CDC: Mësuesja pa maskë, shembull i rrezikut nga koronavirusi

Koronavirus, SHBA

Një mësuese amerikane që u lexonte nxënësve në klasë pa mbajtur maskë, është bërë simbol i rrezikut nga koronavirusi në mjedise shkollore, ndërsa në mbarë vendin fillojnë përgatitjet për vitin e ri shkollor.

Në maj të këtij viti, një mësuese e pavaksinuar në një shkollë fillore në komunën Marin në Kaliforni, u lexonte me zë të lartë nxënësve, pasi kishte hequr maskën, megjithëse në atë komunë maskat ishin të detyrueshme në mjedise të mbyllura.

Mësuesja filloi të shfaqte simptoma të sëmundjes më 19 maj, sipas një raporti të Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, CDC. Ajo vazhdoi të punonte, pa bërë test. Dy ditë më pas ajo rezultoi pozitive për variantin Delta.

Sipas raportit të CDC-së, 26 raste infektimesh rezultuan për shkak të mësueses, ndër ta 12 fëmijë në klasën e saj. 80% e nxënësve në dy rreshtat e para në klasë rezultuan të infektuar.

Ndërkaq, Zyra Kombëtare e Statistikave në Britani, thotë se infektimet me koronavirus janë 26 herë më të larta këtë vit se sa në të njëjtën kohë vjet. Zyrtarët kanë paralajmëruar se rihapja e menjëhershme e shkollave dhe universiteteve mund të sjellë një kolaps të infrastrukturës shëndetësore.

Në Gjermani autoritetet po analizojnë masa të reja kufizuese kundër personave të pavaksinuar. Ministria e mirëqënies sociale në landin Baden-Wuerttemberg ka propozuar që personat e pavaksinuar në moshë madhore të mos lejohen në restorante dhe koncerte.