IREX, një organizatë jofitimprurëse specializuar për çështje të arsimimin dhe zhvillimin global, ka publikuar një raport të ri të quajtur Barometri i Informimit të Pastër (VIBE) për vitin 2021, i cili përqendrohet tek faktorët që kanë ndikuar sektorin e medias dhe të informacionit në 13 vende, në Evropë dhe Euroazi gjatë periudhë së pandemisë.
Barometri i ndan vendet në 4 kategori në bazë të pikëve të marra nga një panel ekspertësh dhe profesionistësh të fushës. Vendet me pikët më të ulta futen në kategorinë e atyre vendeve me një sistem informimi të dështuar, më pas vijnë ato me një sistem të dobët informimi, në kategorinë e tretë futen vendet me një sistem informimi të qëndrueshëm dhe vendet që kanë marrë më shumë pikë, futen në kategorinë e atyre me një sistem të pastër të informimit.
Si Shqipëria ashtu edhe Kosova futen në kategorinë e vendeve me një sistem informacioni të qëndrueshëm apo disi të pastër.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës Zëvendës Presidenti i organizatës ndërkombëtare IREX Aleksandër Dardeli dha më shumë detaje rreth gjetjeve të këtij raporti dhe se cilat janë problematikat kryesore me të cilat haset mediat në rajon.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas Barometrit të Informacionit të Pastër (VIBE) për vitin 2021, disa faktorë si rënia financiare botërore, mungesa e ndarjes së informacionit nga ana e qeverive dhe dezinformatat në lidhje me pandeminë e COVID-19-s, kanë ndikuar në mënyrë thelbësore sektorin e medias dhe informacionit në 13 vende në Evropë dhe Euroazi.
VIBE bazohet në katër parime mbi të cilin bën vlerësimin e informacionit: Cilësinë e informacionit, kanalet e shumëfishta ku përhapet dhe rrjedh ai, qofshin këto burime zyrtare ose jo, konsumin e informacionit, si dhe atë që shihet si veprimi transformues i tij.
Klasifikimi i vendeve bëhet në katër kategori sipas një sistemi pikësh që varion nga 0 në 40, bazuar në progresin apo regresin e shënuar. Vendet me pikët më të ulta, nga 0 në 10, futen në kategorinë e vendeve ku sistemi i informacionit është jo i pastër apo i dështuar, më pas renditen vendet me një sistem të dobët informacioni, me 11 deri në 20 pikë. Në kategorinë e tretë hyjnë vendet me informacion disi të pastër apo të qëndrueshëm, të cilat vlerësohen me nga 21 deri në 30 pikë, ndërsa vendet që marrin numrin më të madh të pikëve nga 31- 40, futen në kategorinë e vendeve me sistem informacioni të pastër.
Shqipëria
Në Barometrin e Informimit të Pastër Shqipëria rezulton me një total të përgjithshëm prej 22 pikësh dhe futet në mesin e vendeve me informacion disi pastër apo me një sistem të qëndrueshëm informacioni. Në raport thuhet se ndërsa mjedisi mediatik në vend gëzon një infrastrukturë që i plotëson nevojat, kontrolli i fakteve dhe verifikimi i informacionit së bashku me cilësinë e tij, nuk janë në të njëjtin nivel, duke çuar në përhapjen e dezinformacionit, veçanërisht në mediat në internet.
Efektet ekonomike të pandemisë e tkurrën tregun e reklamave edhe më shumë, duke i bërë mediat edhe më të dobëta ndaj presionit ekonomik, gjë që siç thuhet në raport mund ta ndikojë pa pavarësinë e tyre.
Sipas Barometrit ndërsa legjislacioni shqiptar në përgjithësi garanton të drejtën për liri të shprehjes e liri të shtypit, në praktikë gazetarët janë të pambrojtur dhe shpesh i nënshtrohen autocensurës. Megjithë burimet e shumta të informacionit në dispozicion, problemet me cilësinë dhe pavarësinë e tij vazhdojnë, ndërsa përqendrimi në disa duar i tregut mediatik është intensifikuar më tej sipas raportit.
Pavattësisht se ekzistojnë shumë kanale të informimit, në kuptim të qasjes dhe teknologjisë, informacioni i ofruar është rrallë cilësor ose i pavarur. Lajmet profesionale dhe e të pavarura lidhet kryesisht me media të themeluara nga organizata të shoqërisë civile, të cilat nuk janë nën ndikim politik ose ekonomik.
