Administrata e ish-presidentit Trump siguroi nga Apple të dhënat e dy demokratëve

Prokurorët e Departamentit amerikan të Drejtësisë nën ish-presidentin Donald Trump morën përmes kompanisë Apple të dhënat e dy ligjvënësve demokratë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin dhe të ndihmësve dhe familjarëve të tyre, njoftoi gazeta the New York Times, të enjten.

Kërkesa ishte bërë për anëtarin e Kongresit, Adam Schiff nga Kalifornia, një kundërshtar i zotit Trump, në atë kohë anëtar i komisionit të zbulimit dhe aktualisht kryetar i tij, njofton gazeta.

Anëtari i Kongresit, Eric Swalwell i tha CNN-it të enjten se ai ishte ligjvënësi i dytë demokrat në komision që ishte objekt i kësaj kërkese.

“U njoftova nga Apple që ata kishin marrë të dhënat e mia. Është e gabuar," tha ai.

Sipas gazetës, prokurorët që punonin nën kreun e Departamentit të Drejtësisë, Jeff Sessions bënë përpjekje të pazakonta në vitin 2017 dhe në fillim të vitit 2018 për të gjetur burimin e rrjedhjeve të informacionit sekret në lidhje me kontaktet midis bashkëpunëtorëve të zotit Trump dhe Rusisë.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë vunë në shënjestër të dhënat elektronike jo vetëm të ligjvënësve, por edhe të stafit dhe familjeve të tyre, përfshirë një të mitur, ndoshta sepse hetuesit mendonin se ligjvënësit po përdornin pajisjet e ndihmësve të tyre, ose të fëmijëve për të fshehur kontaktet me gazetarët.

Si përfundim, asnjë nga të dhënat ose provat e tjera nuk gjetën ndonjë lidhje mes anëtarëve të Kongresit apo Komisionit të Zbulimit me rrjedhjet e informacionit, tha New York Times.

Zoti Schiff, megjithëse nuk konfirmoi se ishte objekt i hetimit, bëri thirrje për një hetim nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë për "këtë dhe raste të tjera që sugjerojnë shpërdorimin e agencive të zbatimit të ligjit nga një president i korruptuar."

Zoti Trump "u përpoq të përdorë Departamentin si një mburojë kundër kundërshtarëve të tij politikë dhe anëtarëve të medias. Është gjithnjë e më e qartë, që këto kërkesa nuk ranë në vesh të shurdhër," tha zoti Schiff në një deklaratë.

Kryetarja demokrate a Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi bëri thirrje gjithashtu për një hetim, duke i përshkruar gjetjet e raportit të New York Times si "indinjuese".

"Këto veprime duket të jenë një sulm tjetër i egër ndaj demokracisë sonë nga ish-presidenti," tha ajo në një deklaratë.