“Ne jemi me të vërtetë në rrezik, këtu situata është bërë e tmerrshme; ata po na kërkojnë,” thotë studentja 22-vjeçare afgane, Esin.
Si shumë vajza të tjera studente, veçanërisht ato që punuan si ajo me ambasadat, misionet dhe OJQ -të perëndimore në kryeqytetin afgan, Kabul, ajo po përpiqet me të gjitha format të largohet nga Afganistani.
Disa nga shoqet e saj të shkollës duan të ikin sepse kanë frikë se nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë studimet nën sundimin taleban. Të tjerat parashikojnë se do të jenë në shënjestër të egërsisë së militantëve.
Për Esin, evakuimi ka shumë të ngjarë të jetë çështje jete a vdekjeje. Por ndërsa ajo shpjegon gjendjen e saj, ajo e di se shanset që t’u shpëtojë talebanëve tani po zvogëlohen nga minuta në minutë. Aplikimi që bëri për evakuim nuk ka dhënë rezultat. Ky fakt ndjehet në gjithë bisedën që zhvillon me Zërin e Amerikës, kur shpreh habi për faktin që ajo dhe të tjerët si ajo po lihen në Afganistan.
Esin qëndron aktualisht e fshehur, së bashku me nënën dhe dy motrat. Ajo ka plot arsye për të pasur frikë, jo vetëm si studente por edhe për punën si vullnetare për qeverinë amerikane.
Dy vjet më parë, ajo prishi fejesën me një djalë të ri nga krahina e saj. Fejesa ishte bërë me nxitjen e familjes. I fejuari i kishte thënë të ndërpriste studimet dhe Esin mësoi më pas se ai ishte anëtar i talebanëve.
Që nga ajo kohë, ai ka bërë kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj dhe i ka raportuar tek talebanët. "Ai thotë se jetoj jashtë udhëzimeve të fesë islame, prandaj duhet të vritem dhe se ai do të martohet me një nga motrat e mia sipas një rregulli kulturor, ku ofrohet dora e një vajze për të zgjidhur një mosmarrëveshje familjare. Na është dashur të lëvizim disa herë pasi ai na gjurmonte. Unë dhe motrat jemi në rrezik të vërtetë tani që sundojnë talibanët," tha ajo në një bisedë me telefon.
“A mund të më ndihmoni?” pyet ajo.
Zëdhënësit talibanë thonë se gratë nuk kanë pse të kenë frikë nën sundimin e tyre.
Suhail Shaheen, zëdhënës i talebanëve me bazë në Katar, siguroi transmetuesit perëndimorë këtë javë se gratë "nuk do të humbasin asgjë". E vetmja gjë është se "gratë duhet të vënë hixhab," tha ai. Aktualisht, mësuesit janë kthyer në punë. Ata nuk kanë humbur asgjë. Gazetaret - e kam fjalën për gazetaret femra - kanë rifilluar punën. Nuk humbën asgjë," shtoi ai.
Por gratë e arsimuara afgane nuk e gjykojnë në këtë mënyrë situatën. Ato shpjegojnë se talebanët thonë një gjë, por shumë shpesh bëjnë diçka krejt tjetër. Gratë shprehen të bindura se gjendja e tyre vetëm do të përkeqësohet pasi forcat perëndimore të largohen dhe vendi të mbetet vetëm në duart e talebanëve.
"Do të jemi krejtësisht në shenjestër", thotë për Zërin e Amerikës përmes telefonit një mësuese 23-vjeçare.
Fillojnë kufizimet
Kjo periudhë është si qetësia para stuhisë, thonë gratë që folën me Zërin e Amerikës. Madje, ka filluar të ndjehet furtuna që afron.
Disa gra gazetare janë lejuar të kthehen në transmetim, por të tjerat, të cilat kanë punuar për radio/televizionin shtetëror, tregojnë se u është thënë që të mos paraqiten në punë. Disa nëpunëse civile u udhëzuan javën e kaluar të largoheshin nga ministritë ku punonin. Në provincat e largëta, hixhabi nuk është i mjaftueshëm dhe ka njoftime që gratë janë urdhëruar të veshin burka nga koka te këmbët dhe u është thënë se nuk duhet të dalin nga shtëpia, nëse nuk janë të shoqëruara nga një i afërm mashkull.
Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid u tha gazetarëve këtë javë se disa luftëtarë dhe komandantë, në mënyrë individuale, po e teprojnë, duke shtuar se ata "nuk janë të mësuar dhe nuk dinë si të flasin me gratë". Ai tha se akuzat për ngacmime do të hetoheshin dhe këshilloi që "gratë të qëndrojnë në shtëpi për momentin" derisa "të kemi një sistem të plotë në funksionim".
Studentja 20-vjeçare, Kushaaneh, nuk ka nevojë ta këshillojë njeri të qëndrojë brenda pasi është e tmerruar nga ato që po ndodhin. "Nëna ime ishte mësuese dhe e rrahën keq talebanët në vitet 1990, kur kishin kontrollin," thotë ajo.
Ajo nuk u beson fjalëve të zëdhënësit taleban, Mujahidi, duke shtuar se talebanët "shfaqen me një fytyrë për komunitetin global, për t’i bindur se kanë ndryshuar, por asgjë nuk ka ndryshuar," thotë ajo.
Ajo pat punuar për tre vjet si vullnetare për misionin amerikan në Kabul dhe ishte zëvendës drejtore e një grupi grash aktiviste. Për shkak të pandemisë COVID-19, shumica e aktiviteteve të tyre në muajt e fundit ka qenë online në forume ndërgjegjësimi dhe diskutimesh. Disa aktiviste kanë frikë se gjatë forumeve po monitoroheshin nga talebanët, duke u dhënë mundësi militantëve të identifikojnë aktivistët.
Kushaaneh, së bashku me motrën dhe nënën ndërruan banesë kur Kabuli ra në duart e talebanëve në fillim të këtij muaji, pasi u kërcënuan nga fqinjët, të cilët u thanë se do t'i raportonin tek talebanët. "Ata e dinin që flisja anglisht dhe se promovoja të drejtat e grave dhe më thanë se po u shpërlaja trutë vajzave afgane dhe po përpiqesha t’i nxisja të ndërronin fe," thotë ajo.
Të tria ato kanë qëndruar brenda katër mureve gjatë dhjetë ditëve të fundit, sidomos pasi nuk kanë të afërm meshkuj që t'i shoqërojnë nëse duan të dalin nga shtëpia. Dy nga vëllezërit e saj - ata të dy dikur punonin për Ambasadën Amerikane - emigruan në Amerikë pasi njërin prej tyre e rrahën gati për vdekje militantët.
Tmerrit të saj i shtohet fakti që luftëtarë talebanë janë fare pranë, pasi kontrollojnë dy postblloqe para kompleksit të tyre të banimit. "Para disa ditësh i kërkova një fqinji mashkull të blinte ushqime," por përveç kësaj, ashtu si shumë gra të tjera, thotë ajo, "jemi burgosur në shtëpi, vetëm duke pritur" dhe duke pyetur veten pa pushim përse iu mohua kërkesa për t’u evakuuar.