Shqipëri, shoqëria civile në mbrojtje të mjedisit

  • Pëllumb Sulo

Në Ditën Botërore të Mjedisit organizatat partnere "Rrjeti Barazi në Vendimarrje" dhe "Forumi Liqeni i Shkodrës”, nga pika turistike e Shirokës apeluan për një vëmendje më të madhe në mbrojtje të mjedisit të përbashkët natyror në Lumin Buna dhe Liqenin e Shkodrës. Si pjesë e nismës “Fol për ata që heshtin”, një grup të rinjsh për dy muaj monitoruan ndotjet në Lumin Buna dhe Liqenin e Shkodrës duke sjellë, përmes një ekspozite fotografike, dëshmi të shkallës së ndotjeve që shkaktohen nga veprimtaria njerëzore.

Your browser doesn’t support HTML5

Shoqëria civile në mbrojtje të mjedisit natyror

Në fakt, na bëri shumë përshtypje, ngaqë nuk e kishim vëzhguar pasi e shikojmë si një zonë shumë të bukur për shetitje, por kuptuam që ishte shumë e ndotur nga ujërat e zeza që derdhen nga ne dhe nga mbetjet”, thotë një studente.

Pedagogja Djana Bejko, eksperte në fushën e mjedisit, thotë se shkalla e ndotjes nga derdhja e ujërave të zeza është problematike dhe me ndikim në shëndetin e banorëve dhe ekosistemin e zonës së mbrojtur të Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës.

Një gangrenë, një kërcënim jo vetëm për ekosistemin, por edhe për shëndetin e popullatës jo vetëm të qytetit të Shkodrës, por edhe më tej. Sepse ujërat janë të lëvizshëm dhe cilësia e ujërave sipërfaqësore jo vetëm që është përkeqësuar, por tashmë është përkeqësuar edhe cilësia e ushqimit, të cilin ne e marrim nga këto ekosisteme”, thotë ajo.

Nisma e të rinjve dhe shoqërisë civile në Shkodër është mbështetur nga organizata “Lëviz Albania”. Përfaqësuesi i saj, Elvin Gjevori, thotë se nxitja e të rinjve për të monitoruar dhe studiuar mjedisin natyror përcjell sinjale të rëndësishme për autoritetet vendore dhe qendrore, për nevojën e hartimit të politikave më efikase në fushën e mbrojtjes së mjedisit natyror.

Mbi 25 përqind të aplikimeve, që vijnë tek “Lëviz Albania”, vijnë për çështjet mjedisore. Një në katër. Kjo do të thotë se qytetarët janë tmerrësisht të vetëdijshëm për problematikat që ka mjedisi. Ne i kemi dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme në tërë Shqipërinë, sidomos komuniteteve të vogla, që janë jasht qendrës, dhe që jetën e kanë të lidhur me natyrën, me mjedisin. Ato janë më të ndjeshëm”, thotë zoti Elvin Gjevori.

Sipas pedagoges Bejko, mjedisi natyror në Shqipëri vazhdon të jetë i kërcënur si nga përdorimi pa kriter i pesticideve, ndotja e ajrit, por edhe hedhja e mbeturinave dhe ujrave të zeza në lumej, liqene dhe vijën bregdetare, ç’ka sjell ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në mjedisin natyror, por edhe në shëndetin e popullatës.