NEW YORK (AP) - Në përgjigjen e tij ndaj një hetimi të pavarur që zbuloi se ai ka ngacmuar seksualisht 11 gra, guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo përmendi sulmin seksual ndaj një anëtareje të familjes së tij, për të shpjeguar sjelljen e tij ndaj një prej grave qpë e kanë akuzuar atë, Charlotte Bennett. Ky element i deklaratës së tij, u kritikua gjerësisht nga ish viktima të sulmeve seksuale, nga aktivistë që mbrojnë viktimat, madje edhe ekspertë të marrëdhënieve me publikun në raste krizash. Guvernatori u kërkoi ndjesë vetëm dy prej akuzueseve të tij, që u refuzua publikisht nga njëra prej tyre. Andrew Cuomo mohoi prerazi akuzat se ai kishte prekur dikë në mënyrë të papërshtatshme. Themeluesja e lëvizjes #MeToo, Tarana Burke tha se Cuomo "nuk mund të përdorë traumën e dikujt tjetër si mburojën e tij". Mbështetësit e çështjes së grave thonë se zoti Cuomo duhet të marrë përgjegjësi.
Ai tha se veprimet e tij ishin keqkuptuar dhe se fjalët e tij ishin keqinterpretuar. Andrew Cuomo tha se sjella e tij vjen nga kultura italiane, ku njerëzit përqafohen, puthen dhe thonë "Ciao, bella".
Por nga të gjitha përgjigjet e guvernatorit Cuomo pas raportit hetimor se ai ka ngacmuar seksualisht 11 gra, njëra prej tyre, shqetëson shumë gra - veçanërisht të mbijetuarat e sulmeve seksuale dhe mbrojtësit e tyre - përdorimi i sulmit seksual ndaj një anëtareje të familjes së tij, për të shpjeguar sjelljen e tij ndaj një prej akuzueseve.
"Ne nuk prekemi nga përpjekjet e Guvernatorit Cuomo për të përdorur historitë e të mbijetuarve, përfshirë ato që ai ngacmoi, si një mburojë për sjelljet e tij të papërshtatshme dhe abuzimin me pushtetin, ndërsa pretendon se ngacmimi ishte një ‘keqkuptim’ ”, thuhet në një letër të hapur, që do të publikohet të enjten nga Qendra Kombëtare e Ligjit për Gratë dhe disa grupe gjinore dhe të mbijetuara të sulmeve seksuale, që kërkojnë dorëheqjen, ose largimin e guvernatorit demokrat.
Tarana Burke, mbështetëse e çështjes së grave që i dha lëvizjes #MeToo emrin, shkroi në një email për agjencinë The Associated Press se "qëndrimi i abuzuesit, pavarësisht nga historia e tij personale, nuk duhet të jetë në qendër të rasteve të abuzimit".
"Në këto momente, janë historitë e të mbijetuarave ato që duhet të dëgjohen," tha zonja Burke. “Janë 11 gra, historitë e të cilave u vërtetuan, të cilat përjetuan ngacmime nga duart e guvernatorit. Historia e familjes së tij nuk e shfajëson atë dhe ai nuk mundet të përdorë traumat e dikujt tjetër si mburojë".
Pretendimet, që hetuesit thanë se i vërtetuan, shtrihen nga komente të papërshtatshme, e deri tek puthjet e detyruara dhe kërcënimet.
Në një deklaratë të regjistruar të martën, zoti Cuomo mohoi të ketë prekur ndokënd në mënyrë të papërshtatshme, por u kërkoi falje dy prej akuzueseve, përfshirë ish-punonjësen Charlotte Bennett. Ai tha se e kishte pyetur zonjushën Bennett për jetën e saj të dashurisë në një përpjekje, siç u shpreh ai, të keqkuptuar, për ta ndihmuar atë të përballonte traumat nga një sulm seksual i së kaluarës. Ai foli për një anëtare të familjes, në të njëjtën moshë, e cila ishte sulmuar seksualisht në shkollën e mesme.
"Mendova se mund ta ndihmoja të përballonte një periudhë të vështirë," tha guvernatori për zonjushën Bennett.
Emily Martin, nënkryetare për arsimin dhe drejtësinë me organizatën NWLC, tha se guvernatori Cuomo "po aludonte se ai ishte një hero për të mbijetuarat e sulmit seksual, i cili është një veprim veçanërisht shqetësues, duke pasur parasysh gjithçka që vërtetoi ky raport".
"Në disa mënyra më kujton komentet e ‘babait të vajzave’ që dëgjojmë nga kaq shumë burra në pushtet," tha zonja Martin, "që duhet t'u besojmë sepse gjasme ata kujdesen për këto çështje bazuar në marrëdhëniet e tyre personale familjare".
