Projektligji i demokratëve për zgjedhjet, i cili përfshin reforma të gjera mbi të drejtën e votës, nuk u miratua në Senat. Propozimi nxorri edhe një herë në pah fuqinë e taktikës së bllokimit të votës në Senat përmes fjalimeve të gjata që përdorën republikanët të martën.
Projektligji me 900 faqe ka marrë përparësi të spikatur për aktivistët për të drejtën e votës dhe grupime të tjera të krahut të majtë, pasi një numër shtetesh po miratojnë në mënyrë individuale ligje që kufizojnë qasjen tek vota. Në Senatin e ndarë barabar – 50 me 50, republikanët votojnë në bllok kundër propozimeve që lidhen me votën, gjë që e bëri të pamundur për demokratët të miratonin nismën e tyre, pasi nevojiten 60 vota nga Senati për të ndalur fjalimet e tejzgjatura dhe për të hapur diskutimin për projektligjin.
“Keni frikë nga debati?” pyeti të hënën udhëheqësi i opozitës republikane në Senat, Mitch McConnell.
Ballafaqimi i së martës në Senat nuk i jep fund betejës për ndyshime në ligjet për votën. Presidenti Joe Biden është betuar se do të luftojë për t’u garantuar amerikanëve qasje tek e drejta e votës. Projektligji nuk përqëndrohet vetëm tek rregullat e votimit që u ofrojnë amerikanëve lehtësira për të votuar herët, apo në mungesë, por përfshin ndryshime edhe mbi vetë rregulloret e Senatit që lejojnë taktikën e njohur si “filibuster” – mbajtjen e fjalimeve pa fund deri sa skadon afati për të hapur debatet mbi një propozim legjislativ.
Republikani Mitch McConnell e kriikoi ashpër këtë projektligj si një “propozim skandaloz” që nuk ka vend në Senat.
Demokratët, të cilët kontrollojnë jo vetëm Shtëpinë e Bardhë, por edhe dy Dhomat e Kongresit, megjithëse me një diferencë të ngushtë, kanë muaj që përgatiten për këtë projektligj. Propozimi i tyre parashikon heqjen e pengesave që kanë ngritur shumë shtete në emër të sigurisë së votës, të bllokojë influencën e donatorëve të fuqishëm tek politika dhe të zvogëlojë ndërhyrjet partiake në ndarjen e zonave elektorale.
Javën e kaluar Senatori Joe Manchin, një demokrat i moderuar, tha se nuk mund ta mbështeste projektligjin nëse nuk bëhen ndryshime që e bëjnë tërheqës për republikanët.
Ai iu përmbajt këtij qëndrimi edhe pas takimit të hënën me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë. Senatori nuk ka deklaruar nëse do të votojë me demokratët në mbështetje të projektligjit, duke thënë se po analizon variantin e fundit të propozimit.
Senatori Manchin propozoi vetë disa ndryshime javën e kaluar, duke shtuar klauzola për një kartë kombëtare identiteti që t’i kërkohet votuesit ta paraqesë para se të hedhë votën. Shumë demokratë e konsiderojnë të papranueshme një kërkesë të tillë. Po ashtu zoti Manchin kërkon të hiqet propozimi në projektligj për finacimin publik të fushatave.
Ndryshimet e propozuara nga senatori demokrat u pritën përgjithësisht mirë dhe u cilësuan si “hap përpara” nga administrata Biden.
Por kjo nuk ka sjellë afrim të dy palëve në mbështetje të projektligjit në Senat. Republikanët u shprehën kundër propozimeve që rrisin rolin e qeverisë federale në votime.
Rezistenca e palëkundur e republikanëve ndaj propozimeve për reforma mbi të drejtën e votës ka nxjerrë edhe më shumë në pah rolin që luan taktika e fjalimeve pa fund për të bllokuar projektligje që i kalojnë Senatit.
Demokratët duan të ndryshojnë rregulloret e operimit të Senatit në mënyrë që të sigurojnë miratimin e propozimeve të tyre. Por disa demokratë, si Senatori Manchin dhe Senatorja Kyrsten Sinema nuk duan ndryshime të kësaj taktike.
“Kjo taktikë (me fjalime të gjata, pafund) i detyron palët të tregohen më të moderuara dhe e mbron vendin nga ndryshime të tërbuara,” shkruante Senatorja Sinema në një artikull opinion të hënën në gazetën Washington Post. Ajo theksoi nevojën për një debat të plotë “që senatorët dhe elektorati ynë të dëgjojnë gjerësisht shqetësimet dhe pasojat”.
Po shtohet presioni për ndryshimin e rregullave. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se administrata shpreson që demokratët ta mbështesin propozimin dhe se nëse nuk miratohet, të fillojnë përpjekjet për një rrugë të re.
Miratimi i projektligjit po bëhet më kritik ndërkohë që ish-Presidenti Donald Trump vazhdon të këmbëngulë se iu vodh fitorja në zgjedhjet e 2020 dhe po bën thirrje për ligje të reja zgjedhore në shtetet e kontolluara nga republikanët.
Në shumë shtete republikane janë miratuar ligje që janë kritikuar nga aktivistët për të drejtën e votës si mënyra që e vështirësojnë qasjen tek vota sidomos për pakicat, të cilat në masë të madhe mbështesin demokratët.
Projektligji mund të ndryshohet ndërkohë, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për miratim në Senat.
Demokratët thonë se propozimi synon të pengojë masa frikësimi në qendrat e votimit, duke u nxitur nga incidente të vërejtura gjatë zgjedhjeve të 2020. Demokratët kanë propozuar masa më të forta ndëshkimore për ata që kërcënojnë punonjësit zgjedhorë apo që bllokojnë vijën e shikimit ose lëvizjen në qendra votimi.
Demokratët e kanë cilësuar këtë propozim si “përgjigje ndaj kërcënimeve në rritje për uzurpimin e procesit zgjedhor në shtete të kontrolluara nga republikanët”.
Demokratët duan gjithashtu të kufizojnë kompetencat e zyrtarëve shtetërorë për të hequr pa shkak një punonjës në një qendër votimesh. Në fillim të vitit, republikanët në Xhorxhia miratuan një ligj që i jep organit legjislativ të këtij shteti kompetenca më të gjera mbi bordin e zgjedhjeve dhe zgjeron autoritetin për të hequr zyrtarë zgjedhorë që konsiderohen “inkompetentë”.
“Rreziku i kufizimit të së drejtës së votës siç e shohim në Xhorxhia dhe në të gjithë vendin nuk është teorik. Nuk mund të lejojmë aktorë të etur për pushtet t’i përjashtojnë njerëzit nga sistemi demokratik duke shtypur vendimin e zyrtarëve lokalë zgjedhorë,” tha Senatori Raphael Warnock, demokrat nga Xhorxhia, i cili është angazhuar intensivisht në mbështetje të propozimit.