Në Tiranë, Partia Demokratike zhvilloi sot Kuvendin Kombëtar, në përpjekje për t’i riorganizuar pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se masakra zgjedhore e 25 prillit është një krim, që pret ndëshkim dhe se opozita nuk do ta njohë kurrë.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai tha se parlamenti i ri, që mblidhet në shtator, është vetëm një pjesë e veprimtarisë së Partisë Demokratike për të denoncuar abuzimin e socialistëve me zgjedhjet dhe me pushtetin.
Partia Demokratike e opozitës zhvilloi sot Kuvendin Kombëtar afro 3 muaj pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme për herë të tretë për parlamentin e ri dhe sapo ka rizgjedhur kryetarin e vet për një mandat të tretë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se më 25 prill socialistët kryen një masakër zgjedhore të parapërgatitur me kujdes për të vjedhur dhe blerë votat në të gjithë vendin.
Masakra zgjedhore e 25 prillit, tha ai, nuk njihet nga Partia Demokratike, sepse ai është një krim që meriton ndëshkim, në një seri elementësh.
“Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk ndodhi në një ditë, por regjimi Rama - Doshi ka punuar ethshëm për të penguar me çdo mjet ndryshimin që shqiptarët kërkonin. Se kanë punuar ethshëm vetëm për interesat e tyre, dhe kundër interesave të njerëzve të thjeshtë të vendit tonë” - tha zoti Basha.
Në Kuvend pati edhe zëra kritikë ndaj mënyrës se PD po e zhvillonte analizën ndaj zgjedhje të 25 prillit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, tha se socialistët vërtet blenë vota, dhe tani vendi është në një situatë dramatike, se nevojiet një analizë më e thelluar për zhvillimet politike, ndërsa vet PD-ja është në pikën më kritike të saj, sepse kundërshtari politik me këto zgjedhje është shndërruar në regjim politik me rrezik të lartë.
“Ky Kuvend është një teatër absurd, sepse u mbyll pa filluar, ndërkohë që mbahen diskutime, votimi ka nisur për ndryshime statutore të zakonshme në një situatë krejt të jashtëzakonshme” - tha zoti Marku.
Ai theksoi se PD rrezikon të bjerë në një gjendje opozitare të përhershme, në mendësinë dhe komoditetin e të punuarit për të qenë në opozitë, pa perspektivën e ardhjes në pushtet, duke humbur njëkohësinë politiike.
Deputeti Marku foli për një rithemelim të PD-së përmes një procesi transformimi të madh.
“Rithemelimi i vetvetes është ideja e Republikës së Re, të cilën zoti Basha e braktisi. Rithemelimi nuk do të thotë shkrirje e partisë, por është kusht për jetëgjatësinë e saj. Një nga arsyet pse PD është e pabesueshme si ofertë ndryshimi, është se vetë e refuzon ndryshimin” - tha zoti Marku.
Ai propozoi një komision rithemelues të PD-së, hartimin e një platforme të re e statuti të ri për një funksionim normal të demokracisë në parti, një drejtim tranzicional të partisë deri në një kongres tjetër si dhe ribërjen e analizës për zgjedhjet e 25 prillit.
Ish-kandidati për kryetar i PD-së, Fatbardh Kadilli, tha në Kuvend se qytetarët duan një parti të pastër, të ndarë nga e kaluara.
“Një opozitë e korruptuar është tradhtare e qytetarëve. Hapja e partisë nuk vjen nga celësat e kryetarit, por vjen nga gatishmëria për të jetuar bashkë edhe kur kemi mendime konkuruese. Qytetarët do të na besojmë nëse jemi të pastër e të bashkuar. T’iu kthejmë qytetarëve institucionet dhe të shpallim hapur se sistemi drejtësisë është aleati më i mirë për ne si opozitë për të luftuar krimin e korrupsionin. Duhet të dëshmojmë se jemi partnerët e parë të perëndimit” – tha zoti Kadilli.
Debatet e brendshme në Partinë Demokratike dhe mungesa e fitoreve në zgjedhje vendore e të përgjithshme kanë nxjerrë në pah tensione dhe rryma përherë e më të zëshme.
Disa zëra kritikë në PD, që kandiduan për kryetar si Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edit Harxhi, kërkuan dorëheqjen e zotit Basha nga drejtimi i Partisë për shkak të humbjes së zgjedhjeve parlamentare më 25 prill, kur socialistët morën një mandat të tretë qeverisës.
Kandidati Fatbardh Kadilli shprehu shqetësim për një garë të pandershme, shpesh e ngjashme, siç tha ai, me shkeljet që PD tha se i bënë socialistët në zgjedhjet e 25 prillit.
Por zoti Basha u rizgjodh kryetar i PD-së me një diferencë të thellë votash përballë 3 konkurrentëve të tjerë, të cilët e akuzuan për garë të pabarabartë në parti dhe për humbjen e zgjedhjeve parlamentare më 25 prill.
Mbetet për të parë hapi i radhës i Partisë Demokratike pas bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve vendore, sjellja e saj me aleatët më të vegjël, dhe sidomos qëndrimi ndaj socialistëve, që mbizotërojnë parlamentin në shtator.
Zoti Basha pati dhe një ftesë për bashkëpunim, një dorë të shtrirë, sic u shpreh ai, edhe për të gjithë ata që gjatë fushatës luftuan më shumë kundër Partisë Demokratike se sa kundër kryeministrit Rama.
Kryetari i opozitës ka edhe një tjetër dorë të shtrirë për bashkëpunim nga ana e Partisë Socialiste, siç thotë kryeministri Rama, në dobi të reformave europiane integruese.
Duke hedhur poshtë akuzat për vjedhje të zgjedhjeve të përgjithshme, drejtuesi i Partisë Socialiste tha se qytetarët i besuan PS-së një mandat të tretë në qeverisje pas mirëqeverisjes së krizës së pandemisë dhe asaj të tërmetit.
Por kreu i rikonfirmuar i opozitës tha në Kuvend se Shqipëria është sërish në udhëkryq, për shkak të vjedhes së zgjedhjeve.
Ai fajësoi qeverinë Rama se gjatë pandemisë Covid nuk ndihmoi njerëzit, por u dha vetëm gjoba dhe propagandë, dhe nga ana tjetër vazhdoi abuzimet me financat publike, po ashtu si bëri edhe pas tërmetit të 2019, duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.
Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në SPAK me mijëra informacione, fakte, dokumente, muaj, javë dhe ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, që provonin sesi regjimi po zbatonte një projekt kriminal të deformimit të vullnetit të qytetarëve përmes vjedhjes më të madhe në historinë e Shqipërisë përmes bashkëpunimit të pushtetit me grupet kriminale.
Ajo renditi nga blerja masive e votave, presioni ndaj votuesve, shkrirja në një e partisë në pushtet me shtetin, keqpërdorimi i aseteve publike nga partia në pushtet, vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve nga partia në pushtet dhe ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve, ndryshimet kushtetuese të njëanshme, jo demokratike dhe të paligjshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve, deri te rritja e paprecedentë e fletëve të votimit të pavlefshme, një shifër tre herë më e lartë se diferenca midis dy partive.
Parlamenti i ri mblidhet në shtator, kur mbetet për t’u parë me saktësi edhe qëndrimi i opozitës ndaj zgjedhjeve dhe institucionit më të lartë ligjvënës, të cilin e braktisi 2 vjet më parë duke djegur mandatet e deputetëve të vet.