Gjimnastja amerikane Simone Biles mori medaljen e saj të shtatë olimpike të martën, duke fituar medaljen e bronzit në garën e traut të ekuilibrit pas tërheqjes nga garat e mëparshme.
Tërheqja e saj nga garat në ekip ishte një zhvillim shokues ndërsa pritej që ajo të fitonte deri në pesë medalje ari në këto lojra.
Biles shpjegoi se po përqëndrohej në shëndetin e saj mendor dhe se mendja dhe trupi i saj nuk ishin në sinkron, ndërsa ajo kryente akrobacitë, veçanërisht ato që përfshinin rrotullim në ajër.
Pasi ekipi amerikan fitoi medalje e argjendtë, ajo më pas u tërhoq edhe ngagarat e tjera individuale.
Trau i ekuilibrit ofroi një mundësi për Biles që të konkurronte pa manovrat e shpejta të rrotullimit që janë më të përhapura në garat e tjera. Teknika e saj në këtë garë ishte më e thjeshtë nga ajo që Biles kishte kryer në garat e mëparshme.
Guan Chenchen e Kinës fitoi medaljen e artë të martën, duke mposhtur shoqen e skuadrës së saj Tang Xijing e cila mori medaljen e argjendtë.
Amerikania Sunisa Lee, e cila ka fituar tashmë tre medalje në Lojërat e Tokios, përfundoi e pesta në traun e ekuilibrit.
Nëna e saj i tha Zërit të Amerikës se do të ketë një paradë për nder të saj kur Lee të kthehet në shtëpi në shtetin verior të Minesotës.