Pesë vjet pas shenjtërimit dhe 24 vjet pas vdekjes, Nënë Tereza vazhdon të kujtohet për rolin e saj në Kishën Katolike dhe në ndihmë të të varfërve. Teologia Ines Murzaku thotë për Zërin e Amerikës se vlerat e nobelistes së paqes me origjinë shqiptare dhe shenjtores katolike, janë universale dhe kjo është arsyeja që tingëllojnë gjithmonë aktuale. Kolegia Keida Kostrecu bisedoi me prof. Murzakun, drejtore e programit të studimeve katolike në Universitetin Seton Hall në Nju Xhersi.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Profesore Murzaku, u bënë pesë vjet nga shenjtërimi i Nënë Terezës, ndërkohë që është edhe përvjetori i vdekjes së saj. Si e kujtojmë sot Nënë Terezën?
Prof. Ines Murzaku: Nënë Tereza ngelet një figurë shumë e madhe, një figurë universale, një figurë e cila gjithmonë të jep një mesazh për të marrë dhe për ta aplikuar. Dhe në këto vjet që nga 1997 kur Nënë Tereza vdiq, prapë figura e saj vetëm ngrihet, vetëm bëhet më universale.
Zëri i Amerikës: Çfarë e bën kaq universal mesazhin e saj dhe figurën e saj megjithëse bota ka ndryshuar jashtë mase. Duket se ato thënie që i njihen Nënë Terezës dhe misioni dhe vepra e saj, janë po aq të freskëta sot, megjithë këtë ndryshim të madh të botës.
Prof. Ines Murzaku: Përgjigjia është e thjeshtë dhe e ndërlikuar. E thjeshtë është se Nënë Tereza është një figurë universale dhe trashëgimia e saj është një trashëgimi universale. Pse? Sepse Nënë Tereza qëndroi dhe mbrojti vlerat universale, si për shembull mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu dhe këto janë disa të drejta fondamentale, thelbësore. Për veprimtarinë e saj në mbrojtje të këtyre vlerave universale, Nënë Tereza është vlerësuar shumë. Për shembull, në Uashington, në Katedralen e Madhe të Uashingtonit, janë disa figura, disa buste, që janë si ikona të mbrojtjes së të drejtave universale. Një nga këto buste, është edhe busti i Nënë Terezës, e gdhendur në gur që do të qendrojë atje për shumë kohë.
Zëri i Amerikës: Profesore Murzaku, një nga shprehjet më të njohura të Nënë Terezës, e shpreh më së miri sesi e quan ajo veten, pikërisht ajo shprehje ku ajo thotë me gjak jam shqiptare, me fe jam katolike, por unë i përkas gjithë botës. Çfarë do të thotë kjo për atë që ajo përfaqëson për origjinën e saj, për kishën dhe fenë të cilës i kushtoi jetën dhe për botën të cilës ajo i shërbeu.
Prof. Ines Murzaku: Prapë është ai universalizmi i Nënë Terezës. Mesazhi i saj është universal, që nuk i përket vetëm Shqipërisë, apo neve shqiptarëve, por i përket gjithë botës. Por edhe mësimet e Nënë Terezës janë mësime universale, mësime shumë të zbatueshme. Për shembull, një rast tjetër që ka ndodhur në gusht. Në 12 Gusht OKB-ja ka nxjerrë një pullë ku është Nënë Tereza, me një mesazh shumë të thjeshtë, por shumë të thellë. Në atë mesazh thuhet: “Jo të gjithë ne, mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Ky është një mësim universal që mund ta zbatojë si një shqiptar, si një immigrant, si një i papunë…Pra janë vlera universale dhe mësime universale për të cilat Nënë Tereza akoma është një figurë së cilës i referohemi. Nënë Tereza është një dhuratë e këtij kombi të vogël botës dhe këtij globalizmi dhe universalizmi për të cilën Nënë Tereza është një pjesë shumë e vyeshme, shumë e vlefshme.
Zëri i Amerikës: Bota është në një pozicion shumë të vështirë, përfshirë një pandemi që po zgjat, përfshirë njerëz që kanë rënë në varfëri dhe më shumë se më parë, kriza të gjithanshme, kam parasysh këtu edhe krizën e fundit në Afganistan, ku shumë njerëz po vuajnë tani. Në këto kushte sfidash të mëdha, çfarë duhet pasur parasysh nga ato mësime të saj, të Nënë Terezës?
