Autoriteteti i Dosjeve po i nxit qeveritë vendore të bëjnë më shumë për pasqyrimin në muzetë historikëtë krimeve të komunizmit. Në Gjirokastër krahas nevojës për përmirësimin e muzeut që ndodhet në ish burgun e kalasë synohet edhe gërmimi i një zone ku dyshohet se janë varrosur dhjetëra viktima të regjimit komunist. Kërkimi i eshtrave të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist pas tridhjetë vitesh mbetet një sfidë për familjet dhe të afërmit e tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Kalanë e Gjirokastrës tani shihen turistë të shumtë por gjatë viteve të regjimit komunist ndodhej një nga burgjet më të tmerrshme të Shqipërisë. I ashtuquajturi “burgu i shtatë penxhereve” funksionoi nga vitet 1944-1967 dhe sipas të dhënave historikeme dhjetëra kundërshtarë të njohurtë regjimitvujatëb dënimet por edhe humbënjetën në këtë burg për shkak të torturave dhekushteve të këqija. Shumë prej të burgosurve që humbën jetën dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive pas kalasë së Gjirokastrës.
Drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula tha se kishte zhvilluar takime me drejtuesit e Bashkisë së Gjirokastrës për të nxitur përmirësimin e muzeut historik të qytetit, ku historia të tregohet e plotë edhe për viktimat dhe personalietet që iu kundërvunë komunizmit.
“Në muzeun e qytetit ne vizituam qelitë. Me krenari qyteti tregon historitë e heronjve të luftës, por njëkohësisht duhet të tregojë edhe atë periudhë të dhimbshme kur shumë njerëz vuajtën pasojat e komunizmit.”
Edhe nënkryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Jorida Muho tha se bashkëpunimi do të jetë jo vetëm në aspektin e aktiviteti të Autoritetit të Dosjeve, por edhe në një kuadër më të gjerë.
“Ky lloj bashkëpunimi nuk do të ngelet vetëm në aktivitetin e Autoritetit të Dosjeve, por do të jetë një bashkëpunim ndër-institucional dhe do të përfshijë edhe aspektin kulturor”.
Një çështje tjetër e rëndësishme që është diskutuar me Bashkinë e Gjirokastrës tha zonja Sula ishte ajo e varreve të pagjetura.
“Historia për fat të keq ka edhe pjesën e varreve të pagjetura. Ne edhe më parë kemi qenë këtu dhe kemi përcjellë raportime të qytetarëve dhe familjarëve për një vend varrim të supozuar, të menduar, të disa personaliteteve, për të cilin gjeta mirëkuptim maksimal të bashkisë për të bërë të mundur që çdo e dhënë që qytetarët raportojnë të trajtohet me seriozitetin maksimal, që vendet e raportuara të mos tjetërsohen, të ruhen deri sa të sqarohet çdo gjë me ndihmën e institucioneve ligjzbatuese”.
Ndërkohë kërkimi i eshtrave të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist pas tridhjetë vitesh mbetet një sfidë për familjet dhe të afërmit e tyre. Zonja Sula tha se sipas të dhënave të institucioneve të specializuar rreth 6.000 persona janë ekzektuar me vendime gjyqi si të burgosur politikë.
Prej këtyre rreth 2 mijë familjarët kanë mundur t'i gjejnë dy vitet e para të pas-shembjes së regjimit komunist, ndërsa mbeten për t`u gjetur edhe 4 mijë.
Zonja Sula foli për ecurinë e këtij procesi. Sipas saj pritet që autoriteti të nënshkruajë një marrëveshje me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e shtetit për të nxitur këtë proces.
Një ditë më parë Autoriteti i Dosjeve paraqiti në Tepelenë një udhërrëfyes për familjet e personave të zhdukur, ku krahas kuadrit ligjor jepen edhe informacione praktike se si mund të raportohen dhe ndiqet kërkimi i eshtrave të të afërmve të tyre të zhdukur gjatë komunizmit.