SHBA, projektligji për të drejtën e votës ngec në Senat

protest against Texas legislators

Republikanët në Senat bllokuan votimin për një projektligj mbi reformimin e të drejtave të votimit në fillim të kësaj vere, pjesë e një beteje më të gjerë që po zhvillohet nëpër shtete të ndryshme, midis demokratëve dhe republikanëve për rishikimin e ligjeve elektorale, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Republikanët po bëjnë thirrje për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, ndërsa demokratët duan të zgjerojnë qasjen për votuesit.

Lufta e ashpër mbi reformën zgjedhore mbërriti në dyert e Kongresit, ku më shumë se pesëdhjetë ligjvënës demokratë të Teksasit u mblodhën pasi u larguan nga shteti i tyre në përpjekje për të parandaluar miratimin e një projektligji republikan, që ata thonë se kufizon ndjeshëm votimin për pakicat.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, projektligji për të drejtën e votës ngec në Senat

Që kur ish-Presidenti Donald Trump këmbënguli pa prova, se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar, shtatëmbëdhjetë shtete kanë miratuar njëzet e tetë ligje me kufizime të reja ndaj votimit. Dhe në korrik, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori një vendim kyç, që u jepte shteteve kompetenca më të gjera për të vendosur kufizime ndaj votimit.

Mbështetësit thonë se legjislacioni i demokratëve që u bllokua në Senat do të eliminonte shumë nga ato kufizime.

"Akti për Njerëzit dhe Akti i Përparimit të të Drejtave të Votimit, të propozuara nga ish ligjvenësi John Lewis, janë në fakt një përpjekje për të modernizuar zgjedhjet dhe për të rritur pjesëmarrjen në votime të grupeve që historikisht kanë qenë të lëna mënjanë dhe të diskriminuara", thotë Rebekah Caruthers nga Qendra për Zgjedhje të Drejta.

Demokratët në Senat deri më tani kanë ndeshur në vështirësi në përpjekjet për t’i miratuar këto ligje edhe pse administrata e zotit Biden është zotuar t’i vazhdojë përpjekjet.

“Kjo ka të bëjë me të drejtën e popullit amerikan për të votuar pa asnjë pengesë. Bëhet fjalë që e drejta e votës të ushtrohet në realitet, pasi askush nuk e vë në dyshim faktin që të gjithë amerikanët kanë të drejtë të votojnë. Kjo ka të bëjë me qasjen aktuale në procesin e votimit”, thotë Nënpresidentja Kamala Harris.

Por me një shumicë të vogël, demokratët nuk kanë asnjë shans për të siguruar dhjetë votat republikane të nevojshme në Senat, për të miratuar projektligjin. Republikanët dëshirojnë që shtetet të mbështesin identifikimin më rigoroz të votuesve dhe të rrisin masat e sigurisë për fletëvotimet.

"Këto masa kanë për synim ruajtjen rendit, rritjen e sigurisë së zgjedhjeve dhe rritjen e besimit tek rezultatet", thotë Prokurori i Përgjithshëm i Arizonës, Mark Brnovic.

Analistët konservatorë argumentojnë se zgjedhjet nuk duhet të rregullohen nga Uashingtoni.

"Shtetet janë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të tyre. Projektligji që demokratët kërkojnë të miratojnë në Kongres do të çonte në një marrje të kontrollit nga qeveria federale të administrimit të zgjedhjeve në të gjithë vendin. Projektligji kërkon të bëjë shumë ndryshime të tjera, që në thelb do të eliminonin protokollet dhe masat themelore të sigurisë të zbatuara nga shtetet në përpjekje për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor”, thotë Hans von Spankovsky nga Fondacioni Heritage.

Por demokratët shpresojnë se opinioni publik do të jetë në anën e tyre, duke argumentuar se përpjekjet e tyre për reformimin e të drejtave të votimit do të ndihmonin në krijimin e llogaridhënies për qeverinë.

"Nëse bëni një anketë me njerëz në të gjithë vendin, republikanë, të pavarur dhe demokratë, ata të gjithë do të thonin se janë kundër manipulimit të kufijve të zonave elektorale. Ata të gjithë dëshirojnë të eliminojnë kontributet financiare të miliarderëve dhe korporatave për të blerë zgjedhjet. Ata dëshirojnë të mbrojnë kutitë e votimit dhe pulsin e republikës sonë”, thotë senatori demokrat Jeff Merkley.

Udhëheqësit e të drejtave civile po bëjnë thirrje që mijëra njerëz të marshojnë në kryeqytetin e vendit më 28 gusht për të vazhduar presionin ndaj ligjvënësve për miratimin e këtyre reformave.