SHBA, rekord grash në pozitën e guvernatores

New York Chief Judge Janet DiFiore, left, swears in Kathy Hochul, right, as the first woman to be New York's governor while her husband Bill Hochul holds a bible during a swearing-in ceremony in the Red Room at the state Capitol, early Tuesday, Aug…

Një numër historik grash po udhëheqin aktualisht shtetet amerikane, pas marrjes zyrtarisht sot të detyrës së Guvernatores së Nju Jorkut nga Kathy Hochul. Ky zhvillim shihet si një nxitje drejt barazisë dhe përfaqësimit, që mund të vazhdojë deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për në Kongres, që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit.

Tashmë janë nëntë gra që shërbejnë si guvernatore në SHBA. Kjo barazon një rekord që u vendos në 2004 e shkon në një linjë me atë që u vu re në 2007 dhe 2019, por që gjithësesi mbetet ende shumë pak, parë në këndveshtrimin gjinor.

Pasi mori drejtimin e shtetit të martën, pas dorëheqjes së paraardhësit të saj për shkak të akuzave për ngacmime seksuale, zonja Hochul ndeshet me mjaft sfida për një administratë të re, por ajo ka gjithashtu një mundësi historike: Hochul është gruaja e parë në një nga pozitat më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.

"Nju Jorku në tërësi ka qenë një vend i vështirë për gratë që të ngjiten në nivelet më të larta, për shkak të atyre që e kontrollojnë atë", thotë Debbie Walsh, drejtoreshë e Qendrës për Gratë Amerikane e Politikat, në Universitetin “Rutgers”.

"Dhe për fat të keq edhe në vitin 2021 gratë ende shihen si rishtare", thotë ajo.

Një shekull pasi gratë fituan të drejtën e votës, 19 shtete nuk janë udhëhequr kurrë nga një grua. Mes tyre shtete më popullësi të dendur si Kalifornia, Florida, Pensilvania dhe Ilinois. Edhe nëse do të jenë të sukseshme zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Kaliforni për hequr para mandatit Guvernatorin Gavin Newsom, nuk duket se do të kenë gjasa të çojnë tek zgjedhja e një gruaje në pozitën kryesore të shtetit.

Zonja Hochul shërbente në postin e zëvendës guvernatores së Nju Jorkut deri para dorëheqjes se kolegut të saj demokrat, Andrew Cuomo, i cili u largua nga kjo detyrë pas një dekade në pushtet. Zoti Cuomo përballej me mundësinë e shkarkimit nga organi legjislativ, pas hetimit të zyrës së prokurores së përgjithshme që doli në përfundimin se ai kishte ngacmuar seksualisht 11 gra. Ndër të tjera, zoti Cuomo po përballej gjithashtu me një hetim, po nga organi legjislativ, nëse ai kishte gënjyer publikun vitin e kaluar, në lidhje me numrin e vdekjeve nga COVID-19 në shtëpitë e pleqve.

Zonja Hochul e ka bërë tashmë të ditur synimin për të garuar për një mandat të plotë katërvjeçar gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Viti i ardhshëm mund të jetë një vit kyç për gratë që kandidojnë për guvernatore. Guvernatorja demokrate Kate Brown nga Oregoni do të jetë e vetmja grua në detyrë e cila nuk do ta ketë mundësi të konkurojë për t'u rizgjedhur, për shkak të kufizimeve në mandat. Gjashtë guvernatorë meshkuj gjithashtu do të kenë kufizime në mandat, duke i hapur rrugën drejt postit kandidatëve të rinj nga të dyja partitë.

Në Arizona, ku guvernatori republikan Doug Ducey nuk mund të kandidojë sërish, në garë ka tashmë disa kandidate gra, përfshirë Drejtoreshën e Thesarit të këtij shteti republikanen Kimberly Yee dhe Sekretaren e Shtetit demokraten Katie Hobbs. Arizona mban rekordin për numrin më të madh të grave që kanë shërbyer si guvernatore, katër gjithsej, pasuar nga shteti i Kansasit me tre.

Në Arkansa, një shtet që nuk ka patur kurrë një grua guvernatore, në zgjedhjet paraprake ka një garë të fortë mes republikanëve, Prokurorja e Përgjithshme Leslie Rutledge kandidon kundër Sarah Sanders, ish-sekretares së shtypit të ish-PresidentitTrump dhe vajzës së ish-guvernatorit Mike Huckabee. Guvernatorit republikan në detyrë, Asa Hutchinson, i mbaron mandati.

Në vitin 2018, mbështetësit politikë të grave menduan se ishin të përgatitur për sukses pas një numri rekord kandidatësh për guvernatore. Por kjo nuk u përkthye si e tillë në rezultatin përfundimtar.

Gratë aktualisht mbajnë 18% të pozitave për guvernatore, dukshëm më pak se rekordet e reja të shënuara këtë vit për sa i takon numrit të grave në Kongresin amerikan prej 27%, si dhe vendeve në organet legjislative shtetërore prej 31%. Krahas tyre, këtë vit Nënpresidentja Kamala Harris u bë gruaja e parë në këtë detyrë në historinë e vendit.

Pjesë e sfidës në zgjedhjen e grave si guvernatore është kapërcimi i stereotipeve që i shohin burrat si udhëheqës më të fortë dhe më të vendosur thotë zonja Walsh.

Një sfidë tjetër është thellimi i grupit të grave të gatshme për të hyrë në politikë, thotë Wendy Doyle, presidente dhe shefe ekezekutive e organizatës jofitimprurëse “United WE” me qendër në Mizuri, një organizatë që punon për fuqizimin e grave.

Organizata po koordinon një përpjekje për të kandiduar më shumë gra në pozita të tilla si bordet shtetërore, ato të qarqeve e të qyteteve. Për arritjen e këtij qëllimi po punohet me zyrtarët lokalë në Kaliforni, Kansas, Mizuri, Karolinën e Veriut, Oklahoma, Pensilvani, Teksas dhe Uashington. Synimi është që disa gra të caktuara në këto poste të arrijnë të kandidojnë për pozitën më të lartë zyrtare të shtetit.

"Do të kërkojë kohë", thotë Doyle. "Por ne duhet të shtrojmë rrugën drej qëllimit", shton ajo.