Shqipëria do të strehojë disa qindra afganë që kanë punuar me strukturat amerikane dhe ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare në vendin e tyre, pas kërkesës së bërë nga Shtetet e Bashkuara. Këtë e pohoi të dielën kryeministri Edi Rama, në një postim të gjatë në Facebook, duke shpjeguar dhe arsyet e këtij vendimi.
Your browser doesn’t support HTML5
“Eshtë e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara. Dhe padiskutim që ne nuk do të themi jo”, theksoi kryeministri Rma, duke kujtuar se vite më parë Shqipëria ka bërë të njejtën gjë dhe me afro 2 mijë muxhahedinë, anëtarë të opozitës iraniane të cilët jetojnë në një zonë pranë Tiranës dhe Durrësit.
Kryeministri Rama, bëri të ditur se që përpara se Shtetet e Bashkuara t’i bënin kërkesë Shqipërisë “ne kemi mikpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit”.
Kryeministri sqaroi se vendimi për t’i ofruar strehim grupit të afganëve, nuk erdhi “thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria! Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje. Ne nuk jemi të pasur, por s'jemi as pa kujtesë, as pa zakone, as pa moral dhe është në nderin tonë t'u gjendemi të tjerëve, siç të tjerë na janë gjendur ne, po sidomos të mos u kthejmë kurrizin hallexhinjve të huaj, siç shpesh na e kthyen ne dikur, kur ishim të huaj hallexhinj”.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se Shqipëria ka “përgjegjësi për të qëndruar pranë partnerit të saj strategjij dhe aleatëve në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan”, duke shtuar se “Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë e saj. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë”, theksoi zoti Basha.
Ndërkohë në një postim në twitter kreu i komisionit për Marrëdhëniet me jashtë në Senatin amerikan, Robert Menendez, ka përshendetur vendimin e qeverisë shqiptare.
"E mirëpres vendimin e qeverisë shqiptare për t'u dhënë një strehë të sigurt e të përkohshme atyre që ikin nga sulmet e talebanëve në Afganistan. Populli i Shqipërisë i tregoi sërish botës se çfarë do të thotë "Besë", gëzoni respektin dhe falenderimet tona", shkruante ai.
Edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit gjatë administratës Clinton, Madeleine Albright ka përshendetur vendimin e atyre vendeve që kanë pranuar të strehojnë shtetas afganë, sikurse Shqipëria e Kosova.
“Ne duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë veçanërisht në rrezik nga talebanët, jam mirënjohëse ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë ofruar strehim për aleatët afganë, gratë dhe drejtuesit e shoqërisë civile".
Zonja Albright shkruante gjithashtu se shpresonte që ky shembull të ndiqej edhe nga të tjera vende.