Vendimi i qeverisë për strehimin e përkohshëm të disa qindra afganëve në Shqipëri, nxiti një gjuhë të ashpër fyese, raciste dhe denigruese në rrjete sociale ndaj tyre. Studiues të shkencave të komunikimit dhe të politikave emigratore, thonë se kjo gjuhë ka sfond politik, dhe në të shumtën e rasteve shfaqet si pakënaqësi ndaj qeverisë, edhe pse vendimi u përshëndet edhe nga opozita. Analistët mendojnë se qëndrimi në rrjete sociale nuk përfaqëson mendimin e gjerë në shoqëri. Ata shtojnë se shqiptarët janë një popull me flukse të larta emigratore, që e ka provuar racizmin dhe ksenofobinë. Sipas tyre ata duhet të jetë shembulli i pranimit dhe jo i refuzimit të refugjatëve afganë, të cilët po tentojnë t’i mbijetojnë luftës në vendin e tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Shqipëri ka një valë të gjerë debati kryesisht në rrjetet sociale, pas njoftimit të qeversë për mbërritjen e një kontigjenti afganësh, bashkëpunëtorë të aleatëve, jeta e të cilëve rrezikohet nga talebanët që morën pushtetin në Afganistan pas largimit të trupave ushtarake amerikane. Kryemininstri Edi Rama njoftoi se strehimi i përkohshëm i tyre në Shqipëri ishte një kërkesë e SHBA. Ky vendim u përshëndet edhe nga Kryetari i PD Lulzim Basha, një ndër rastet e rralla kur shumica qeverisëse dhe opozita mbajnë të njëjtin qëndrim. Por pas këtij vendimi në rrjetet sociale po shfaqen gjithnjë e më shumë komente fyese, raciste dhe ksenofobe ndaj afganëve. Zëri Amerikës ju drejtua disa qytetarëve të rastësishëm për një opinion mbi mbërritjen e tyre në Shqipëri dhe ndasitë ishin të dukshme.
Disa prej tyre thanë se Shqipëria nuk ka mundësi t’i mbajë afganët dhe se nuk kishin besim që ata mund të përshtaten, ndërsa disa të tjerë u shprehën se shqiptarët duhet t’i mirkuptojnë vuajtjet e një populli tjetër, pasi kanë emigruar vetë për vite të tëra.
Ekspertë që analizojnë çështje të politikave emigratore i shohin qëndrimet racite në rrjete sociale, ndaj strehimit të disa qindra afganëve në Shqipëri, si shprehje të pakënaqësisë ndaj qeverisë.
“Kam bërë një vëzhgim të detajtuar të disa prej komenteve në rrjetet sociale të mediave më të mëdha në vend. Shumica e tyre që janë kundër mbërritjes së afganëve, përtej mërzisë së parë që e përcjellin me mënyrën se si i diskriminojnë afganët, përmenndin më tej, se kjo është një inisiativë e marrë nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama. Po ta shtrydhësh informacionin, kupton që në komentet e tyre në rrjetet sociale , inati është ndaj qeverisë dhe jo ndaj refugjatëve që do të vijnë nga Afganistani”- thotë për Zërin e Amerikës Edlira Gjoni, pedagoge e komunikimit në UT.
Zv rektori i Universitetit të New York-ut në Tiranë Ilir Kalemaj thotë se rrjetet sociale, i japin zë më të zëshmëve, populistëve, që ekzistojnë në çdo vend. Por ai i sheh me habi komentet denigruese ndaj afganëve duke marrrë në konsideratë se shqiptarët janë një popull emigrator. Sipas Instat 38% e popullsisë sot jeton jashtë vendit.
