Dy avionë të tjerë të evakuuarish afganë zbarkojnë në Shqipëri

Një grup i dytë prej 95 qytetarësh afganë sapo mbërritën në Shqipëri para mesnatës të të shtunës me një fluturim të drejtpërdrejtë nga aeroporti i Kabulit. Midis tyre janë edhe dy foshnje.

Ashtu si edhe grupi i parë mbrëmë me 121 persona, edhe ky grup i dytë përbëhet nga veprimtarë të shoqërisë civile, pjesë e fondacioneve humanitare, që kanë punuar këto vite në Afganistan.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri: Mbërrin grupi i dytë me 95 qytetarë afganë nga Kabuli

Edhe ky grup i dytë u prit në aeroport nga ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.

Ky është fluturimi i dytë drejt Shqipërisë, që sjell shtetas afganë për t’u strehuar përkohësisht si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna e talebanëve në Afganistan.

Lexoni edhe këtë Shqipëria strehon grupin e parë të qytetarëve afganë të ikur nga Kabuli

Sipas ministres së jashtme, Olta Xhaçka, e cila po koordinon përpjekjet e Shqipërisë në ndihmën për afganët e shpërngulur, “derisa të lirohen strukturat hoteliere nga piku i sezonit turistik, grupet e tjera të afganëve, që do të vijnë në vazhdim, do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti”.

Your browser doesn’t support HTML5

Tiranë, raportim nga Qyteti Studenti; vendi ku po strehohen shtetasit afganë

Pak kohë pas avionit të dytë mbërriti edhe një grup i tretë me 60 qytetarë afganë me një avion, që erdhi nga Doha.

Ata i priti në aeroport kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.

Grupi i parë i qytetarëve afganë nga Kabuli mbërriti në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Janë 121 persona, kryesisht aktivistë të shoqërisë civile, mes tyre një pjesë fëmijë si dhe 11 foshnja.

Ata tashmë janë strehuar përkohësisht në hotele të sigurtë pranë Durrësit.

Kryeministri Edi Rama i vizitoi qytetarët afganë, duke i garantuar për kushte normale jetese dhe sigurie, si dhe u shpërndau lodra fëmijëve.

Shqipëria u angazhua ndër të parat vende se do t’i bashkohej menjeherë përpjekjeve për të ndihmuar dhe strehuar përkohësisht shtetas afganë, të cilëve u rrezikohej jeta nga dhuna e talebanëve në atdheun e tyre.

Autoritetet pohuan në fillim se mund të merrnin disa qindra persona, por më pas shprehën gadishmërinë për deri në 4 mijë afganë të shpërngulur.