Pasi ka kaluar fazën më të keqe të pandemisë, qyteti i Nju Jorkut ka filluar të rihapet duke zbatuar programet për "Rrugët e Hapura" dhe "Restorantet e Hapura". Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nina Vishneva, këto iniciativa që do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit u lejojnë restoranteve të shtrihen përtej zonave të kufizuara për tavolinat në mjediset e jashtme.
Your browser doesn’t support HTML5
Një pulë zgare dhe një ëmbëlsirë me manaferra për një darkë nën dritën e qirinjve... në mes të rrugës.
"Lejohet të hash këtu, lejohet të pish këtu. Të lejohet të këndosh këtu dhe t'ia kalosh vërtet mirë. Mirësevini në Bruklin!", thotë Mark Cohen, banor i Nju Jorkut.
Së bashku me të bijën, Marku ka organizuar prej kohësh darka të tilla për miqtë dhe familjen. Kjo është e mundur tashmë në qytetin e Nju Jorkut falë programit të quajtur "Rrugët e Hapura". Gjatë pandemisë, që është ende realitet në Shtetet e Bashkuara, disa rrugë janë mbyllur për makinat, duke u mundësuar njerëzve të mblidhen me shoqëri në mënyrë të sigurtë dhe për të shijuar pak ajër të pastër.
"Po të kishte ardhur dikush tek komuniteti ynë një vit e gjysëm më parë dhe të kishte thënë 'Le ta mbyllim të gjithë Bulevardin Vanderbilt dhe t'i lëmë njerëzit të darkojnë në rrugë deri në orën 10 të darkës', do të kisha thënë se është një çmenduri, se është e pamundur dhe se nuk do të funksionojë kurrë! Por, funksionon!", thotë Gib Veconi, organizator në komunitet.
Rrugët dhe sheshet e vogla tani janë bllokuar dhe ndahen në disa zona. Disa janë të rezervuara për shëtitje dhe për biçikletat. Në disa pjesë të tjera, restorantet kanë ngritur tavolina, ndërsa disa janë ende bosh - në pritje që të kthehen në një hapësirë zyre të improvizuar ose në një shesh lojërash.
Restoranteve u është lejuar të përdorin falas disa blloqe të qytetit, megjithëse zakonisht duhet të paguajnë një shumë të madhe dhe të marrin liçencë për të vendosur tavolina jashtë. Zyrtarët e qytetit thonë se me programin e parë pilot të restoranteve të hapura, darkuan jashtë dy herë më shumë njerëz se zakonisht.
"Kemi edhe mjedisin e brendshëm, por askush nuk dëshiron të ulet aty; të gjithë duan të jenë jashtë! Dhe kemi kabinat e sigurta ndaj COVID-it", thotë Patrick Fromuth, menaxher restoranti.
Patrick është menaxher në restorantin Branded Saloon. Ai thotë se biznesi nuk u mbyll gjatë pandemisë, por se kishin maksimalisht katër klientë. Tani janë duke u shërbyer 65 personave - dhe kjo është vetëm tek tavolinat jashtë.
"Është një atmosferë e madhe evropiane, por po bëhet një atmosferë amerikane!", thotë ai.
Programi duket se bezdisi fillimisht disa shoferë makinash që organizuan tubime për të protestuar për mbylljen e disa rrugëve. Disa shkruajtën të revoltuar në mediat sociale. Por, me kalimin e kohës, më shumë njerëz e kuptuan vlerën e iniciativës.
"Parkimi është i vështirë, por ç'të bëjmë? Është Nju Jorku!", thotë Viva di Koncini.
Viva u rrit në Arizona dhe ishte mësuar të shkonte me makinë kudo. Por në Nju Jork, ajo shijon të dalurën pa patur nevojë për t'i dhënë makinës.
"I kam dashur rrugët e hapura gjatë gjithë jetës sime. Shkoja në Evropë dhe shikoja zonat e këmbësorëve, si bulevardin e Barcelonës... Gjithmonë kam dashur të jetoj në një rrugë pedonale!", thotë ajo.
Tashmë, shumica e kufizimeve të koronavirusit në Nju Jork janë hequr dhe qyteti po rikthehet me ngadalë dhe me kujdes në jetën e përpara pandemisë. Me një përjashtim të madh - tani ka shumë më tepër rrugë të mbyllura për makinat dhe të hapura për shoqërim.