Ndërsa në Shtetet e Bashkuara rastet me COVID-19 po shënojnë rritje, disa qytete dhe qarqe amerikane po u kërkojnë banorëve mbajtjen e maskave në mjedise të mbyllura, edhe nëse janë vaksinuar plotësisht, ndërsa administrata Biden vlerëson se përhapja e keqinformimit lidhur me vaksinimin, veçanërisht më rrjete sociale, është një nga nxitësit e mosvaksinimit të njerëzve.
Your browser doesn’t support HTML5
Gjithandej në Shtetet e Bashkuara, rastet me COVID-19 po shënojnë rritje. Zyrtarët thonë se shtimi i rasteve është pasojë e variantit Delta dhe shkallës së ulët të vaksinimeve në disa komunitete, shpesh e nxitur nga keqinformimi.
Në mesi të qershorit, Kalifornia hoqi kufizimet e pandemisë. Tani disa komunitete si Los Anxhelosi rivendosën udhëzimin për mbajtjen emaskave për tubimet në mjedise të mbyllura, edhe për të vaksinuarit.
“Nuk jam e kënaqur që duhet të rikthejmë përdorimin e maskave, por kjo do të shpëtojë jetë. Për mua kjo është më e rëndësishmja”, tha Hilda Solir, kryetare e bordit mbikëqyrës të qarkut të Los Anxhelosit.
Duket se varianti Delta po përhapet edhe në vendet me më shumë të vaksinuar. Në San Francisko, ku 76 për qind e banorëve mbi 12 vjeç janë vakinsuar plotësisht, rastet u katërfishuan javën që përfundoi më 7 korrik, sipas San Francisco Chronicle.
Presidenti Biden dhe zyrtarë tjerë të administratës së tij thonë se pothuajse të gjithë ata që janë shtruar në spital për COVID janë të pavaksinuar.
“Jam i shqetësuar nga ajo që kemi filluar të shohim në shtete si Arkansa, Mizuri, Nevada, Florida dhe Luiziana. Rritjen e infektimeve brenda popullatës së pavaksinuar, do të vazhdojmë ta shohim nëse nuk e marrin situatën nën kontroll duke vaksinuar më shumë njerëz”, tha Dr. Vivek Myrthy, Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Shëndetit Publik.
Administrata Biden po u bën thirrje rrjeteve sociale që të bëjnë më shumë për të penguar përhapjen e keqinformimit lidhur me vaksinat në platformat e tyre. Kompania Facebook njoftoi fshirjen e 18 milionë postimeve keqinformuese për COVID-19 dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë, por shtoi se lufta ndaj pandemisë varet nga e gjithë shoqëria.