Reagime të forta në Teksas mbi ligjin e ri kundër abortit

Në Teksas, aktivistët kundër abortit po festojnë ndërsa përhrahësit e të drejtës për abort janë hedhur në protesta kundër një ligji të ri. Ligji, i cili sapo ka hyrë në zbatim, përmban disa nga kufizimet më të rrepta ndaj të drejtës së gruas për të vendosur mbi vazhdimin apo ndërprerjen e shtatzanisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Reagime të forta në Teksas mbi ligjin e ri kundër abortit

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deana Mitchell njofton se në qytete të ndryshme në Teksas u zhvilluan këtë javë protesta kundër ligjit që ndalon abortet pas javës së gjashtë të shtatzanisë, kur fillon të dëgjohet e rrahura e zemrës së fetusit. Ky është ndoshta ligji më kufizues ndaj të drejtës për abort në Shtetet e Bashkuara:

“Ligji që sapo hyri në fuqi në Teksas do të ndalojë rreth 90% të aborteve që kryhen në këtë shtet. Kjo situatë do të krijohet të paktën për të ardhmen e parashikueshme, edhe nëse ligji sfidohet me sukses në gjykatë më pas,” thotë ekspertja juridike Mary Ziegler.

Zakonisht gratë nuk e dinë që janë shtatzëna deri pas gjashtë javësh shtatzani. Që në vitin 1973, gratë amerikane kanë pasur të drejtën e abortit deri në të paktën javën e 22-të të shtatzanisë, kur fetusi mund të jetë në gjendje të jetojë jashtë mitrës së nënës. Zbatimi i ligjit të Teksasit mbështetet tek aktivizmi i qytetarëve të thjeshtë.

“Të vetmit persona që e vënë në jetë këtë ligj janë qytetarët e thjeshtë duke hedhur në gjyq klinikat apo mjekët që bëjnë aborte, apo ata që ndihmojnë gratë për të bërë aborte, pra të afërm ose organizata joqeveritare,” thotë zonja Ziegler.

Joe Pojman punon me Aleancën e Teksasit Pro Jetës që lufton kundër abortit.

“Në muajt e ardhshëm do të lindin fëmijë që pa këtë ligj do të kishin humbur jetën nga aborti”.

Ai thotë se duke u dhënë qytetarëve të thjeshtë të drejtën të ngrenë padi kundër klinikave të abortit dhe mundësinë të fitojnë 10,000 dollarë nga vendimi gjyqësor, ligji vepron të paktën si parandalues.

“Nuk jemi të interesuar të nxisim procese gjyqësore, thjesht duam të mbrojmë foshnjet,” thotë zoti Pojman.

Ai vëren se është shtuar financimi shtetëror për klinika, ku gratë shtatzëna mund të marrin mjekim dhe ndihmë për të vazhduar shtatzaninë.

Mark Fair, shef ekzekutiv i një klinike për gratë shtatzëna, parashikon se do të shtohet numri i pacienteve që përdorin shërbimet e tyre si rrjedhojë e ligjit të ri.

“Aktualisht ende kemi rrobat e verës, por brenda pak muajsh, kur të freskohet koha në Teksas, do të nxjerrim rrobat e dimrit”.

Aktivistet për të drejtën e abortit thonë se gratë, sidomos ato që nuk kanë mundësi financiare për të shkuar në shtete të tjera për të kryer abort, do të dëmtohen nga ky ligj.

Paxton Smith tërhoqi vëmendje në pranverë kur gjatë fjalimit të diplomimit në një shkollë të mesme në Dallas iu drejtua të rinjve të tjerë me thirrjen që të luftojnë për të penguar futjen në zbatim të ligjit.

“Fakti që më është hequr mua e drejta për të marrë një vendim të tillë kaq madhor për jetën time është një akt që e ul dhe e nënvlerëson tmerrësisht gruan,” tha ajo.

Megjithëse Gjykata e Lartë votoi me pesë vota pro dhe katër kundër për të lejuar hyrjen e ligjit në fuqi për momentin, në tetor do të marrë në shqyrtim një tjetër ligj të ngjashëm për abortin në Misisipi.