Në Shqipëri, zjarret vazhduan edhe sot për të njëmbëdhjetën ditë në malësitë e Vlorës - në fshatrat Gumenicë, Gjorm, Selenicë e Karaburun.
Forca ushtarake, të ndihmuara nga ajri prej dy helikopterëve po punojnë për të frenuar përparimin e zjarreve nga Gadishulli i Karaburunit dhe fshatrat rreth tij drejt parkut Kombëtar të Llogarasë.
Zjarrfikësit kanë bërë thirrje banorëve për t’u larguar nga zona, ndërsa forca nga toka dhe ajri po përpiqen të shuajnë zjarret.
Zjarret kanë vazhduar me fuqi më të ulët në Gjirokastër, Shkodër dhe Pukë, por autoritetet vlerësojnë se vatrat më të rrezikshme janë zjarret në Vlorë dhe në Karaburun, të cilat po ndihmohen nga era për t’u zhvendosur më tej.
Një banor humbi jetën të martën në mbrëmje dhe një tjetër u plagos nga zjarret e riaktivizuara në Gjirokatstër.
Bashkimi Europian pritet të sjellë 2 helikopterë kundër zjarreve në Shqipëri, si pjesë e ndihmave për situatat e rrezikshme në Ballkan, ku në disa shtete po digjen hapësira të mëdha me pyje dhe kullota.