Kampionia amerikane Sha'Carri Richardson nuk do të mund të garojë në lojrat Olimpike në garën e 100 metra për femra, pasi ka rezultuar pozitive për marjuanë.
Richardson, e cila fitoi eliminatoret e 100 metrave për të zgjedhur ekipin olimpik të Shteteve të Bashkuara, me rezultatin 10 sekonda e 86 të qindat (10.86) më 19 qershor, e bëri publik lajmin mbi pezullimin e saj të premten në një emision televiziv (Today Show).
Për këtë shkak rezultati i saj nuk do të merret parasysh dhe vendin e saj në ekip për garën e 100 metrave, do ta zërë Jenna Prandini, e cila gjatë garave kualifikuese për lojrat Olimpike doli e katërta.
Richardson pranoi një pezullim 30-ditor i cili përfundon më 27 korrik, momenti i duhur për të për të garuar në stilin stafetë për femra. Federata Amerikane e Atletikes nuk i ka bërë të ditura planet për stafetën.
Sprinterja 21-vjeçare pritej të përballej me Shelly-Ann Fraser-Pryce të Xhamajkës në një nga garat më të shumëpritura të pistës Olimpike.
Të enjten, ndërsa kishte njoftime për përdorimin e mundshëm nga ana e saj të marjuanës, Richardson shkrunate në twitter: "Jam qënie njerëzore".Të premten, ajo pranoi gjatë një daljeje televizive se kishte pirë marijuanë si një mënyrë për t’u përballuar me vdekjen kohët e fundit të nënës së saj.
"U verbova nga emocionet. U verbova nga e keqja, dhimbja dhe po përpiqesha ta fshihja atë”, tha ajo. "E di që nuk mund të fshihem, kështu që në një farë mënyre, po përpiqesha të fshihja dhimbjen".
Ndaj Richardson ishte në fuqi një ndalim tre-mujor i reduktuar në një muaj për shkak se ajo mori pjesë në një program këshillimi.
Pas Lojërave Olimpike të Londrës, rregullatorët ndërkombëtarë e ulën pragun për atë që përbën një provë pozitive për marjuanën. Ata shpjeguan se pragu i ri ishte një përpjekje për të siguruar që të zbulohej përdorimi i dopingut gjatë garave dhe jo gjatë ditëve dhe javëve para tyre.
Megjithëse ka pasur debate të gjera nëse marjuana duhet të konsiderohet një ilaç për rritjen e fuqisë fizike, Agjencia Amerikane Antidoping e ka bërë të qartë në faqen e saj të internetit se "të gjitha kanabinoidet sintetike dhe natyrore janë të ndaluara në gara, me përjashtim të kanabidiolit (CBD), një nënprodukt që po studiohet për përfitime të mundshme mjekësore.
Ndërsa nuk foli rreth mundësive së atletes Richardson për të marrë pjesë në stilin stafetë, Federata Amerikane e Atletikës tha një deklaratë se "situata e saj është tepër e pafat dhe shkatërruese për të gjithë ata që janë të përfshirë".
Richardson tha se edhe nëse do t’i lejohet të garojë në stafetë do të jetë mirënjohëse dhe nëse jo, do të përqendrohet tek vetja.
Rasti i saj është më i fundit në një numër problemesh të lidhura me dopingun për ekipin amerikan të atlektikës.
Mes atyre që janë ndaluar për Lojërat Olimpike janë kampioni në fuqi i botës në 100 metra, Christian Coleman, dhe rekordmenia amerikane në 1,500 dhe 5,000 metra, Shelby Houlihan, e cila rezultoi pozitive për doping, dhe ia vuri fajin për këtë një cope mishi që kishte konsumuar.
Kësaj liste i shtohet tashmë edhe Richardson, e cila ra në sy duke garuar me flokë të lëshua të lyer në portokalli, si dhe me thonj të gjatë.
"Kush jam unë që t'ju them se si të përballeni me një dhimbje që nuk e keni provuar kurrë më parë?!", tha ajo.