Apeli i dëshpëruar i gazetares afgane: Po më humbasin shpresat

Afghan journalists films the vehicle in which director of Afghanistan's Government Information Media Center Dawa Khan Menapal was shot dead in Kabul, Afghanistan, Aug. 6, 2021.

Gazetarët afganë thonë se ata po jetojnë në frikë dhe janë të zemëruar nga procesi i ngadaltë dhe i ndërlikuar i lëvizjes në një vend të ri të sigurt.

"Jam shumë e zhgënjyer", i tha Zërit të Amerikës një gazetare që ka punuar me një media ndërkombëtare. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua. Kam vërtet frikë se jeta ime ndodhet në rrezik."

Gazetarja, e cila kërkoi të mos identifikohej për arsye sigurie, thotë se ajo dhe familja e saj u larguan nga Herati një ditë para se provinca të pushtohej nga talibanët. Para kësaj, ajo thotë se kishte marrë kërcënime nga talibanëtpërmes telefonit dhe personalisht.

Gazetarja u transferua në Kabul. Por edhe Kabuli tashmë ka rënë në duart e talibanëve.

Edhe në Kabul, gazetarja thotë se ka marrë kërcënime dhe se luftëtarët talibanë vizituan zonën ku ajo dhe familja e saj po qëndrojnë. "U tremba kur më thanë se talebanët janë në lagje".

“Ne qëndrojmë në një dhomë si të burgosur. Ne nuk mund të dalim jashtë”, tha gazetarja, e cila ka raportuar për një media ndërkombëtare dhe agjenci lajmesh. "Unë dua që ne të evakuohemi në një vend të sigurt."

Transferimi i pushtetit

Talibanët hynë në Kabul të dielën pasi Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe qeveria u rrëzua.

Në një konferencë shtypi në Kabul të martën, talibanët thanë se gazetarët janë të lirë të punojnë për sa kohë që ata janë objektiv, promovojnë unitetin kombëtar dhe nuk raportojnë kundër ligjit islamik.

Por grupet e të drejtave të medias dhe gazetarët janë të kujdesshëm, duke nxjerrë në pah kërcënimet, sulmet dhe vrasjet e kryera nga talibanët në vitet e fundit.

Në konferencën për shtyp të martën, një gazetar vuri në dukje se zëdhënësi i talibanëve kishte zënë vendin e Dawa Khan Meenapal-it, kreut të qeverisë së mëparshme për marrëdhëniet me median, të cilin talibanët e vranë në Kabul më 6 gusht. Para se të punonte për qeverinë, Meenapal ishte një gazetar i njohur i shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë.

Transmetuesi publik gjerman Deutsche Welle raportoi të enjten se luftëtarët talibanë qëlluan për vdekje një të afërm të një prej gazetarëve të tij në Afganistanin perëndimor. Familjarët e tjerë të gazetarit, i cili aktualisht punon në Gjermani, janë fshehur, tha transmetuesi gjerman.

Talibanët kanë kontrolluar shtëpitë e të paktën katër gazetarëve dhe ka njoftime se luftëtarët rrahën dy gazetarë që mbulonin një protestë kundër talibanëve në qytetin lindor të Jalalabad-it, thuhet në një deklaratë të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me qendër në Nju Jork.

Një gazetar që ka punuar për Deutsche Welle-n dhe media të tjera ndërkombëtare dhe vendore në provincat lindore të Afganistanit nuk mendon se talibanët janë të përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes.

"Nuk do të jetë e mundur të punosh më si gazetar. Situata po përkeqësohet nga dita në ditë dhe unë po humb shpresën”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Në dy dekadat që nga rënia e talibanëve, Afganistani ndërtoi një skenë të gjerë mediatike, me gazetaret femra që morën një rol qendror. Vendi u rendit i 122 -ti në listën e 180 vendeve në të cilën vendi i parë është më i lirë, në indeksin më të fundit të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.

Por një rritje e kërcënimeve dhe vrasjeve të gazetarëve që kur filloi procesi i paqes mes fraksioneve të brendshme afgane në shtator të vitit 2020 tashmë kishte ngritur shqetësime për të ardhmen e gazetarisë. Qindra gazetarë ose lanë profesionin ose u larguan nga vendi muajt e fundit.