“Shqiptarët për hir të së vërtetës janë një popull emigrator, me diasporë të fuqishme, që ka kaluar në kurriz të gjitha dukuritë e ksenofobisë. Janë mbi 500 mijë shqiptarë në Greqi dhe po kaq në Itali, të cilët janë ballafaquar me këto dukuri nga të huajt. Kjo gjë duhet ta na bëjë më të vëmendshëm ndaj vuajtjeve të një populli tjetër. Duhet patur parasysh se ata që do të vijnë në Shqipëri janë persona që kanë punuar më trupat shqiptare, janë përkthyes, gazetarë. Kanë jo vetëm një edukim dhe arsimim, por dhe një trajnim nga amerikanët, apo kanë kaluar filtrat e sigurisë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Kalemaj, Zv. Rektor i UY në Tiranë.
Studiuesja Edlira Gjoni nuk beson që në Shqipëri, të ketë aq shumë racizëm sa shfaqet në rrjetet sociale, ndaj afganëve. Ajo sjell në vëmendje nje aspekt ekonomik që lidhet me emigrimin masiv të shqiptarëve në 3 dekadat e fundit.
“Ne kemi gjeneruar emigracion, jetojmë me emigracion, jetojmë me remitancat, kemi 30 që sikur të mos kishim emigrantët tanë në vende të ndryshme të botës, do kishim falimentuar të paktën në nivelin individual. Në këto kushte ne duhet të ishim shembulli i pranimit të atyre që vijnë nga vështirësitë dhe dhe jo refuzimit të ardhjes së tyre”- shprehet Edlira Gjoni, pedagoge e komunikimit në UT.
Armela Xhaho, studiuese pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim thotë se qëndrimet raciste, fyese dhe denigruese ndaj afganëve, që pritet të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri, krijojnë një situatë paradoksale nëse, sic thotë ajo, i referohemi faktit se Shqipëria ende nuk e ka mbyllur vetë ciklin e emigracionit.
“Për vitin 2020 ne kishim rreth 18 kërkesa për azil në vendet europiane për 100 mijë banorë. Pra të dytët në botë pas Sirisë me 35 kërkesa për 100 mijë banorë. Kjo tregon që ne jemi një popull më flukse të larta emigratore, që lëviz. Nga ana tjetër vendet që kanë kaluar këtë periudhën e emgiracionit e kanë mbylllur si cikël emigracionin. Në Shqipëri ende nuk po mbyllet”- tha për Zërin e Amerikës Armela Xhaho, studiuese për politikat emigratore në IDM.
Prof. Dr. Edmond Dragoti, psikolog, thotë për Zërin e Amerikës se grupimi i njerëzve në rrjete sociale mund të kthehet në rrezik, por debatet e ndezura mbi afganët ai nuk i sheh me rrezik për këtë arsye.
“Ne shqiptarët nuk kemi patur rastin historik të jemi racist, për faktin e thjeshtë sepse ne jemi vetë në lëvizje. Kemi qenë në praninë e pushtuesve të huaj, qofshin ata kalimtar ose të qëndrueshëm. Dhe në këto raste ne kemi ndarë vuajtjen me të tjerët. Ne duhet të kemi të qartë një gjë, që qoftë pushtuesit, qoftë emigrantët dhe refugjatët tek ne kanë qenë kalimtarë. Kjo na ka bërë që të mos kemi shumë besim tek qëndrimet racore, dhe të mos i kemi të qëndrueshme ato”- u shpreh për Zërin e Amerikës Pr. Dr. Edmond Dragoti, psikolog.
Studiues dhe analistë thonë se nga sondazhet direkte me njerëz në terren ka një solidaritet me popullin afgan që ka hequr shumë gjatë historisë. Një index global i Gallup, e rendit Shqipërinë sipas tyre ndër vendet me mikpritëse në botë. Gjatë shekullit të fundit ajo ka mirëpritur hebrenjtë, refugjatët kosovarë, dhe së fundi muxhahedinët e afganët të cilët kanë bashkëpunuar me amerikanët në operacionet ushtarake kundër terrorizmit, në lindjen e mesme. Sociologët thonë se nëse dikush është duke ndjekur rrugën tënde të vuajtes, nëse nuk ke mundësi ta ndihmosh të paktën mos e përçmo atë.