Ish-Presidenti amerikan Jimmy Carter dhe bashkëshortja e tij, ish-Zonja e Parë Rosalynn Carter festojnë sot 75 vjetorin e martesës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh tregon në materialin në vazhdim disa nga sekretet mes këtij partneriteti, që kanë martesën më të gjatë në historinë presidenciale të Shteteve të Bashkuara.
Your browser doesn’t support HTML5
Jimmy Carter e pranon se kur ishte 21 vjeç, martesa me të dashurën e tij, Rosalynn Smith - atëherë 18 vjeçare, nuk ishte një gjë e sigurt.
“Kur i propozova Rosalynne-s për herë të parë për martesë, ajo tha jo.”
Por këmbëngulja dha rezultat dhe çifti u martua më 7 korrik 1946, në qytetin e tyre të lindjes Plains të shtetit Xhorxhia. 75 vjet më vonë, ish-presidenti thotë se një nga sekretet e martesës së tyre të gjatë dhe të suksesshme është hapësira.
“Ndjekim disa rregulla për të cilat kemi rënë dakord. Ne i japim hapësirë njëri-tjetrit për të bërë gjërat personale dhe përpiqemi të gjejmë gjëra që duam t'i bëjmë së bashku, dhe përpiqemi të përqendrohemi tek ato. Zgjodhëm të bëjmë ski kur unë isha 62 vjeç dhe ajo ishte 59 vjeçe. Po ashtu së bashku jemi të apasionuar pas zogjve, tenisit dhe peshkimit. Pra kemi shumë gjëra të zakonshme që i bëjmë së bashku ”.
Zoti Carter thotë se ndërsa kjo strategji nuk i parandalon gjithmonë mosmarrëveshjet, ajo ka ndihmuar që ato të jenë të shkurtëra.
“Zemërohemi shpesh, por përpiqemi të harrojmë zënkat para se të flemë”,thotë zoti Carter
Autori Jonathan Alter foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.
“Jimmy dhe Rosalynn Carter kanë partneritetin më të suksesshëm në historinë e presidencës amerikane.”
Jonathan Alter është autor i librit “His Very Best: Jimmy Carter, A Life.” Ai thotë se zoti Carter mund të mos ishte bërë president pa ndihmën e Rosalynn-es në fushatën e tijtë suksesshme për Shtëpinë e Bardhë në vitin 1976.
“Rosalynn dallohet për mprehtësinë politike”, thotë autori Jonathan Alter.
“Po sikur burri dhe gruaja të kishin mendime të ndryshme politike? Mendoj se zënkat do të ishin të shpeshta”, thotë zonja Carter, bashkëshortja e ish-Presidentit Carter.
“Për fat të mirë, Rosalynn-a dhe unëkemi qënë dakord shumicën e kohës, kryesisht në vitin 1976!”, thotë duke buzëqeshur ish-Presidenti Carter.
Jonathan Alter, autori i librit, thotë se marrëdhëniet e çiftit Carter janë historike dhe të pashembullta.
“Jimmy dhe Rosalynn Carter kishin një marrëdhënie shumë të ngushtë personale brenda martesës së tyre, më të ngushtë se Franklin dhe Eleanor-a apo Bill dhe Hillary. Në këtë mënyrë Rosalynn Carter pati një ndikim të pakrahasueshëm tek vendimet e bashkëshortit të saj.”
“Mund ta këshilloja atë dhe mendoj se kjo i zhvilloi marrëdhëniet tona. Respekti për njëri-tjetrin u rrit. Respektoj atë që ai mund të bëjë dhe ai respekton atë që unë mund të bëj. Që nga ajo kohë, ka qënë një partneritet i mrekullueshëm”, thotë për Zërin e Amerikës Rosalynn Carter, ish-Zonjë e Parë e Shteteve të Bashkuara.
Që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1981, çifit Carter është angazhuar në përpjekjet për të luftuar sëmundjet dhe promovimin e demokracisë në botë përmes organizatës jofitimprurëse Qendra Carter. Kohët e fundit, çifti ka patur probleme shëndetësore dhe ka qëndruar pranë shtëpisë në shtetin Xhorxhia, ku ata po festojnë 75 vjetorin e tyre të martesës me disa qindra anëtarë të familjes dhe miq.
“Ata mund të jetojnë ku të duan në botë dhe shumë presidentë janë larguar nga qytetet e tyre. Ata janë të sigurtë këtu, ne i duam dhe kujdesemi për ta dhe ata e dinë këtë. Atyre iu pëlqen të shëtisin nëpër rrugët e qytetit të vendlindjes, siç kanë bërë që kur ishin fëmijë”, thotë Jill Stuckey, mike e familjes Carter.
Qyteti i vendlindjes do të jetë edhe vendi ku ata do të prehen së bashku përgjithmonë, në një varrezë pranë pellgut të tyre të preferuar të peshkimit.