Në Shqipëri, u strehua sot grupi i parë i shtetasve afganë, që u larguan nga vendi i tyre pas kthimit të talebanëve në pushtet dhe pas shpërthimeve pranë aeroportit të Kabulit.
Ata u vendosën në hotele të sigurta në zonën turistike të Durrësit, menjëherë pasi mbërritën në aeroportin e Rinasit herët në mëngjes.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri Edi Rama vizitoi shtetasit afganë në një nga hotelet mikpritëse, shpërndau dhurata për fëmijët dhe përshëndeti prindërit e tyre, duke shprehur garancitë për siguri dhe jetesë normale në Shqipëri.
Autoritetet shqiptare kanë shprehur gadishmërinë për të strehuar disa mijëra qytetarë afganë të rrezikuar nga trazirat atje dhe po vazhdojnë përgatitjet për të pritur grupe të tjera.
Grupi i parë i shtetasve afganë, që mbërritën në Shqipëri me avion në orët e para të mëngjesit, u strehuan menjëherë në tre nga hotelet më të sigurta dhe më të mira në zonën turistike bregdetare midis Durrësit dhe Kavajës.
Zyrtarët pohuan se janë marrë të gjitha masat për shërbimet shëndetësore, dokumentare, ushqimore dhe transport me siguri të plotë.
Së bashku me ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, ministrja shqiptare për punët e jashtme, Olta Xhaçka, kishte dalë për t’i pritur, duke ndjekur nga afër të gjithë procesin e përgatitjeve.
“Këtu bëhet fjalë edhe për një detyrim moral. Sepse këta afganë, pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave, ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë me ne për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve, por të bënim çfarë mundëshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej ne vendin e tyre” – tha ministrja Xhaçka.
Fluturime të shumta u planifikuan nga Kabuli drejt Tiranës prej më shumë se një jave, por ato u anulluan për shkak të kaosit në kreyqytetin afgan dhe aeroportin e tij.
Ministrja Xhaçka tha se çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë që mbërritën në Shqipëri janë jetë të shpëtuara nga tmerri i luftës dhe i një regjimi që i sheh si armiq për t’u vrarë, për t’u persekutuar.
Shqipëria është një nga shtetet e para që shprehu gadishmërinë për të strehuar qytetarët afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre.
Duke ju përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talebanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra, për të folur më pas për të paktën 4 mijë afganë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, pohoi përmes një postimi në rrjetet sociale se populli shqiptar, siç ka bërë gjithmonë, dhe një herë sot ofroi mikpritje dhe mbrojtje ndaj njerëzve në nevojë” dhe se amerikanët “janë krenarë që i kanë shqiptarët miq dhe aleatë”.
Në një tjetër njoftim, se kishte ulur flamurin në gjysmë shtizë në shenjë vajtimi për amerikanët dhe afganët që humbën jetën në sulmin terrorist pranë aeroportit të Kabulit, ambasada amerikane sërish vlerësoi Shqipërinë për mikpritjen e grupit të parë të qytetarëve afganë sot, që iu shpëtua jeta nga mundësia e pasojave tragjike.
“Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Shtetet e Bashkuara, jemi mirënjohës për bujarinë dhe mikpritjen e pamasë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj. Në kohë të tilla, ne nuk kemi kombësi, fe, ngjyra apo raca. Ne jemi qenie njerëzore, që u shtrijmë dorën në ndihmë qenieve njerëzore si ne. Faleminderit Shqipëri!” - thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën një vendim, sipas të cilit, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”.
Po sipas këtij vendimi ata mund të qëndrojnë deri në 1 vit në Shqipëri, ndonëse afatet dhe numrat e atyre, që pritet të mbërrijnë në Shqipëri ndryshojnë vazhdimisht sipas rrethanave në terren, ndërsa vazhdojnë edhe përgatitjet për pritjen e grupeve të tjera në ditët në vijim.