Në raport thuhet se nuk ka një shqyrtim të duhur të fakteve e verifikim të burimeve dhe se artikujt shpesh lidhen thjesht me deklaratat e politikanëve, pa ndonjë hetim të mëtejshëm. Mediat në internet shihet veçanërisht si problematike, duke pasur parasysh prirjen e tyre për të publikuar me shpejtësi lajme, pa verifikuar saktësinë e tyre, çka bën që keqinformimi të përhapet gjerërisht.
Raporti konstaton se në përgjithësi, gazetarët nuk i përhapin qëllimisht dezinformacionet apo gjuhën e urrejtjes, por ndonjëherë bien pre për shkak të neglizhencës profesionale ose presionit nga një palë e tretë.
Në raport thuhet se ngjarjet e fundit, të tilla si tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia, nxitën përhapjen e informacionit të pasaktë në media.
Raporti konstaton se zbatimi i ligjit mbi informimin publik është përkeqësuar dhe se informacioni i siguruar nga qeveria ka tendencë të jetë i njëanshëm. Në përgjigje të kërkesave të gazetarëve për informacion, zyrtarët e kanë zëvendësuar mosdhënien e përgjigjes, me dhënie të informacionit të përgjithshëm që zakonisht nuk është shumë i vlefshëm. Në përgjithësi, thuhet në raport, legjislacioni ekzistues garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, por në të shihet si një hap pas, miratimi në fund të 2019-s i një ligji që u konsiderua kufizues për mediat online (e ashtuquajtura paketa antishpifje), në kundërshtim me mendimin e komunitetit të medias. (Pasi presidenti i vuri veton ligjin ai ndodhet në parlament dhe mbetet e paqartë se si do të veprohet më tej me të). Në raport thuhet se presioni politik ekziston, por ai ushtrohet përmes pronarëve, në vend që të zbatohet drejtpërdrejt tek gazetarët.
Kosova
Në Barometrin e Informimit të Pastër, Kosova ka një total të përgjithshëm prej 24 pikësh dhe futet në mesin e vendeve me informacion disi të pastër, apo një sistem të qëndrueshëm informacioni.
Sipas raportit edhe pse pandemia e COVID-19-s ishte tema kryesore të lajmeve në Kosovë, problemet politike në vend kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të medias. Në raport thuhet se sektori mediatik ka parë një rritje të përmbajtjes së dëmshme, përfshirë dezinformimin dhe lajmet e rreme në lidhje me koronavirusit në veçanti.
Në raport thuhet gjithashtu se mediat kosovare ofrojnë informacion cilësor për një shumëllojshmëri temash dhe se mediat kryesore prodhojnë informacion bazuar në fakte. Sidoqoftë keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes janë mjaft të pranishme në organizat mediatike. Kjo tendencë është veçanërisht e pranishme në mediat në internet që prodhojnë lajme me një burim të vetëm.
Rezultatet e 13 vendeve ishin pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë në dy kategori: në vende me informacion disi të gjallë ku futet (Kosova, Armenia, Moldavia, Shqipëria, Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi) dhe në vende me një sistem të dobët informimi, si Rusia, Gjeorgjia, Bosnja dhe Hercegovina, Bjellorusia, Serbia dhe Azerbajxhani.
Kosova kishte rezultatin më të lartë të përgjithshëm prej 24 pikësh ndjekur nga Armenia dhe Moldavia me 23 pikë secila. Azerbajxhani kishte rezultatin më të ulët prej 11 pikësh duke e vendosur atë në fund të klasifikimit, ndërsa Bjellorusia dhe Serbia morën nga 15 pikë secila.
Barometri i Informacionit Aktiv është një studim vjetor që shqyrton mënyrën se si prodhohet, përhapet, konsumohet dhe përdoret informacioni. Pas gati 20 vitesh të matjes së Indeksit mbi Qëndrueshmërinë e Medias, organizata jofitimprurëse IREX-i, me financim të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), zhvilloi Barometrin e Informacionit Aktiv, me synimin për të identifikuar dhe matur më mirë mënyrën se si prodhohet dhe përdoret sot informacioni. VIBE ofron një qasje të re për të matur dhe diagnostikuar sfidat dhe mundësitë e sistemeve të sotme komplekse të informacionit.