Presidenti Joe Biden u ka ofruar “strehë të sigurtë” për 18 muaj mijëra banorëve të Hong Kongut. Me këtë akt presidencial të enjten, presidenti u jep atyre të drejtën të vazhdojnë të jetojnë në Shtetet e Bashkuara për disa muaj shtesë, për t’i shpëtuar shtypjes që i pret në territorin e Hong Kongut të kontrolluar nga Kina.
Presidenti kritikoi ashpër shtypjen që ka vazhduar të zbatojë prej 14 muajsh Pekini ndaj sistemit demokratik në Hong Kong dhe tha se ishte në interes të politikës së jashtme amerikane të lejoheshin banorët e Hong Kongut të vazhdojnë të jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë, dega e Ministrisë së Jashtme të Kinës në Hong Kong tha se “duke ofruar strehë të sigurtë, Amerika po përpiqet të përgojojë Hong Kongun, të njollosë imazhin e Kinës dhe të ndërmarrë veprime që shkatërrojnë begatinë dhe stabilitetin e këtij qyteti,” siç njofton agjencia e lajmeve Reuters.
Nuk është bërë i ditur numri i saktë i personave që përfitojnë nga kjo mbrojtje, por një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden tha se mbi 330,000 qytetarë të Hong Kongut që janë aktualisht në Shtetet e Bashkuara, ka të ngjarë të vazhdojnë të qëndrojnë këtu falë urdhrit të presidentit. Nga ky urdhër nuk do të përfitojnë ata që kanë kryer vepra të rënda penale.