Francezët po marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve rajonale pas një raundi të parë që përfundoi me një goditje të fortë ndaj partisë së Presidentit Emmanuel Macron si dhe me rezultate zhgënjyese për forcat e ekstremit të djathtë të zonjës Marine Le Pen. Zgjedhjet u shoqëruan gjithashtu me pjesëmarrje të ulët rekord.
Për disa vëzhgues, rezultati i raundit të parë më 20 qershor vuri në pikëpyetje një ballafaqim mes Presidentit Macron dhe zonjës Le Pen në zgjedhjet presidenciale të 2022, që deri tani shihej si skenari më i mundshëm.
Republikanët, një forcë politike e së djathtës tradicionale morën një mbështetje të konsiderueshme në qershor; po ashtu edhe socialistët që dolën me një diferencë të ngushtë nga partia e zotit Macron me pikëpamje të qendrës.
Analistët paralajmërojnë se rezultatet e zgjedhjeve lokale nuk mund të përdoren për të përllogaritur votime kombëtare. Por pjesëmarrja e ulët muajin e kaluar mbetet shqetësim për politikanët. 66.72% e elektoratit preferoi të mos merrte pjesë në votime, një shifër rekord për Francën.
“Po shohim pikën kulmore të pakënaqësisë mes votuesve dhe klasës politike,” tha Jessica Sainty, pedagoge në Universitetin Avignon, duke pranuar se pandemia ka qenë një ndër faktorët për këto shifra të ulëta.
Problemi i pjesëmarrjes ka bërë që shumë figura të njohura të dalin me propozime për të mobilizuar daljen në votime, ndër to idenë e votimit elektronik.