Administrata e Presidentit Biden tha të mërkurën se evakuimet nga Afganistani vazhdojnë me ritmet e duhura për të nxjerrë të gjithë amerikanët brenda datës 31 gusht kur duhet të përfundojë tërheqja e plotë ushtarake e Shteteve të Bashkuara nga ky vend. Por ligjvënësit amerikanë thonë se mbetet shumë pak kohë për të nxjerrë nga vendi aleatët afganë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson njofton se shumë nga këta afganë kanë ndeshur në vështirësi për të shkuar në aeroport, pasi pengohen nga talebanët.
Your browser doesn’t support HTML5
Këto janë ditët e fundit vendimtare të pranisë amerikane në Afganistan. Mijëra afganë ende mbajnë rradhën jashtë hyrjes së aeroportit të Kabulit në pritje për evakuim, megjithëse po shkurtohet me shpejtësi koha deri në përfundimin e këtyre operacioneve. Shtëpia e Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara janë gati të zgjasin praninë nëse është e nevojshme:
“Presidenti u informua sot në mëngjes mbi skenaret alternative dhe vazhdon të analizojë opsionet nëse vendosim të ndryshojmë planet. Por aktualisht po ecim me ritmet e duhura për të përmbyllur tërheqjen më 31 gusht,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk i kanë njohur talebanët si qeveri zyrtare e Afganistanit, Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se do t’i mbajë talebanët përgjegjës për mirëqënien e afganëve.
“Do të përdor çdo mjet diplomatik, ekonomik, politik, si dhe përkrahjen me ndihma, në bashkëpunim me partnerët, për të bërë ç’është e mundur që të mbrojmë të drejtat bazë të njeriut,” tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Por administrata ndeshet me presion të fortë nga të dyja palët në Kongres. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se shumë demokratë nuk i besojnë deklaratat e presidentit se ka kohë të mjaftueshme për evakuimet:
“Njerëzit po i kërkojnë presidentit ta zgjasë afatin e qëndrimit, por ai duhet të peshojë rreziqet dhe përfitimet dhe të mbështetet tek gjykimi i tij,” tha zonja Nancy Pelosi.
Republikanët thonë se rreziqet që, siç tha Presidenti Biden, u kanosen trupave amerikane, mund të ishin mënanjuar nëse ai do të kishte ndjekur këshillën e tyre për të evakuuar më herët aleatët afganë.
“U premtuam se do t’i nxirrnim nga Afganistani. Si mund t’i zënë besë Amerikës nëse ne shkelim premtimet? Për më tepër, braktisja e partnerëve është kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Si mund t’i bindim aleatët në të ardhmen se mund t’i zënë besë Amerikës?” thotë ligjvënësi republikan Michael McCaul.
Ka njoftime se talebanët nuk po lejojnë afganët me viza speciale emigracioni të shkojnë në aeroportin e Kabulit. Pentagoni thotë se trupat amerikane po e trajtojnë problemin.
“U kemi treguar cilat janë dokumentet e duhura. Në përgjithësi, ata për të cilët i kemi informuar talebanët se duhet të lejohen të kalojnë postblloqet, kanë arritur të kalojnë… në shumicën e rasteve,” tha zëdhënësi i Pentagonit.
Pentagoni nuk ka njoftuar se kur do të fillojë evakuimi i trupave dhe pajisjeve ushtarake amerikane nga aeroporti i Kabulit, duke bërë që disa ligjvënës të paralajmërojnë se evakuimi i civilëve do të përfundojë brenda dy ditësh.
“Brenda gjashtë ditësh, çdo gjë do të ketë përfunduar. Brenda dy ditësh do të duhet të mbyllin portat që të fillojnë pastrimin e pistave dhe evakuimin e ushtrisë. Kjo është e papranueshme,” tha ligjvënësi republikan Michael Waltz.
Sipas shifrave zyrtare 13,400 vetë u evakuuan nga Afganistani me avionë luftarakë amerikanë dhe të forcave aleate gjatë 24 orëve të fundit.