Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupionit dhe Krimit të organizuar, SPAK, bëri të ditur sot se ka përfunduar hetimet ndaj dy ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe ish anëtarit të kësaj gjykate Fatos Lulo
Të dy ish gjyqtarët e lartë akuzohen për “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Kodi Penal parashikon për një dënim nga gjobë deri në 3 vjet burgim. Tanimë ata do të duhet të përballen me këtë akuzë në Gjykatë
Hetimet ndaj tyre nisën një vit më parë, ndërsa në Prill të këtij viti, SPAK-u njoftoi se ishte vendosur dhe sekuestrimin e pasurive të tyre. Ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Dedja, i është sekuestruar një apartament “me sipërfaqe 60 m2, e në zonën e Golemit, ndërsa ish gjyqtarit Lulo, një dyqan “me sipërfaqe 172 m2, ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.
Të dy ish gjyqtarët u larguan nga funksionet e tyre si pasojë e procesit të rivlerësimit, dhe shkak kryesor kishte qenë pikërisht pamundësia për të justifikuar pasuritë në zotërim. Kjo është hera e parë që Drejtësia nis të veprojë ndaj ish magjistratëve që u lanë jashtë nga Vettingu.
Nën hetim nga SPAK-u është dhe ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi, të cilit gjithashtu i janë sekuestruar disa pasuri të patundshme. Bëhet fjalë, sipas Prokurorisë së Posaçme, për “50 përqind të pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shëtitore Lungomare, Vlorë; truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi dhe 55 përqind e truallit, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi”.