Të martën mbrëma arritën në Kosovë 27 nga ata që i mbijetuan aksidentit të së dielës në Slavonski Brod të Kroacisë.
Në Aeroportin e Prishtinës ata arritën me avion nga Osijeku i Kroacisë dhe më pas u përcollën nëpër familjet e tyre, një pjesë e të cilëve kishin dalë për t’i pritur.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se 15 të plagosur vazhdojnë të trajtohen në spitalin e Sllavonski Brodit, ndërsa dy prej tyre - njëri në gjendje të rëndë - janë nën kujdesin intensiv.
Ai tha se katër persona kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani për trajtim të mëtejshem ndërsa një tjetër është dërguar në spitalin e Zagrebit.
Dhjetë veta humbën jetën dhe mbi 40 mbetën të plagosur të dielën, kur autobusi me të cilin udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod të Kroacisë.
Lexoni edhe këtë Aksident i autobusit nga Kosova në Kroaci – dhjetë të vdekur dhe dhjetëra të plagosurAutoritetet kroate thanë se një gjykatës i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh shoferit që drejtonte autobusin e aksidentuar, i cili u arrestua të dielën menjëherë pas aksidentit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila bashkë me kryetarin e parlamentit Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti priti të kthyerit në aeroport, tha se “në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë. Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme: mërgimtarët”.
Autoritetet thanë se të mërkurën pritet që në Kosovë të arrijnë edhe trupat e dhjetë viktimave të aksidentit.