Gjatë kësaj fundjave shkoi në 275 numri i shtetasve afganë, që po strehohen në Shqipëri, pas largimit nga Kabuli.
Gjatë natës mbërritën në aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dy avionë me 154 qytetarë afganë, shumica, veprimtarë të shoqërisë civile, përkthyes, gazetarë, stduentë edhe fëmijë të mitur.
Your browser doesn’t support HTML5
Shqipëria po kujdeset nga kjo fundjavë për 275 shtetas afganë të shpërngulur nga aeroporti i Kabulit.
Pjesa më e madhe e tyre, 154 qytetarë shtetas afganë, mbërritën gjatë natës së kaluar në Aeroportin Nënë Tereza të kryeqytetit me dy fluturime: njëri me 95 persona nga Kabuli rreth orës 11 dhe tjetri me 59 persona nga Doha në ora 1 pas mesnate.
Të ardhurit e mbrëmshëm u strehuan në fjetinat e Qytetit Studenti. Ata janë shumica veprimtarë të shoqërisë civile, pjesë e fondacioneve humanitare kulturore, që kanë punuar këto vite në Afganistan, mësues, përkthyes dhe gazetarë, familjarë të gjithë moshave si dhe jo pak fëmijë, mes tyre deri edhe 3 muajsh dhe 1 vjeçarë.
Ata tani po marrin gjithë shërbimet e nevojshme në mjediset e Qytetit Studenti, që nga dokumentat për strehim dhe mbrojtje të përkohshme, deri tek mjekimet dhe ushqimet, e mbi të gjitha qetësinë dhe sigurinë, që humbën në Kabul.
Ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka, po koordinon përpjekjet e Shqipërisë në ndihmën për afganët e shpërngulur.
Ajo shpjegoi se afganët do të qëndrojnë pak ditë në Qytetin Studenti, ndërkohë që viti akademik nuk ka nisur ende, deri sa të lirohen nga piku i sezonit turistik hotele të tjera në zona të ndryshme të vendit.
Së bashku me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në pritjen e avionëve me qytetarë afganë ka marrë pjesë vazhdimisht edhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e cila krahas mbështetjes për këto operacione, ka vlerësuar maksimalisht përkushtimin e popullit shqiptar si mik dhe aleat në mikpritjen e këtyre njerëzve të larguar nga rreziqet e trazirave të përgjakshme në Kabul.
Grupi i parë me 121 shtetas afganë, që mbërriti në aeroportin e Rinasit duke u gdhirë e premtja, janë strehuar në dy nga hotelet më të sigurta dhe më të mira në zonën turistike bregdetare midis Durrësit dhe Kavajës.
Edhe ata janë shumica veprimtarë të shoqërisë civile, mes tyre janë një pjesë fëmijë si dhe 11 foshnja.
Kryeministri Edi Rama i vizitoi qytetarët afganë, duke i garantuar për kushte normale jetese dhe sigurie, si dhe u shpërndau lodra fëmijëve.
Këta shtetas afganë po strehohen përkohësisht në Shqipëri si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna e talebanëve në Afganistan.
Autoritetet shqiptare pohuan në fillim se mund të merrnin disa qindra persona, por më pas shprehën gadishmërinë për deri në 4 mijë afganë të shpërngulur.
Shqipëria ishte ndër të parat shtete që shprehu gadishmërinë që t’u bashkohej menjëherë përpjekjeve për të ndihmuar dhe strehuar përkohësisht shtetas afganë, të cilëve u rrezikohej jeta nga dhuna e talebanëve në atdheun e tyre.