Një amerikane e bllokuar në Afganistan tregon për Zërin e Amerikës ankthin dhe traumën 

Your browser doesn’t support HTML5

25 vjeçarja nga Kalifornia, Nasria, shkoi në kryeqytetin afgan në qershor për të vizituar familjen dhe për t'u martuar me të dashurin e saj.

Ajo dhe bashkëshorti i saj shkuan në aeroport pasi talebanët morën kontrollin, por pa fat.

“Ishte shumë e vështirë të gjeje një vend në aeroplan. Për disa ditë fjetëm përjashta. Njerëzit shkelnin mbi njëri-tjetrin. Ishte shumë keq", tregon ajo për Zërin e Amerikës.

Pasi fluturimi i saj i rezervuar për në Amerikë u anulua mes kaosit, ajo iu drejtua Departamentit të Shtetit për ndihmë.

“Na thanë që të shkonim në një vend të caktuar dhe dikush do të na merrte me makinë. Vendi ishte në mes të rrugës përtej aeroportit. Pritëm 12 deri 13 orë më shumë pa ngrënë dhe pa pirë, pa asgjë", thotë ajo.

Ajo u tregoi pasaprotën talebanëve, por ata vazhduan të bllokojnë çiftin ditën dhe natën.

“Më drejtuan tytën e armës. Ushtarët amerikanë na prisnin tek porta që ne të kalonim. Por talebanët nuk na linin. Në një moment vrapova përtej tyre, por ata qëlluan me armë para këmbëve të mia, duke më urdhëtuar të kthehesha ose do më vrisnin. Kurrë në jetën time nuk kam përjetuar diçka të tillë. Ishte si skenë filmi", tregon Nasria.

Ajo thotë se burri i saj, një shtetas afgan, madje iu lut talebanëve që ta linin bashkëshorten të futej në aeroport pa të, por ajo refuzoi që ta linte burrin pas.

“Kurrë nuk do të largohesha pa bashkëshortin tim, sepse ma thotë zemra se kurrë nuk do të kthesha në Afgansitan pasi të ikja në shtëpinë time. Po pres një fëmijë i cili ka nevojë për babanë. Më duhet bashkëshorti përkrah meje”, thotë për Zërin e Amerikës amerikania e bllokuar në Afganistan.

Tani që ushtria amerikane është larguar, thotë Nasria, talebanët janë duke kërkur për amerikanët.

“Ata po shkojnë derë më derë për të gjetur se kush ka pasaportë blu", thotë Nasria.

Departamenti i Shtetit i ka thënë që të presë gati pasi do të gjejnë një mënyrë për ta evakuuar. Në një bisedë me Zërin e Amerikës ajo thotë se po dekurajohet çdo ditë e më shumë.

“Nuk mendoj se do të jem në gjendje të kthehem në shtëpi dhe përfundimisht kam humbur të gjitha shpresat. Kur nuk arrita të kaloj megjithëse isha vetëm 15 hapa larg aeroportit dhe më thanë se dikush do dilte dhe do më merrte, çfarë shprese mundtë kem tani?”, thotë për Zërin e Amerikës amerikania e bllokuar në Afganistan.