Vetë zonjusha Bennett e quajti faljen e zotit Cuomo "boshe".
“Nëse i vjen keq, të japë dorëheqjen. Kështu funksionon llogaridhënia, "i tha ajo agjencisë AP menjëherë pas deklaratës së tij.
Duke shpjeguar më tej të mërkurën në një program të rrjetit ABC, Bennett tha: "Ai la të kuptohej se të mbijetuarit e traumave dhe sulmeve seksuale, nuk mund të bëjnë dallimin midis këshillimit dhe ngacmimit seksual në vetvete, gjë që nuk është vetëm fyese për mua, por për çdo të mbijetuar që e dëgjon", tha ajo.
Marissa Hoechstetter ishte një nga ato të mbijetuara të ngacmimeve seksuale. Ajo tha se ishte e pikëlluar nga referimi i zotit Cuomo për sulmin e të afërmes së familjes së tij "sepse nuk dua t'i minimizoj këto përvoja". Por shtoi se, "dy gjëra mund të jenë të vërteta. Mund të keni dikë në familje që ka përjetuar sulm seksual, dhe gjithashtu mund të kesh shkaktuar vetë një sulm të tillë".
Deborah Tuerkheimer, profesore e drejtësisë në Universitetin Northwestern, që specializohet në sjelljet e pahijshme seksuale, i sheh komentet e guvernatorit Cuomo si pjesë të një strategjie më të madhe për të diskredituar akuzueset e tij dhe për të shpëtuar karrierën e tij politike.
"Ne shpesh kemi në mendje një sërë paragjykimesh të vjetra për abuzuesit, duke i menduar si "monstra", pa asnjë arsye shpenguese," thotë profesoresha Tuerkheimer. "Sa herë që një i akuzuar duket ndryshe nga kjo ‘monstër imagjinare’, jemi më të prirur të dyshojmë nëse akuzat kundër tij janë të vërteta. Dhe burrat e akuzuar shpesh e përdorin strategjikisht këtë paragjykim kulturor, duke theksuar, si dëshmi të pafajësisë, cilësitë e tyre më të mira - duke përfshirë, ndoshta, ndjeshmërinë për viktimat e sulmit seksual".
Për Indira Henard, drejtoreshë e Qendrës së Krizave të Përdhunimit, çështja kundër deklaratës së guvernatorit Cuomo është e thjeshtë: Nuk mund të mbështesësh të mbijetuarat në një fjali dhe t'i diskreditosh ato në një tjetër.
"Nëse përkrah dhe beson të mbijetuarat, atëherë besoji të mbijetuarat," tha zonja Henard. "Nuk ke pse ta ndyshosh historinë e tyre".
Shumë njerëz gjithashtu vunë në dyshim efektshmërinë e pjesëve të tjera të deklaratës së regjistruar të guvernatorit Cuomo, e cila u shoqërua me shfaqjen e disa fotografive të tij duke përqafuar dhe puthur njerëzit në mjedise të ndryshme.
"Unë i puth njerëzit në ballë," tha ai. “I puth në faqe. I puth në dorë. I përqafoj. Në disa raste them, 'Ciao, bella'", thotë guverantori në videon e regjistruar.
Evan Nierman, drejtor ekzekutiv dhe president i Red Banyan, një firmë e marrëdhënieve me publikun me seli në Florida dhe Uashington, DC, e quajti këtë "një lëvizje të guximshme" nga Cuomo "pohon se përqafon dhe puth shpesh dhe për këtë arsye asnjë nga akuzat nuk mund të jetë e vërtetë". Por..
"Ekziston një ndryshim i madh mes kontaktit të duhur fizik dhe llojeve të akuzave që u ngritën kundër guvernatorit," tha zoti Nierman, "nuk mendoj se shumica e njerëzve do t'i ngatërrojnë këto të dyja".
Deborah Tannen, profesoreshë e gjuhësisë në Universitetin Georgetown që studion komunikimin ndër-kulturor, vuri në dukje referencën e zotit Cuomo për trashëgiminë e tij familjare. Ajo pranoi se italiano-amerikanët priren drejt prekjeve të rastësishme në bisedë, "por jo në pjesët seksuale".
Nga ekspertët e komunikimit të krizës e deri tek të mbijetuarat, shumë bien dakord se e ardhmja politike e zotit Cuomo duket e pashpëtueshme. Që Nju Jorku dhe akuzueset e tij ta lënë pas këtë histori, thonë ata, guvernatori duhet të mbajë përgjegjësi.
"E thënë shkurt, ai duhet të japë dorëheqjen", tha zonja Henard, duke shtuar se nëse nuk e bën këtë, ai duhet të shkarkohet nga detyra. "Nuk ka kthim prapa".