Talebanët kërkojnë të sigurojnë legjitimitet ndërkombëtar

Talebanët ruajnë aeroportin ndërkombëtar në Kabul pas largimit të forcave amerikane

Talebanët përshëndetën të martën largimin e forcave ndërkombëtare nga Afganistani dhe kthimin e tyre në pushtet si një "mësim i madh për pushtuesit e tjerë", duke i kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës të njohin sundimin taleban.

Zëdhënësi kryesor i talebanëve Zabihullah Mujahid i bëri këto komente, disa orë pasi avioni i fundit ushtarak amerikan u largua nga aeroporti ndërkombëtar në kryeqytetin Kabul.

Mujahid, ndërsa fliste me gazetarët në pistën e aeroportit, uroi afganët dhe e shpalli largimin e ushtrisë së huaj një fitore "që na përket të gjithëve ne".

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë pushtuan vendin e shkatërruar nga lufta në Azinë Jugore gati 20 vjet më parë dhe i hoqën talebanët nga pushteti për shkak se lejuan rrjetin terrorist al-Kaida të organizonte sulmet e 11 shtatorit 2001 në Amerikë.

Talebanët kanë premtuar në mënyrë të përsëritur një sistem qeverisjeje më tolerant dhe të gjerë në krahasim me qëndrimin e tyre të parë në pushtet nga 1996 në 2001, kur grupi fondamentalist imponoi një sistem brutal drejtësie, u ndaloi grave afgane të punojnë jashtë shtëpisë dhe vajzave të arsimohen.

Muxhahid u përpoq t'i qetësonte këto shqetësime, ndërsa fliste me një njësi të forcës elitare Badri të talebanëve në pistën e aeroportit të martën dhe i kritikoi ata për sjellje të ashpër me afganët.

"Trajtojeni popullsinë afgane me mirësi", u tha ai atyre. "Publiku e meriton këtë". Ai gjithashtu u kujtoi atyre se ata ishin "shërbëtorët" e popullit dhe nuk duhej të ishin të ashpër me bashkatdhetarët e tyre.

“Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe botën. Ne mirëpresim marrëdhëniet e mira diplomatike me të gjithë", këmbënguli Mujahid, duke thënë se Afganistanit i duhet ndihmë ndërkombëtare për të kapërcyer shumë kriza pas katër dekadash lufte.

Më vonë, duke folur në një seminar në Kabul të organizuar në lidhje me tërheqjen e trupave të huaja, Mujahid i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të njohë sundimin e talebanëve dhe t'i ndihmojë ata të menaxhojë krizat e shumta me të cilat përballet vendi.

Zyrtarët talebanë gjithashtu thanë se konsultimet mbi formimin e një "qeverie gjithëpërfshirëse islame" në Kabul kanë përfunduar dhe thanë se do të bëhet një njoftim së shpejti.

Palët e përfshira ndërkombëtare mbeten skeptike nëse lëvizja islamike do të mbante premtimet e saj dhe do të shmangte që Afganistani të izolohej përsëri diplomatikisht.

“Talebanët tani përballen me një sprovë. A mund ta udhëheqin ata vendin e tyre drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të begatë ku të gjithë qytetarët e tyre, burra dhe gra, të kenë shansin për të arritur potencialin e tyre? A mundet Afganistani të paraqesë bukurinë dhe fuqinë e kulturave, historive dhe traditave të tij të ndryshme në botë?”, tha në Twitter të martën Zalmay Khalilzad, i dërguari i posaçëm amerikan për paqen.

Ai vuri në dukje se tërheqja ushtarake e huaj kishte ofruar "një moment vendimmarrjeje dhe mundësish" për të gjithë afganët.

“E ardhmja e vendit të tyre është në duart e tyre. Ata do të zgjedhin rrugën e tyre në sovranitet të plotë", shkruajti Khalilzad. "Ky është shansi për t'i dhënë fund edhe luftës së tyre".

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha të martën se përgjigja ndërkombëtare ndaj kërkesës së talebanëve për legjitimitet do të varet nga natyra e qeverisë që ata prezantojnë në Afganistan. Ai foli në Pakistanin fqinj.

“Së shpejti talebanët do të paraqesin një qeveri të re. Mbetet për t'u parë nëse kjo qeveri është një qeveri gjithëpërfshirëse siç e kemi kërkuar. Është e rëndësishme për ne që afganët që nuk mbështesin talebanët të ndihen të përfaqësuar nga kjo qeveri", theksoi Maas kur u pyet nëse Gjermania ishte gati t'i jepte legjitimitet Kabulit të kontrolluar nga talebanët.

Maas tha se "mësimi i rëndësishëm që nxjerr nga dështimi në Afganistan" është se ndërhyrjet ushtarake janë të përshtatshme vetëm për të luftuar sulmet terroriste, luftërat, shkeljet e të drejtave të njeriut, por jo për të eksportuar ndonjë formë të sistemit të qeverisjes politike në një vend tjetër.

“Në Perëndim, në bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi, ne duhet të pyesim veten nëse ndërhyrjet ushtarake janë të përshtatshme për të eksportuar një formë qeverisjeje të cilën ne e preferojmë. Kjo nuk pati sukses në Afganistan", tha shefi i diplomacisë gjermane.

"Kjo është arsyeja pse ne duhet të nxjerrim mësimet e nevojshme që ... ndërhyrjet ushtarake nuk janë të përshtatshme për të eksportuar një formë të veçantë të qeverisjes. Ne duhet të mendojmë për qëllimet dhe kohëzgjatjen e ndërhyrjeve ushtarake”.

Talebanët kanë premtuar se do të hapin aeroportin për fluturime komerciale sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, një pjesë e infrastrukturës së aeroportit u dëmtua gjatë ditëve të para të marrjes së Kabulit nga talebanët, kur mijëra afganë, në panik nga ardhja e grupit militant, u grumbulluan përreth aeroportit dhe shumë arritën të hynin brenda dhe në pistë.

Disa afganë vdiqën kur u përpoqën të vareshin në pjesën e jashtme të një aeroplani ushtarak amerikan mallrash C-17.

Forcat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani pak para skadimit të afatit të 31 gushtit të caktuar nga Presidenti amerikan Joe Biden.

Lexoni edhe këtë Merr fund lufta në Afganistan, më e gjata në historinë e Amerikës

Kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, gjenerali Kenneth "Frank" McKenzie tha të hënën se avioni i fundit amerikan u largua nga Kabuli pak para mesnatës, sipas kohës lokale, një minutë përpara skadimit të afatit të tërheqjes.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të koalicionit ndihmuan në evakuimin e më shumë se 123,000 civilëve nga Afganistani, edhe pse shumë të tjerë u lanë pas.

"Talebanët janë angazhuar për një tranzicion të sigurt dhe bota do t’i mbajë përgjegjës për angazhimet e tyre", tha gjenerali McKenzie.