Një gjykatëse ka mbrojtur disa klinika aborti në Teksas nga paditë gjyqësore nga grupi më i madh kundër abortit në këtë shtet që synonte të shfrytëzonte një ligj të ri të sapo hyrë në fuqi.
Kufizimi i përkohëshëm i miratuar nga Gjykatësja e Distriktit që përfshin kryeqytetin Austin, Maya Guerra Gamble, u vu në përgjigje të kërkesës së rrjetit të klinikave “Planned Parenthood” dhe nuk pengon zbatimin e ligjit.
Por vendimi i gjykatëses mbron klinikat e rrjetit “Planned Parenthood” nga padi të ngritura nga organizata anti-abortit “Texas Right to Life” dhe njerëz që veprojnë në bashkëpunim me këtë organizatë. Një seancë dëgjimore me argumente mbi kërkesën e rrjetit të klinikave për mbrojtje nga paditë është planifikuar për datën 13 shtator.
Në Teksas hyri në fuqi ditët e fundit një ligj që ndalon abortet pas javës së gjashtë të shtatzanisë, kur fillon të dëgjohet e rrahura e zemrës së fetusit. Ky është ndoshta ligji më kufizues ndaj të drejtës për abort në Shtetet e Bashkuara.
Ligji u jep qytetarëve të thjeshtë të drejtën të ngrenë padi kundër klinikave të abortit apo kujdo që ndihmon gratë të kryejnë aborte pas javës së gjashtë të shtatzanisë dhe mundësinë të fitojnë 10,000 dollarë nga vendimi gjyqësor.