G-7 e ndarë mbi thirrjen e presidentit Biden për qëndrim të ashpër ndaj Kinës

Udhëheqësit e G-7-ës duket se janë të ndarë lidhur me thirrjen e Presidentit të Shtetet e Bashkuara Joe Biden për të ndërmarrë veprime më agresive kundër Kinës, përfshirë praktikat e saj të punës së detyruar, mungesën e vullnetit për të luajtur sipas rregullave ndërkombëtare të tregtisë dhe mekanizmin problematik të financimit të infrastrukturës globale.

"Pati disa diskutime interesante dhe në një fare mase mospërputhje mendimesh," tha një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden ndërsa informonte gazetarët pas seancave të G-7-së në Cornwall të Britanisë.

Zyrtari foli me kushtin që të mos identifikohej. Udhëheqësit e G-7-ës ranë dakord se kërcënimi i një Kine gjithnjë e më agresive është real, por kanë mendime të ndryshme në lidhje me forcën e kundërpërgjigjes, tha zyrtari.

Italia, Gjermania dhe Bashkimi Evropian duket se hezitojnë të marrin një qëndrim sa më të ashpër ndaj Kinës, dhe duan të përqendrohen më tepër në "natyrën bashkëpunuese të marrëdhënies".

SHBA, Britania, Kanada dhe Franca, nga ana tjetër , duan të jenë më "të orientuar drejt veprimit" në shkallë të ndryshme. Japonia duket të jetë më e pavendosura në grup.

Ndërtimi i një bote më të mirë

Zoti Biden dhe organizatori i talkimit të këtij viti të G-7-ës, Kryeministri britanik Boris Johnson, duan të shpallin sa më shpejt një mekanizëm financimi të infrastrukturës për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, krijuar për të rivalizuar nismën “Një Brez, një Rrugë” të Kinës, strategjia globale e investimeve për zhvillimin e infrastrukturës në dhjetëra vende, gjë që është thelbësore në politikën e jashtme të Pekinit.

Nisma, e quajtur "Build Back Better World", “Të rindërtojmë një botë më të mirë”, ose "B3W", synon të mobilizojë mekanizmat ekzistues të financave të zhvillimit dhe sektorin privat për të ngushtuar hendekun në nevojat e financimit të infrastrukturës në botën në zhvillim, ndërsa plotëson standardet e punës, mjedisit dhe transparencës.

Administrata thotë se B3W do të "investojë kolektivisht qindra miliarda dollarë në infrastrukturë". Afati kohor, struktura dhe objektivi i financimit nga SHBA, është ende i paqartë.

"Është e arsyeshme të pyesësh nëse bëhet fjalë për fonde të reja, kapacitete të reja për të ndërtuar infrastrukturë në rajon, apo për një ripozicionim dhe riorientim të burimeve që janë në dispozicion," i tha Zërit të Amerikës, Robert Daly, drejtori i Institutit Kissinger për Kinën në Qendrën Wilson.

Për të zgjeruar sferën të ndikimit, Pekini u jep hua në kuadrin e nismës “Një Brez, Një Rrugë” vendeve për projekte që nuk konsiderohen të besueshme nga huadhënësit ndërkombëtarë.

"Kjo ngre pyetjen nëse ky program i ri do të jetë më i prirur të rrezikojë," tha zoti Daly, duke theksuar se nëse këto projekte do të justifikonin financim, huadhënësit si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore do ta kishin bërë një gjë të tillë.

Puna e detyruar në Xinjiang

Tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara pritet të thellohen edhe më tej ndërsa zoti Biden u bën thirrje partnerëve të G-7-ës të dalin me një deklaratë të fortë dhe veprim konkret kundër praktikave kineze të punës së detyruar që kanë në shënjestër myslimanët ujgurë nga provinca Xinjiang dhe pakicat e tjera etnike.

Që nga viti 2018, organizatat humanitare kanë dokumentuar me prova se Pekini zbaton një program masiv internimi punës së detyruar. Programi përfshin transferimin e ujgurëve dhe pakicave të tjera kineze nga Xinjiang, duke i detyruar ata të punojnë në kushte të vështira në fabrika në të gjithë vendin, shumë prej të cilave janë në zinxhirët e furnizimit të markave globale.

Zoti Biden i karakterizon këto praktika si "fyerje të dinjitetit njerëzor dhe një shembull të egër të konkurrencës ekonomike të padrejtë të Kinës", sipas një zyrtari të administratës.

Presidenti dëshiron që G-7 të flasë me forcë dhe me një zë kundër praktikave të Pekinit për punë të detyruar, por është e pasigurt nëse ai do të ketë mbështetjen e nevojshme për ta përfshirë atë në komunikatën përfundimtare të G-7 që do të dalë të dielën.