Një fitore për Pakistanin?

FILE - Taliban fighters march in uniforms on the street in Qalat, Zabul Province, Afghanistan, in this still image taken from social media video uploaded August 19, 2021.

Kryeministri i Pakistanit Imran Khan javën e kaluar mbështeti marrjen e pushtetit nga talebanët në Afganistan, duke vlerësuar grupin militant, i cili, sipas vlerësimeve të shërbimeve perëndimore të zbulimit, u mbështet nga shërbimet pakistaneze të zbulimit që në ditët e para të themelimit të tij.

Sipas zyrtarëve perëndimorë të sigurisë, Pakistani të martën mori një shpërblim përmes emërimit nga talebanët të ish-të burgosurit të Guantanamos, Abdul Qayyum Zakir, në postin e ministrit të mbrojtjes së Afganistanit.

Emërimi i tij u njoftua për herë të parë nga rrjeti Al Jazeera.

Një komandant i njohur në fushat e betejës, i cili paraqitej si një rekrutues militant i rangut të ulët ndërsa ishte në paraburgim tek amerikanët, Zakir shihet si një aleat i drejtuesve të rrjetit Hakani, një nën-grupim i talebanëve, i cili ka lidhje të ngushta me grupet e huaja xhihadiste. Njoftohet se ai u rreshtua me udhëheqësit e rrjetit Hakani në kundërshtimin e bisedimeve të paqes mes talebanëve dhe qeverisë afgane të Presidentit Ashraf Ghani, duke preferuar vazhdimin e luftës deri në fitore.

Zakir është i njohur për shërbimin pakistanez të zbulimit, ISI, i cili besohet se ka punuar në lirimin e tij të shpejtë nga paraburgimi pas arrestimit të tij në vitin 2010, së bashku me nëntë udhëheqës të tjerë talebanë, në Kueta, kryeqyteti i provincës së Baluçistanit në Pakistan.

Sipas zyrtarëve perëndimorë të sigurisë, më pas, Zakir, atëherë 38-vjeç, drejtoi operacionet ushtarake talebane në zonën kufitare të Afganistanit me Pakistanin, kryesisht në provincën e Helmandit. Ai ishte në gjendje të kalonte lirshëm kufirin mes dy vendeve, duke udhëhequr zgjerimin e kryengritjes, e cila përfshinte organizimin e sulmeve me eksplozivë në anë të rrugës dhe atyre vetëvrasëse që kishin në shënjestër ushtarët e NATO -s.

Kueta, Pakistan

Pakistani e shpalli provincën e Baluçistanit një zonë të ndaluar për sulmet amerikane me dronë, duke e zemëruar Uashingtonin, dhe zyrtarët e sigurisë perëndimore thonë se ISI i dha Zakirit dhe talebanëve liri veprimi. Një politikan i lartë pakistanez i tha revistës Newsweek në vitin 2011 se: “Ata vijnë dhe shkojnë në grupe të shumta. Gjithçka që talebanët bëjnë po mbikqyret dhe monitorohet nga agjencitë pakistaneze të zbulimit.”

Lojë e dyfishtë

Zyrtarët perëndimorë kanë argumentuar prej kohësh se shërbimi pakistanez i zbulimit ka luajtur një lojë të dyfishtë në luftën kundër terrorizmit. Për këtë u fol shumë kur Shtetet e Bashkuara mësuan se themeluesi i al-Kaidës, Osama bin Laden po fshihej në një shtëpi pranë akademisë kryesore ushtarake të Pakistanit.

Shtëpia e shkatërruar e Osama bin Ladenit në Pakistan

Presidenti Obama tha publikisht pas mbarimit të mandadit të tij se ai përjashtoi përfshirjen ose informimin e Pakistanit në sulmin ndaj shtëpisë ku po fshihej bin Ladeni sepse ishte një "sekret i hapur" që elementë të caktuar brenda ushtrisë pakistaneze, dhe shërbimit të saj të zbulimit, kishin lidhje me xhihadistët, dhe i kanë përdorur ata kundër Indisë dhe në operacione të tjera rajonale.

