të mos lejuar që azilkërkuesit të arrijnë në Evropë.
"Ne nuk mund të rrimë pasivë, duke pritur për të parë ndikimin e mundshëm," tha ministri i mbrojtjes së Greqisë, Michalis Chrisochoidis, duke njoftuar përfundimin e projektit. "Kufijtë tanë do të mbeten të sigurt dhe të pacënueshëm," shtoi ai. Sipas agjencisë së OKB-së për Refugjatët, azilkërkuesit nga Afganistani përbëjnë 45% të të ardhurve të fundit në ishujt grekë këtë vit.
Në një intervistë të hënën me Politico.eu, Komisionerja e Punëve të Brendshme e BE-së Ylva Johansson u përpoq të mos i kushtonte rëndësi vendosmërisë së shteteve anëtare për të mbajtur dyert e mbyllura, duke thënë se ajo do të thërrasë një forum të nivelit të lartë më vonë këtë muaj, ku vendet anëtare, Britania, SHBA dhe Kanadaja do të diskutojnë angazhimet për të strehuar një numër të caktuar refugjatësh afganë.
"Sigurisht, është në baza vullnetare, por unë pres që ata të ndihmojnë," tha ajo. Por disa shtete, përfshirë Greqinë, Austrinë dhe Hungarinë, kanë thënë tashmë se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.
Të shtunën, komisioneri i BE-së për migracionin, Margaritis Schinas vuri në dukje se kufijtë e jashtëm të bllokut janë tani shumë më të fortë nga sa ishin kur kontinenti u trondit nga fluksi i imigrantëve në vitet 2015-16, që solli një valë të ndërtimit të mureve.
Shtetet anëtare të BE-së kanë ndërtuar bashkërisht më shumë se 1.000 kilometra barriera kufitare apo gardhe me tela me gjemba vitet e fundit.
Çdo ditë ndërtohen mure të reja. Në vitet 1990 u ndërtuan vetëm dy mure, deri në vitin 2017 ato arritën në 15. Spanja, Greqia, Hungaria, Bullgaria, Austria, Sllovenia, Sllovakia, Letonia, Estonia, Norvegjia, Lituania dhe Polonia kanë përfunduar vitet e fundit mure të reja në kufijtë e tyre të jashtëm.
Franca, Sllovenia dhe Austria madje kanë ndërtuar mure kufitare që nga viti 2015 përgjatë pjesëve të kufijve të tyre të përbashkët me vendet e tjera të BE -së.
Letonia, Lituania dhe Polonia kanë ndërtuar në mënyrë të vrullshme mure dhe kanë militarizuar kufijtë e tyre me Bjellorusinë për të ndaluar numrin rekord të emigrantëve, kryesisht nga Iraku, që kalojnë kufijtë e tyre.
Ata akuzojnë Presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko për orkestrimin e kalimit të emigrantëve si një formë ndëshkuese kundër BE-së për vendosjen e sanksioneve në vazhdën e zgjedhjeve të debatueshme të vitit të kaluar, të cilat u panë gjerësisht si të manipuluara.
Në një konferencë shtypi muajin e kaluar, zoti Lukashenko mohoi se Bjellorusia po kërkonte të shantazhonte Evropën duke u përpjekur të krijonte një krizë emigrantësh, por tha se po reagonte ndaj presionit të huaj.
"Ne nuk po shantazhojmë askënd me imigrim të paligjshëm," u tha ai gazetarëve në Pallatin e Pavarësisë në Minsk. “Ne nuk kërcënojmë askënd. Por ju na keni vënë në rrethana të tilla ku jemi të detyruar të reagojmë. Dhe po reagojmë," tha ai.
Por nuk është vetëm lejimi i emigrantëve nga rivalët e BE-së apo trazirat e menjëhershme në Afganistan ato që kanë tërhequr vëmendjen e politikbërësve të shqetësuar të BE-së dhe udhëheqësve vendorë. Një sërë studimesh të kohëve të fundit sugjerojnë se Evropa do të shohë sfida shumë më të mëdha migrimi në dekadat e ardhshme.
Në një studim të botuar në fillim të këtij viti, hulumtuesit në Institutin e Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike paralajmëruan se nga tani e deri në vitin 2030, ndryshimi i klimës, konfliktet dhe mosfunksionimi politik në rajonet fqinje të BE-së, së bashku me rritjen masive të popullsisë në Afrikë, në mënyrë të pashmangshme do të çojnë në një shtim të numrit të njerëzve që përpiqen të emigrojnë në BE.