Talibanët thonë se së shpejti do të njoftojnë qeverinë e re

Talebanët thonë se bisedimet për formimin e një qeverie "gjithpërfshirëse islamike" në Afganistan janë pranë përfundimit, ndërsa lëvizja radikale konsolidon kontrollin mbi vendin e shkatërruar nga lufta.

Talebanët tronditën botën gjatë fundjavës kur morën kontrollin e Kabulit, ndërsa pushtuan në pak më shumë se një javë 34 provincat që përbëjnë Afganistanin.

Zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen, tha se udhëheqësit talebanë janë të përfshirë në diskutime “të vrullshme” me grupet e tjera rivale dhe të dërguarin amerikan për paqen, Zalmay Khalilzad, në Doha të Katarit, ku gjendet zyra politike e talebanëve.

“Brenda pak ditësh, natyrisht, do të ketë një transferim të pushtetit”, tha zëdhënësi Shaheen për Zërin e Amerikës gjatë një telefonate nga kryeqyteti i Katarit. “Diskutimet dhe bisedimet janë duke u zhvilluar për të formuar një qeveri gjithpërfshirëse islamike afgane. Së shpejti do të shpallet formimi i qeverisë.”

Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare, në përgjithësi, janë zotuar se nuk do të njohin asnjë qeveri të imponuar me forcë në Kabul, nga frika se sundimi taleban do të zgjasë luftën civile dhe do të kërcënojë të drejtat e njeriut në atë vend.

Të drejtat e grave përbëjnë një shqetësim të veçantë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres u bëri thirrje talebanëve të hënën që të mbrojnë “të drejtat e fituara me vështirësi të grave dhe vajzave afgane”.

Analistët thonë se legjitimiteti ndërkombëtar për çdo qeveri të ardhshme është vendimtar për të siguruar që vendi i shkatërruar nga luftërat të vazhdojë të marrë ndihmat shumë të nevojshme për rindërtimin e Afganistanit.

Zëdhënësi Shaheen tha se talebanët janë të vendosur të organizojnë një sistem qeverisës gjithëpërfshirës për të trajtuar shqetësimet ndërkombëtare, duke përsëritur se talebanët nuk besojnë në një monopol të pushtetit.

“Ne besojmë se monopoli i pushtetit nuk ka funksionuar në të kaluarën. Pra, kjo është arsyeja pse ne duam që të kemi luftëtarë afganë dhe politikanë në qeverinë e ardhshme, në mënyrë që të kemi një paqe të qëndrueshme në vend dhe të hapim një kapitull të ri paqeje, bashkë-ekzistence dhe tolerance, si dhe të rindërtimit të Afganistanit”, tha ai.

Zëdhënësi Shaheen nuk pranoi të deklarojë qartë nëse gratë afgane do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Lidhur me gratë, ne kemi njoftuar tashmë se ato mund të kenë qasje në punë dhe arsim duke respektuar hixhabin. Sot, mund të keni parë në stacionet televizive (afgane) gra të veshura me hixhab dhe duke bërë punën e tyre”, tha ai.

Drejtueset e lajmeve në stacionet kryesore televizive afgane vazhdojnë punën pa ndërprerje, por mbulojnë kokën me një shami ose hixhab.

Zëdhënësi Shaheen tha se talebanët shpallën të martën një “amnisti të përgjithshme” për të gjithë, përfshirë zyrtarët e qeverisë, dhe i nxiti ata të ktheheshin në punë.

Rrugët e Kabulit


Banorët në Kabul thonë se jeta po kthehej në normalitet në qytetin prej më shumë se gjashtë milionë banorësh, ndërsa ata dilnin jashtë shtëpive të tyre.

Një gazetare e kanalit privat “Tolo News” mund të shihej në rrugë duke raportuar rreth situatës, por duke pranuar se shumë pak gra shiheshin nëpër tregjet e qytetit. Ajo tha se gratë kishin frikë nga e panjohura. Një gazetare u pa duke intervistuar një zyrtar taleban.

Megjithatë, ka patur njoftime për incidente diku tjetër në Afganistan ndërsa gratë u ankuan se po ngacmoheshin nga talebanët. Zëdhënësi Shaheen i hodhi poshtë raportet si të pabaza, duke thënë se këto shpifje kryheshin nga njerëz që kërkonin të deskriditonin talebanët.

Në Kabul, u krijua me shpejtësi i ashtuquajturi komision i talibanëve për ankesat. Zyrtarët atje kanë kërkuar nga banorët që të kontaktojnë komisionin me çdo ankesë për ngacmim ose dhunë në mënyrë që ato të mund të adresohen.

Zyrtarët talebanë gjithashtu kanë vizituar zyrat qeveritare dhe spitalet për të siguruar punonjësit dhe gratë që të mos shqetësohen dhe të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre si zakonisht.

Sundimi taleban

Gjatë sundimit taleban nga viti 1996 e deri në vitin 2001, kur u rrëzuan nga pushteti pas ndërhyrjes amerikane, talebanët sunduan Afganistanin përmes një interpretimi të rreptë të Kuranit dhe ligjit të Sheriatit.

Një fshikullim në pjesën e prapme të këmbëve nga kuadrot e “Ministrisë për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e të Këqijave” ishte masë e zakonshme për ata që vonoheshin për vaktin e lutjeve.



Fshikullimet publike, prerja e gjymtyrëve për hajdutët dhe madje edhe ekzekutimet ishin caktuar të zhvilloheshin të premteve – në disa raste në stadiumin kombëtar. Gratë e kishin kryesisht të ndaluar të punonin ose studionin dhe detyroheshin të mbanin në publik veshje që mbulon tërëisht trupin, të quajtur burka.


Pasi pushtuan kryeqytetin Kabul, talebanët po patrullojnë qytetin me autokolona të vogla.

“Ata nuk ngacmojnë njerëzit, por sigurisht që njerëzit janë të frikësuar”, i tha një dyqanxhi në kushte anonimiteti agjencisë franceze të lajmeve, AFP.

Ndërkohë, të martën rifilluan fluturimet e evakuimit në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, pas një dite kaotike kur mijëra njerëz u dyndën në aeroport ndërsa diplomatët dhe civilët u përpoqën të largoheshin nga Afganistani.

Në një zhvillim tjetër, Amir Khan Muttaqi, udhëheqës i lartë taleban dhe anëtar i zyrës politike të grupit me qendër në Doha, mbërriti në kryeqytetin afgan, ku delegacioni i tij zhvilloi takime me ish-presidentin Hamid Karzai dhe zotin Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit Kombëtar Afgan të Pajtimit.

Diskutimet u përqëndruan në çështjet e sigurisë dhe qeverisjes, tha për Zërin e Amerikës një zyrtar taleban në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.

“Jemi në kontakt me udhëheqësit e lëvizjes së respektuar islamike talebanë”, tha zoti Karzai në një deklaratë me video pas takimit me zotin Abdullah. Video ishte e postuar në faqen zyrtare në Facebook të ish-presidentit.

Njoftime nga agjencia e lajmeve AFP u përdorën në këtë material