5 vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku bashkoi sot një numër të madh banorësh në katedralen “Nënë Tereza” në Vaun e Dejës, e vetmja katedrale në Shqipëri që mban emrin e shenjtores me origjinë shqiptare.
Në meshën e shenjtë kushtuar Nënë Terezës, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, tha se shenjtorja Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur.
Misionaret e saj, tha si, janë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, duke dëshmuar këtë bamirësi dhe dashuri të saj për më të varfërit.
“Edhe sot, jeta dhe vepra që na la Nëna jonë Tereze janë një dëshmi dhe një ikonë e gjallë e dashurisë së Zotit ndaj njerëzve, në mënyrë të veçantë, ndaj të varfërve e të mënjanuarve, shembull përkushtimi dhe shërbimi vëllazëror për të gjithë që kanë nevojë”, tha imzot Simon Kulli.
Nënë Tereza, tha imzot Kulli, me veprën e saj rikthente shpresën tek më të varfërit dhe të përbuzurit. Vepra e saj, shtoi ai, vazhdon edhe sot e kësaj dite, sidomos në këtë periudhë të pandemisë, që ka tronditur botën.
”Jam i sigurtë se ka edhe sot Nanë Tereza, që i përngjajnë Nanës tonë, Shën Terezës së Kalkutës. Janë ata që janë afër të sëmurëve dhe të varfërve në këto ditë të vështira. Janë infermierët, mjekët, janë ata prindër, janë ata vëllezër dhe motra që u shërbejnë të sëmurëve, që nuk kanë frikë t’i afrohen të sëmurit edhe pse është me pandemi”, tha ai.
Mes mesazheve të shumta që përcjell jeta dhe vepra e shenjtores Nënë Tereza, ipeshkvi i Sapës veçoi rëndësinë e një familje të bashkuar, nevojën për të çuar në familje lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen.
Duke përfunduar, imzot Simon Kulli, j’u drejtua besimtarëve që të përpiqen t’i ngjajnë sadopak në dashuri dhe bamirësi Nënës Tereze.
“Dhashtë Zoti që, nëpërmjet Shën Nënë Terezës, të mundohemi edhe ne të jemi një pikë e vogël në oqeanin e botës së sotme, të jemi model dhe t’i përngjajmë sadopak në dashuri, në bamirësi Nanës tonë Tereze”.
Po sot, përmes rrjeteve sociale, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Luzim Basha, përcollën mesazhe vlerësimi për jetën dhe veprën e shenjtores Nënë Tereza në 5 vjetorin e shenjtërimit të saj.
5 shtatori, dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, është shpallur festë zyrtare në Shqipëri.