Ndërsa vazhdon tërheqja e pothuajse të gjitha forcave amerikane nga Afganistani pas gati 20 vitesh, komandanti amerikan në vend dhe ekspertë të tjerë janë të shqetësuar për avancimet e talibanëve
Your browser doesn’t support HTML5
A është qeveria afgane gati? Kjo është një pyetje që shumë vëzhgues kanë ngritur, që kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë u larguan nga baza ajërore Bagram javën e kaluar.
Baza e rëndësishme strategjike, rreth 70 kilometra në veri të Kabulit, kryeqytetit të vendit, tani është në duart e Forcave afgane të Sigurisë Kombëtare. Por ndërkohë talibanët, grupi militant kryengritës që mbajti pushtetin në vend deri në vitin 2001, po fiton terren në të gjithë vendin, sipas ekspertëve.
“Situata e sigurisë në vend nuk është e mirë. Afganët e pranojnë se nuk është mirë. Talibanët janë në lëvizje”, thotë gjenerali Austin Scott Miller, i cili po mbikqyr tërheqjen e trupave.
Në shkurt të vitit 2020, Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e presidentin të atëhershëm Donald Trump, nënshkruan një marrëveshje paqeje me talibanët. Por bisedimet e paqes midis grupit kryengritës dhe qeverisë afgane kanë ngecur. Disa udhëheqës republikanë kanë kritikuar afatin kohor që caktoi presidenti Joe Biden për tërheqjen e trupave amerikane, ndërsa talibanët marrin kontrollin në rajonet kryesore.
Zoti Biden thotë se forcat amerikane dhe perëndimore po largohen me përgjegjësi.
“Ne mund të jemi vlerë e shtuar, por afganët do të duhet të jenë në gjendje të garantojnë vetë sigurinë e tyre me forcën ajrore që kanë, të cilën po e ndihmojmë”, deklaroi presidenti Biden.
SHBA thotë se do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ekonomike dhe për forcat e sigurisë. Por ekspertët ngrenë pyetje sa mund të ndikojë kjo ndimë, për të ndaluar talibanët.
“A kanë ndryshuar talibanët? Shumica e njerëzve që jetojnë nën sundimin e talibanëve thonë: Jo! Nuk ka dyshim se dhe mjedisi në të cilin po kthehen është shumë i ndryshëm nga ai në të kaluarën. Por ndërsa ka mjete teknike, qeverisë afgane i duhen njerëzit. Pra mjekë, inxhinerë, njerëz teknokratë për të qeverisur”, thotë Gayle Tzemach Lemmon, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Pavarësisht raporteve se SHBA po përgatit plane për evakuim emergjent për stafin e saj diplomatik, administrata e zotit Biden tha të dielën se ambasada e saj në Kabul do të mbetet e hapur. Zyrtarët thonë se një kontigjent i trupave amerikane do të qëndrojë në Afganistan për të mbrojtur misionin diplomatik.