Atletët duhet të mbajnë maska në të gjitha ambjentet e Lojërave Olimpike të Tokios, duke përfshirë ceremonitë e medaljeve, tha Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të dielën, por sipas një politike të re atyre u lejohet shkurtimisht t'i heqin ato në podium për një mundësi fotografie.
Maskat janë të detyrueshme në të gjitha vendet, si brenda ashtu edhe jashtë, për të gjithë atletët, stafin dhe mediat, si pjesë e masave të rrepta të organizatorëve të Lojërave për të luftuar koronavirusin.
Spektatorët ndërkohë janë ndaluar të marrin pjesë në Lojërat Olimpike në Tokio, si masë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, ndërsa numri i rasteve është rritur në Japoni. Por kjo masë nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik ka zhgënjyer banorët dhe atletët.
Your browser doesn’t support HTML5
Delegacioni japonez nisi festimet kur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi se Tokio ishte zgjedhur për të pritur Lojërat Olimpike 2020.
Vende të reja sportive, përfshirë një stadium të ri kombëtar u ndërtuan për të pritur spektatorët.
Zyrtarët japonezë i panë Lojërat Olimpike si një mundësi për të promovuar industrinë e turizmit në rritje të vendit dhe për të shfaqur mikpritjen e stilit japonez.
Por pandemia COVID-19 prishi planet. Lojërat u shtynë me një vit dhe në muajin mars të këtij viti spektatorët ndërkombëtarë u ndaluan. Në fillim të muajit korrik ndërsa infeksionet ditore po rriteshin, zyrtarët ndaluan pothuajse të gjithë spektatorët vendas gjithashtu.
“Unë mendoj se reagimi i popullit japonez tregoi se ata nuk e kanë mirëpritur shtyrjen e Lojërave Olimpike me një vit. Dhe ka pasur një mungesë entuziazmi ”, thotë Nancy Snow, profesore në Universitetin e Kiotos.
Profesorja e diplomacisë publike në Universitetin e Kiotos, Nancy Snow thotë se atletët mund të preken nga vendimi që Lojërat Olimpike të mbahen pa spektatorë.
“Kjo do të ndikojë tek atletët. Ata janë qenie njerëzore. Janë jashtëzakonisht të talentuar, por përsëri janë qenie njerëzore. Ata kanë emocione dhe do ta ndiejnë këtë mungesë”
Edhe pas disa vitesh promovimi për Lojërat Olimpike të Tokios, zona si “Asakusa” dhe tregu “Nakamise-Dori” nuk janë të mbushura me turistë siç ishin para pandemisë.
Vizitorët janë të rrallë dhe shitësit lokalë thonë se po dëmtohen.
“Unë tashmë kam humbur 80% të shitjeve që nga viti i kaluar. Por padyshim, unë prisja të fitoja më shumë nëse Lojërat Olimpike do të ishin hapura”, thotë Mika Soka Haneishi.
Shumë banorë japonezë thonë se e kanë pritur me keqardhje vendimin për të mos lejuar spektatorë gjatë Lojërave Olimpike. Disa të tjerë thonë se kjo masë ishte e nevojshme.
“Për të parandaluar përhapjen e pandemisë, unë mendoj se zgjedhja për të ndaluar spektatorët ishte mënyra e vetme për të hapur Olimpiadën”, thotë një banor në Tokio.
“Është trishtuese që asnjë spektator nuk do të lejohet në Lojërat Olimpike”, thotë një tjetër banore.