Nju Jork, zgjerimi i industrisë së filmit mes pandemisë

Your browser doesn’t support HTML5

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar rritjen e kërkesës për filma dhe seriale televizive që mund të ndiqen në platformat në internet. Ndërsa industria e argëtimit u godit rëndë si rezultat i mbylljeve nga pandemia, një studio në Nju Jork ka shumë punë dhe po zgjerohet.

Kaufman Astoria, një nga studiot më të mëdha në Bregun Lindor amerikan, sapo ka zgjeruar veprimtarinë e saj. Nuk është Hollivudi, por padyshim që veprimtaria e saj po rritet, thotë për Zërin e Amerikës Hal Rosenblush me Studion Kaufman Astoria.

“Kemi një veprimtari të madhe që nga fillimi i viteve 1980. Me zgjerimin e platformave televizive përmes internetit u shtuan edhe kërkesat për programe origjinale. Nevoja për prodhime me përmbajtje origjinale i tejkaloi rekordet e mëparshme.”

Me qendër në Queens të qytetit të Nju Jorkut dhe ndër më të hershmet në Amerikë, Studiot Kaufman Astoria u themeluan në vitin 1920. Studiot Paramount Pictures dikur ishin këtu - deri sa u zhvendosën në Kaliforni.

“Këtu ka qënë streha e filmave pa zë. Me futjen e zërit në film, ishin aktorët e njohur si vëllezërit Marx dhe W.C Fields, ishte Valentino dhe Gloria Swanson. Ato ishin ditët e lavdisë së Hollivudit dhe filluan këtu në Kaufman Astoria”, tregon për Zërin e Amerikës Hal Rosenbluth.

Industria e filmit u zhvendos në vitet 1930 në Los Angeles, si rezultat i kostos më të lirë dhe motit të mirë për filmime gjatë gjithë vitit. Por Nju Jorku ende është qendër e shumë filmave dhe serialeve televizive.

"Disa njerëz mendojnë se nuk ka patur xhirime në Nju Jork por gjithçka është bërë në Hollivud. E vërteta është ndryshe. Nju Jorku gjithmonë ka patur puls kinematografik. Aktualisht industria e filmit dhe televizonit po lulëzon në Nju Jork”, thotë për Zërin e Amerikës Barbara Miller me “Museum of the Moving Image” .

Studiot Kaufman Astoria janë vendi ku u filmua seriali i famshëm për fëmijë “Sesame Street”. Po ashtu është strehë e serialeve “New Amsterdam” dhe “Nurse Jackie” apo filmave “Carlito’s Way” dhe “Men in Black”.

Ndërsa vaksinimi po mundëson rikthimin në normalitet, njerëzit gjithmonë pëlqejnë një film apo serial tërheqës gjatë kohës së lirë. Ndaj këto studio që vazhdojnë të zgjerohen në Nju Jork po punojnë për të plotësuar kërkesat në rritje.