Gazetari i Deutsche Welle-s i tha Zërit të Amerikës se ai u transferua me gruan dhe familjen e tij në Kabul për arsye sigurie.

“Ne ishim të balancuar dhe të drejtë në raportimin tonë, por ka disa grupe brenda talibanëve që nuk e njohin gazetarinë profesionale. Ato grupe mund të më krijojnë probleme”, tha gazetari.

Ai shtoi se donte të largohej për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë së tij. "Le të shohim nëse dikush mund të na ndihmojë të lëvizim në një vend të sigurt."

Mediat perëndimore i kanë bërë presion Shteteve të Bashkuara dhe qeverive të tjera për të ndihmuar në evakuimin e qindra gazetarëve që kanë punuar me personelin e tyre vitet e fundit.

Deutsche Welle është ndër mediat perëndimore që u kanë bërë thirrje qeverive të tyre për ndihmë. Kjo agjencia lajmesh tha të martën se po punon me ministrinë e jashtme gjermane për të evakuar punonjësit dhe familjet e tyre të cilët janë "nën kërcënim akut".

"Fakti që ata punuan për një transmetues perëndimor mund të bëjë që ata të jenë objekt i torturës dhe sulmeve vdekjeprurëse", tha transmetuesi në një deklaratë.

Deutsche Welle tha se luftëtarët talibanë kishin kontrolluar shtëpitë në disa lagje, në kërkim të punonjësve të saj.

Journalists light candles and pay tribute to Reuters photographer Danish Siddiqui in New Delhi, India, Saturday, July 17, 2021.

Bashkëkryetarët e Grupit dypartiak të Kongresit Amerikan për Lirinë e Shtypit i kanë bërë thirrje gjithashtu Presidentit Joe Biden që të evakuojë mediat në “rrezik ekstrem për shkak të raportimit të tyre”.

Ata që kanë punuar me mediat amerikane kanë të drejtë të aplikojnë për një program të quajtur Prioriteti 2, ose P-2, të njoftuar nga Departamenti i Shtetit këtë muaj. Programi u jep gazetarëve dhe familjeve të tyre mundësinë e zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara.

Një gazetar afgan që punon në Kabul, i cili nuk pranoi të identifikohej nga frika e hakmarrjes, i tha Zërit të Amerikës se është e vështirë të plotësohen kushtet e aplikimi për këtë program.

"Duhet të vendosesh në një vend të tretë dhe të presësh atje për 12 deri në 14 muaj me shpenzimet e tua. Gazetarët në Afganistan po jetojnë me një rrogë minimale dhe ata nuk mund të përballojnë jetën në një vend të tretë për shumë muaj", tha gazetari.

Ai beson se është në rrezik dhe po shqyrton të gjitha opsionet për t’u larguar nga Afganistani. "Unë nuk kam shkruar diçka kundër tyre (talibanëve), por kam mbrojtur republikën, demokracinë dhe kjo është e mjaftueshme për t'u vënë në shënjestër."

"Ne jemi në rrezik këtu", shtoi gazetari, duke thënë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera duhet të përshpejtojnë procesin e evakuimit.

Koordinatori i programit të Reporterëve pa Kufij në Azi, Steven Butler pranoi se programi P-2 nuk është "një opsion praktik" për shumë gazetarë, por tha se Shtetet e Bashkuara mund të përdorin opsionin e evakuimit "humanitar".

Ky opsion lejon një individ të hyjë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara për arsye urgjente ose humanitare.

"Shpresojmë që një numër gazetarësh mund të përfitojnë nga kjo", i tha Butler Zërit të Amerikës, duke shtuar se deri më tani "shumë pak" gazetarë janë evakuuar.

Organizata Reporterët pa Kufij po merr qindra kërkesa për ndihmë nga gazetarët në Afganistan. "Ne jemi duke punuar në identifikimin e atyre që janë më të rrezikuar dhe e kalojmë informacionin tek qeveria amerikane në mënyrë që ata të shpejtojnë evakuimin e tyre", thotë zoti Butler.

Mediat dhe organizatat joqeveritare po përpiqen gjithashtu të mbështesin gazetarët afganë. Fondacioni i Shoqërisë së Hapur njoftoi një fond urgjence prej 10 milionë dollarësh këtë javë për të ndihmuar në evakuimin e personelit të mediave dhe atyre që kanë punuar për organizatat e shoqërisë civile.