Prof. Ines Murzaku: Misioni i Nënë Terezës vazhdon edhe në Afganistan, meqë përmende Afganistanin. Katër nga motrat e Nënë Terezës sapo u kthyen në Itali nga Afganistani, sepse ato ishin atje, kishin një prezencë atje, duke u shërbyer perfesrikëve, duke u shërbyer fëmijëve që kishin aftësi të kufizuara. Nënë Tereza dhe misioni i saj universal dhe mesazhi i saj universal. Ajo nuk fliste për të varfrit, apo si në rastin e Afganistanit për këto fëmijë me aftësi të kufizuara, por ajo bëhej një me këta fëmijë, me të varfrit dhe ky është një mesazh shumë universal, por edhe që të bën të mendosh, sepse shumë njerëz japin të ardhura për shembull, japin ndihma këtyre vendeve, por Nënë Tereza ishte një grua e aksionit, një grua që bënte. Kishte një plan, por e bënte e realizonte.
Zëri i Amerikës: Mënyra modeste se si ajo e kryente misionin e vet, është si antidotë përballë si të thuash asaj arrogancës së politikës, të pjesëve të ndryshme të elitave në botë, por gjithashtu përçon edhe mesazhin që ndryshimi i vërtet ndoshta vjen pikërisht nga njerëz që janë modestë dhe të thjeshtë. A është kjo diçka për të cilën njerëzit duhen rikujtuar herë pas here?
Prof. Ines Murzaku: Unë them se gjëja e parë është se Nënë Tereza ishte një grua e fortë, me një mesazh shumë të qartë, por me një vizion që ajo e artikulonte shumë thjesht, pa llafollogji, por me thjeshtësi, me përultësi, por me vepra dhe ky është ndryshimi i Nënë Terezës nga të tjerët. Është një figurë që diti të përballojë kritikat, sepse Nënë Tereza u bë një figurë e madhe dhe sigurisht ka njerëz, kishte dhe ka njerëz që e kritikojnë Nënë Terezën, e krtikojnë vizionin e saj. Ajo me atë humilitetin, përulshmërinë e saj, mundi t’i përballojë edhe kritikat, por jo me llafollogji, nuk donte polemika llafollogjike, që të çojnë asgjëkundi. Por ajo iu përgjigj kritikave me veprim. Mund të them që ishte një grua shumë e përmbajtur, një grua që kishte dhuntinë të dëgjonte dhe shumë pak njerëz e kanë atë dhunti. Shumë e komunikueshme, shumë e përmbajtur. Fliste me sy. Një aspekt tjetër i Nënë Terezës që mua më bën shumë përshtypje nga ana teologjike, është që Nënë Tereza nuk ishte një person që kishte grada shkencore në teologji, ne teologët mësojmç shumë nga Nënë Tereza, nga teologjia e Nënë Terezës. Pse? Sepse ajo ishte një teologji aktive dhe Nënë Tereza mishëronte të gjitha virtytet teologjike që janë besimi, shpresa, dashuria. Gjithë misioni i saj ishte i bazuar në këto virtyte teologjike.
Zëri i Amerikës: Nënë Tereza kishte gjithashtu edhe një aftësi të veçantë për të krijuar koalicione, për të çuar përpara misionin e saj, për të arritur ato synime që ajo donte apo jo?
Prof. Ines Murzaku: Nënë Tereza mund të quhet edhe nëna e paqes. Në sa vende në botë Nënë Tereza ishte ambasadorja e paqes? Papa Gjon Pali i Dytë i ka thënë Nënë Terezës, që “të lutem unë do të të çoj ty, në vendet ku unë nuk shkoj dot”. Pse? Nënë Tereza nuk donte publicitetin, nuk donte këtë jetën që të takohej me personalitete, por ajo e bëri atë. Pse? Për paqe, për të vendosur paqe përmes njerëzve dhe mund të themi, një paqe sipas Nënë Terezës, që fillonte me një gjë shumë të thjeshtë, me buzëqeshjen.
Zëri i Amerikës: Dhe si po i shënon Kisha Katolike këto ditë që përkojnë pikërisht me shenjtërimin e saj dhe përvjetorin e vdekjes?
Prof. Ines Murzaku: Ka shumë veprimtari në Kishën Katolike për Nënë Terezën, në Kosovë goxha celebrime për Nënë Terezën. Gjithashtu edhe OKB-ja i celebroi këto dy festa të mëdha të Nënë Terezës me pullën, por edhe në botën katolike ke celebrime, ka celebrime liturgjike, ka konferenca për Nënë Terezën. Nënë Tereza pra qëndron një figurë shumë e madhe, shumë universale, një nënë! Është një nënë që gjithmonë afron dhe do të vazhdojë të afrojë. Dhe për katolikët është gjithashtu një nënë shenjte. Për ne shqiptarët ne e dimë sa e shtrenjtë është nëna dhe Nënë Tereza është nënë, shenjte. Për ne nënat janë shenjte, kështuqë Nënë Tereza me të vëretë edhe për nënat shqiptare, është një model.