Një ditë pasi u tërhoq nga finalet e ekipit amerikan për femra, gjimnastja Simone Biles u tërhoq edhe nga gara individuale në Lojrat Olimpike të Tokios.
Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në mëngjes nga Federata amerikane e Gjimnastikës, thuhet se Biles, e konsideruar si gjimnastja më e mirë e të gjitha kohërave, po tërhiqet "pas vlerësimit të mëtejshëm mjekësor" që të përqendrohet tek shëndeti i saj mendor.
Në deklaratë thuhet se Biles do të vazhdojë të vlerësohet çdo ditë "për të përcaktuar nëse do të marrë pjesë apo jo në finalet e garave individuale të javës së ardhshme."
24-vjeçarja Biles u tërhoq nga finalet në ekip të martën pasi nuk arriti të ekzekutojë një manovër në kërcimin e kaluçit.
Pasi u konsultua me trajnerin, ajo u largua nga salla me mjekun e ekipit.
Ajo u kthye disa minuta më vonë me dhe përqafoi gjimnastet e tjera të ekipit Grace McCallum, Sunisa Lee dhe Jordan Chiles.
Ekipi amerikan i gjimnastikës u detyrua t’i përfundojë garat e mbetura pa të, duke pakësuar ndjeshëm shanset për një titull të tretë olimpik.
Biles arriti në Tokio si ylli i padiskutueshëm i Lojrave por pati vështirësi gjatë kualifikimit, të paktën duke u nisur nga standardet e saj të larta.
Me largimin e saj nga gara, ekipi i Komiteti Rus Olimpik mori medaljen e artë në gjimnastikë për femra, Shtetet e Bashkuara medaljen e argjendtë dhe Britania atë të bronxit.
Ajo tha më pas se ishte tërhequr pasi nuk ishte në gjendje të mirë emocionale që të përballonte garën, duke pasur parasysh se sa të larta janë pritshmëritë ndaj saj.
Biles tha se ishte përballur me stresin e të qenit gjimnastja më e mirë në histori dhe se e kishte pasur shumë të vështirë ta përballonte një gjë të tillë.
Ajo shtoi se i duhej të "përqendrohej në shëndetin e saj mendor dhe të mos rrezikonte mirëqenien e saj".
"Ne e mbështesim plotësisht vendimin e Simones dhe e përshëndesim guximin e saj për t’i dhënë përparësi mirëqenies së saj," tha Federata amerikane e Gjimnastikës në një deklaratë. "Guximi i saj tregon edhe një here, se pse ajo është një model për aq shumë veta."
Jade Carey, e cila përfundoi e nënta në garat kualifikuese, do të zërë vendin e Biles.
Katie Ledecky fiton medalje ari në stilin e lirë, 1,500 metra
Në gara të tjera të mërkurën, notarja amerikane Katie Ledecky hyri në historinë e Lojrave, ndërsa rivalja e saj australian Ariarne Titmus fitoi një medalje të dytë të artë në Lojërat Olimpike të Tokios.
Ledecky fitoi në garën e stilit të lirë 1,500 metra për femra, hera e parë që mbahet një garë e tillë në Lojrat Olimpike Verore. Amerikania tjetër Erica Sullivan fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Sarah Kohler nga Gjermania medaljen e bronztë.
SHBA fiton ndaj Iranit në basketboll
Ndërkohë ekipi amerikan olimpik i basketbollit fitoi ndaj atij iranian me rezultatin 120-66.
Traineri amerikan Gregg Popovich vlerësoi frymën pozitive sportive treguar nga lojtarët e tij dhe kundërshtarët e tyre iranianë gjatë lojës të mërkurën, duke thënë se ndeshja tregoi potencialin e sportit për të kapërcyer dallimet.
Të dy palët duartrokitën pas himneve kombëtare të vendeve të tyre dhe shtrënguan duart pas ndeshjes.
I pyetur në lidhje me rëndësinë e lojës, duke pasur parasysh që ekipet herë pas here kanë pasur përballje të tensionuara në Lojra, Popovich tha se lojtarët ishin në gjendje të linin mënjanë politikën e vendeve të tyre.
"Në përgjithësi njerëzit shkojnë shumë më mirë me njëri-tjetrin se qeveritë e tyre," u tha ai gazetarëve.
Loja e së mërkurës të sillte ndër mend një ndeshje futbolli midis dy vendeve në Kampionatin Botëror 1998, kur iranianët u dhanë rivalëve të tyre amerikanë lule si një shenjë respekti. Të dy ekipet gjithashtu bënë një fotografi të përbashkët para se të fillonin lojën, në shenjë solidariteti.
Deri të mërkurën, Shtetet e Bashkuara udhëhiqnin për nga numri i medaljeve me 30 të tilla, pasuar nga Kina me 24 dhe vendi mikpritës, Japonia me 21. Por Japonia udhëheq me medalje të arta, me 12 të tilla, ndërsa Kina është në vend të dytë me 11 dhe Shtetet e Bashkuara në vend të tretë me 10 medalje ari.