Në vitin 2018, administrata e Presidentit Trump ndërpreu ndihmën ushtarake për Islamabadin, duke akuzuar Pakistanin se nuk kishte ndërmarrë veprime të mjaftueshme kundër talebanëve. Pakistani mohoi akuzat për strehimin e terroristëve.

Imran Khan

Emërimi i Zakirit në postin e ministrit të mbrojtjes po konsiderohet si një shembull tjetër se si ardhja në pushtet e talebanëve në Afganistan është një fitore gjeopolitike për Pakistanin. Shërbimi pakistanez i zbulimit ka trajnuar themeluesin taleban Mullah Omar gjatë luftës kundër Rusisë në vitet 1980 dhe ai u trajtua në Pakistan për plagët e marra në fushën e betejës.

Ish -ambasadori i Indisë në Kabul, Gautam Mukhopadhaya, e quajti të hënën fitoren e talebanëve një "pushtim pakistanez me fytyrë afgane".

"Pakistani ka luajtur prej kohësh një rol kritik, por konfuz në Afganistan", thotë Muhammad Nadeem Maliki, profesor në Universitetin australian të Melburnit. "Ka qenë një nga aleatët më të fortë të Shteteve të Bashkuara në "luftën e tyre kundër terrorizmit", por gjithashtu ka mbështetur fshehurazi talebanët në luftën e tyre kundër forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për vite me radhë", shtoi ai në një koment për botimin online “The Conversation”.

Ai vuri në dukje se në vitin 2014, gjeneral Hamid Gul, njënga ish-udhëheqësit e shërbimit pakistanez të zbulimit, i tha një kanali televiziv se Pakistani kishte përdorur ndihmën amerikane për të vazhduar financimin e talebanëve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. "Kur të shkruhet historia, do të thuhet se shërbimi pakistanez i zbulimit mposhti Bashkimin Sovjetik në Afganistan me ndihmën e Amerikës. Pastaj do të ketë një fjali tjetër. Shërbimi pakistanez i zbulimit, me ndihmën e Amerikës, mposhti Amerikën", tha Gul me mburrje.

"Fitorja më e madhe e Pakistanit është se India do të humbasë ndikimin e saj në Afganistan", thotë profesor Malik. "Pushtimi i talebanëve gjithashtu lejon Pakistanin të rrisë tregtinë dypalëshe me Afganistanin dhe siguron një rrugë tregtare të pakufizuar në vendet e Azisë qendrore", shton ai.

Rreziqet

Por ai dhe analistë të tjerë, si Bruce Riedel, një ish-ekspert i CIA-s për anti-terrorizmin, i cili tani punon në Institutin Brookings në Uashington, thonë se fitorja e talebanëve mund të jetë problematike për Pakistanin dhe mund të nxisë grupet e brendshme terroriste, përfshirë grupin “Tehrik-e-Taliban”, të njohur ndryshe si talebanët e Pakistanit, një grup xhihadist përgjegjës për vrasjen e mijëra civilëve pakistanezë dhe sulmet ndaj forcave të sigurisë në vend.

Ka patur njoftime se talebanët kanë liruar qindra luftëtarë të grupit “Tehrik-e-Taliban” nga burgjet afgane, përfshirë ish-zëvendës shefin e grupit, Fakir Mohammad.

"Fitorja e talebanëve dhe e shërbimit pakistanez të zbulimit në Afganistan do të ketë pasoja të mëdha për Pakistanin, disa prej të cilave mund të jenë të rrezikshme dhe të dhunshme", thotë Riedel. Ai thekson se është e saktë të supozohet se shërbimi pakistanez i zbulimit ndihmoi talebanët në planifikimin e taktikave ushtarake këtë vit, ashtu siç mbështetën hyrjen e tyre në Kabul në vitin 1996, por se mund të ketë edhe një efekt të kundërt për Pakistanin nga fitorja e talebanëve.

“Talebanët afganë kanë një marrëdhënie të paqartë me homologun e tyre pakistanez. Sigurisht, individë brenda grupit taleban në Afganistan janë në kontakt me kolegët e tyre pakistanezë dhe do t’u ofrojnë atyre një strehë të sigurt në territoret e tyre të reja", tha ai në një koment për institutin Brookings.