Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris e vuri theksin tek "forca e shpresës" të hënën, si edhe tek përpjekjet e reja për të luftuar korrupsionin për të bindur latino-amerikanët të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm për të emigruar drejt Shteteve të Bashkuara.
Në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit si nënpresidente, zonja Harris tha në një konferencë shtypi në Guatemala se latino-amerikanët "nuk duan të largohen nga vendi ku janë rritur."
Por ajo tha se qytetarët e vendeve të Trekëndëshit Verior ku bëjnë pjesë Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, së bashku me Meksikën, kanë nevojë për një zhvillim ekonomik që premton një jetë më të mirë sesa përpjekja për të shkuar në SHBA.
Zonja Harris tha se "ndihma po vjen" përmes Uashingtonit dhe investimeve private të inkurajuara nga qeveria amerikane në bujqësi, strehim dhe biznese.
Por nënpresidentja Harris paralajmëroi qytetarët e Guatemalës duke thënë "Mos ejani" në SHBA. "Ne nuk kemi frikë të zbatojmë ligjet dhe të përforcojmë kufijtë tanë," deklaroi ajo.
Zonja Harris mbajti bisedime "shumë të sinqerta” – siç i përshkroi ajo - me Presidentin e Guatemalës Alejandro Giammattei rreth korrupsionit në vendin e tij, duke theksuar nevojën për "një sistem të fortë drejtësie" dhe qeverisje civile.
Menjëherë pasi ajo u takua me udhëheqësin e Guatemalës, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Merrick Garland njoftoi në Uashington krijimin e një grupi pune për zbatimin e ligjit që synonte luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe grupeve të kontrabandës në Meksikë dhe vendet e Trekëndëshit Verior.
"Ne po krijojmë këtë grup pune për të adresuar korrupsionin, për të adresuar trafikun njerëzor, po punojmë për t'u siguruar që të bëhet përparim nëse duam të tërheqim investime," tha zonja Harris.
Në konferencën për shtyp, zoti Giammattei fajësoi trafikantët e drogës për korrupsion. Ai tha se SHBA dhe Guatemala ranë dakord të krijojnë një "proces shumë të thjeshtë" përmes vizave për të lejuar emigrimin e rregullt në SHBA dhe se të dy vendet do t'u japin përparësi bashkimeve familjare.
Përveç takimit me zotin Giammattei, Harris mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me komunitetin guatemalas dhe drejtuesit e shoqërisë civile dhe më pas u takua me inovatorë dhe sipërmarrës të rinj, përfshirë disa sipërmarrëse gra.