Agjencisë së Rojes Bregdetare dhe Kufitare të Bashkimit Evropian po i jepen detyra shtesë, si luajtja e një roli më të madh në dëbimin e migrantëve, në një kohë kur ajo nuk është në gjendje të përmbushë detyrat që tashmë ka marrë pesë vjet më parë, paralajmëroi Grupi Evropian i Audituesve të hënën.
Blloku prej 27 vendesh filloi forcimin e Frontex-it dhe testimin politikave të reja të imigracionit, pas hyrjes së mbi 1 milion migrantëve në Evropë më 2015. Ky fluks migrantësh mbingarkoi qendrat e pritjes së tyre dhe shkaktoi një krizë të madhe politike në vitin 2015 mbi çështjen se kush duhej të merrte përgjegjësinë për ta. Mosmarrëveshjet për këtë çështje vazhdojnë edhe sot.
Frontex pritet të bëhet agjencia më e madhe dhe më e financuar e BE-së me rreth 10,000 oficerë dhe një buxhet vjetor prej rreth 900 milionë eurosh. Agjencia kishte një personel prej 45 vetësh në 2005.
Gjatë paraqitjes së një raporti mbi punën e agjencisë për të ndihmuar vendet e BE-së të menaxhojnë kufijtë e jashtëm të Evropës, udhëheqësi i Grupit Evropian të Audituesve, Leo Brincat u tha gazetarëve se "Frontex aktualisht nuk po e kryen detyrën në mënyrë efektive dhe kemi zbuluar se kjo është edhe më shqetësuese në një kohë kur Frontex-it po i shtohen përgjegjësitë”.
Audituesit thanë se mbështetja e Frontex-it për vendet anëtare të BE-së nuk është "e përshtatshme për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar".
Më 2016, një vit pasi qindra mijëra njerëz që iknin nga konflikti në Siri shkonin në Evropë për të kërkuar strehim, vendet e BE-së dhe Komisioni Evropian ranë dakord për t’i dhënë Frontex-it një mandat të ri, duke e shndërruar zyrtarisht atë në Agjenci Evropiane të Rojes Bregdetare dhe Kufitare.
Detyrat e saj kryesore ishin menaxhimi i hyrjeve të paautorizuara të migrantëve përmes kufijve të jashtëm të BE-së dhe të ndihmonte në uljen e krimit ndërkufitar duke respektuar të drejtat themelore dhe duke siguruar lëvizjen e lirë të njerëzve brenda zonës së Evropës pa kontrollim të kartave të identitetit.
Një mandat i azhurnuar i vitit 2019 vendosi të shtonte numrin e oficerëve në 10,000 deri në vitin 2027. Frontex tani mund të dislokojë roje kufitare në vendet jashtë BE-së ndërsa fokusi i saj është zgjeruar duke përfshirë dëbimin migrantëve dhe riatdhesimin e atyre që u është refuzuar hyrja në vendet e BE-së.
Zoti Brincat tha se audituesit zbuluan se edhe para se të caktoheshin këto detyra shtesë, Frontex-i po përpiqej të bënte më shumë se sa kapaciteti që kishte.
"Mendoj se ata bënë shumë ndryshime brenda një periudhe shumë shpejt dhe tani po paguajnë çmimin për këtë", tha ai. "Ata ia kanë zgjeruar mandatin pa analizuar në të vërtetë punën e tyre ose ndikimin e punës së tyre."
Zoti Brincat gjithashtu tha se disa vende të BE-së kanë frikë se rojet e tyre më të kualifikuara të kufirit dhe oficerët e doganave mund të largohen për të punuar në Frontex, duke zbrazur rezervat kombëtare dhe duke i detyruar ata të nisin fushata të kushtueshme rekrutimi.
"Shtetet anëtare mendojnë se, jo vetëm që nuk po marrin ndihmë rezervë të mjaftueshme nga Frontex-i, por se kjo agjenci po i shterron burimet e tyre", tha ai.
Zëdhënësi i Frontex-it, Chris Borowski pranoi se agjencia ka "pësuar një transformim masiv që do të kishte sfiduar çdo organizatë, veçanërisht në kohën e pandemisë së Covid-19", por si shtoi se ajo mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj pavarësisht nga vështirësitë me të cilat po ndeshet.
“Frontex-i është e vetëdijshme se përmirësimet janë të nevojshme dhe ka punuar shumë për ta bërë agjencinë më të fortë dhe madje edhe më efektive. Fatkeqësisht, shumë nga çështjet e ngritura kanë të bëjnë me faktorë të jashtëm që nuk janë nën kontrollin e agjencisë”, tha zoti Borowski.
Ai tha se zbatimi i rekomandimeve të audituesve "kërkon një përpjekje të kombinuar të Frontex-it, Komisionit Evropian dhe autoriteteve kombëtare (të vendeve anëtare)".
Frontex-i është akuzuar për lidhje me fushatën kundër migrantëve, ose parandalimin e njerëzve për të hyrë në një vend (anëtarë të BE-së) për të përdorur të drejtën e tyre për të kërkuar azil. Agjencia ka mohuar çdo përfshirje në këtë praktikë. Një hetim mbi këtë çështje nuk gjeti prova se kjo kishte ndodhur, por zbuloi se ka patur "dështime në monitorim dhe raportim” të incidenteve në radhët e Frontex-it.