Tiranë, vërtetime false për testet e COVID 19, 1 arrestuar e 15 të ndaluar

Në Shqipëri një person u arrestua dhe 15 të tjerë u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi dyshohen se janë përfshirë në falsifikimin e vërtetimeve që lëshohen për testet e COVID 19, për qytetarë që udhëtonin jashtë vendit

Hetimi i Prokurorië nisi pas denoncimit të një prej laboratorëve mjekësor në kryeqytet, i cili kishte konstatuar se me logon e tij ishin lëshuar certifikata të falsifikuara që vërtetonin kryerjen e testit për COVID 19.

Në pranga mësohet se ka përfunduar Ronald Karrica, i cili kishte një dyqan ku realizonte fotokopje dhe printime. Në telefonin e tij celular janë gjetur komunikime të shumta me persona të cilët i dërgonin emra dhe të dhëna kartash identiteti në mënyrë që ai t’u përgatiste vërtetimet falso për testin e COVID 19 kundrejt pagesave deri 25 euro, ndjeshëm më të lira se sa është kostoja reale për kryerjen e tamponit dhe marrjen e vërtetimit përkatës të nevojshëm në rastet e udhëtimeve jashtë vendit.

Me urdhër të prokurorisë janë ndaluar 15 personat të cilët kanë komunikuar me Karricën. Mes tyre është një mjek laborant i Qendrës spitalore universitare, dhe një mjeke e një kompanie farmaceutike, apo dhe punonjës të agjencive turistike.